Me dy koka, pa asnjë kokë

Analizë Opinion

Do të ishte iluzore të besohej se Hoti mund ta anashkalonte apo ta mënjanonte Thaçin nga ky proces, kur dihet qartë se Thaçi e bëri kryeministër. Për pasojë ai do të mund ta shkarkonte kur të donte. Siç edhe do ta bëjë posa kjo Qeveri t’i përmbushë disa nga caqet që i ka përcaktuar Thaçi

Nga Flaka Surroi

Që nga data 6 qershor në Kosovë u regjistruan madje 833 raste të reja të të infektuarve me Covid-19. Prej 13 marsit deri më 5 qershor i kishim pasur gjithsej 1165 raste. Dhe çka na ndodhi? U hoqën masat, u humb kontrolli, u organizuan protesta, u mbushën kafehanet e qendrat tregtare pa asnjë masë mbrojtëse dhe i hodhëm në ujë ata tre muaj të “rri n’shpi” dhe “mbaje distancën”.

Sa tipike për ne, çfarë papërgjegjësie dhe çfarë naiviteti të besohet se kjo do të kalojë vetëm pse ne po kemi qejf. Për më tepër, tash kanë nisur fushatat për të thënë se çështja e virusit është krejtësisht e shpikur dhe se kjo që po ndodh në Kosovë është konspiracion kundër këngëtarëve që vetëquhen artistë, që po mbesin pa “tezgat” e dasmave. Pare e madhe sillet aty, s’ka dyshim. Por kjo madhësi nuk reflektohet edhe te tatimet. E ky është sekret publik.

Efektet e pandemisë

Tre muajt e pandemisë shtetit i kanë shkaktuar rënie të të hyrave për 133 milionë euro deri tash dhe sivjet do të ketë rënie ekonomike, pa asnjë dyshim të vetëm. Të hyrat e bizneseve aktive që nuk merren me tregti kanë rënë aq sa shumëkush nuk mund të përmbushë obligime të tjera që nuk janë rrogat dhe qiratë, dhe tek-tuk ndonjë obligim më të vogël.

Ende nuk është përmbushur plani emergjent i ndihmave ekonomike që Qeveria e shkuar e kishte miratuar qysh në prill. Ende nuk janë paguar rrogat për muajin prill, e as qiratë e premtuara. Nuk e di nëse kjo është pasojë e mungesës së parasë, apo edhe se është mungesë e vullnetit në administratë për ta kryer këtë detyrim të cilin vetë e ka miratuar. Sido që të jetë, është bajagi joserioze që rrogat e prillit të mos jenë paguar ende, e ky muaj edhe dhjetë ditë përfundon.

E me gjithë këtë problem, ministrja e re e Financave ka planifikuar t’i ndajë 400 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike, të cilat ende nuk është e qartë se nga do të vijnë – pos nëse dikujt i shkon mendja me i prekë paratë e trustit pensional, për të cilën gjë duhet të ndryshohet ligji. Sido që të jetë, 400 milionë do të ishin infuzion i mirë për një ekonomi të dehidruar – dhe mbase do të duhej nisur nga mundësia që bizneseve t’u kompensohen kontributet dhe tatimet në të ardhurat personale deri në fund të vitit, ashtu që të marrin frymë më lehtë.

Dhe do të duhej menduar që t’u jepen kredi bizneseve me kushte më të mira seç janë kamatat bankare. E për këtë mund të përdoren bankat komerciale, ashtu siç bën BERZHI, për shembull. Zgjidhje ka mjaft, dhe ekonomistët do të jenë adresa ku duhet drejtuar për këshilla, pavarësisht përgatitjes profesionale të ministres dhe stafit të saj – sepse fakt është se asnjëri nuk i dimë të gjitha.

Ndërkohë, ndërrimi i Qeverisë solli edhe ndryshimin e prioriteteve të cilat po planifikohen me rishikimin e buxhetit. Sipas asaj që e ka thënë ministrja, asnjë nga projektet kapitale nuk do të hiqen nga buxheti – pra sërish do t’u futemi proceseve të tenderimit për rrugë të shtrenjta, dhe sërish do të ballafaqohemi me keqpërdorimin e parasë publike. Kjo ngase ky është çmimi që duhet paguar për përkrahjen politike që e ka marrë Avdullah Hoti për t’u bërë kryeministër.

Kryeministër i 61 votave që mund të bjerë në çdo moment, edhe për një gjë, edhe më të parëndësishme sesa shkarkimi i një ministri të Brendshëm.

Loja me dialogun

Pra, në kohën kur po mendojmë se si të shkojmë në det në Shqipëri, edhe një vend ku Covidi nuk fle dhe përhapet dita më ditë, pa pritur e pa kujtuar vjen një ftesë nga Amerika. Thotë Grenelli hajdeni se po ju pres në Washington, Prishtinën dhe Serbinë, për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë. Data e caktuar: 27 qershori, që i bie e shtunë. Çuditshëm, porse krejt çka ka pasur lidhje me ambasadorin Grenell që nga fillimi i përfshirjes së tij ka qenë proces i çuditshëm. Për më tepër, edhe me efekte të këqija – marrë parasysh se vetëm Kosovës i ka rënë hise ta rrëzojë Qeverinë në mes pandemie, në emër të amerikanizmit.

Sidoqoftë, mbase veç Thaçi e ka informatën se cila do të jetë tema e takimit në Washington. Mbase vetëm ai e di se sa do të zgjasë, si do të mbahet, çfarë do të diskutohet, çfarë vendimesh do të merren – sepse Grenellit i intereson një marrëveshje e shpejtë që do të shënohej si sukses i politikës së jashtme amerikane; Vuçiqit i intereson të nxjerrë edhe më shumë koncesione nga Kosova, kurse Thaçit i intereson fati i tij personal.

Në Amerikë Thaçit do t’i bashkohet kryeministri Avdullah Hoti. Nuk e di nëse do t’i marrë me vete tri këmishët sipas këshillave të Thaçit. Nuk e dimë as kush do të jenë anëtarët e delegacionit të Kosovës, që do të dalin në shëtitje kolektive deri në Amerikë, për ca mëditje dhe një shans për të dalë në foto te Shtëpia e Bardhë.

Problemi vazhdon të jetë i gjithhershmi, që nga koha kur Thaçi e ka shpallur veten negociator të vetëm të Kosovës. Ai thotë se Kushtetuta është e qartë, pra lë të nënkuptojë se ai duhet ta udhëheqë dialogun. E kur vjen puna te Kushtetuta jonë, asgjë nuk është e qartë, dhe kur ka dilema, paralelja e ndarë fizike e Kushtetueses së Moldavisë do t’i drejtohet shkollës amë, Moldavisë, për sqarime të llojit të dekretit (anti)kushtetues për emërimin e mandatarit të ri.

Nga ana tjetër, Hoti insiston se ai do ta udhëheqë dialogun – dhe për këtë e ka përgatitur një lloj platforme që thotë se ai do ta kryesojë delegacionin shtetëror që do të shkojë në Washington, ndërkohë që Thaçi do ta “kryesojë ekipin” dhe do të detyrohet të raportojë rregullisht në Kuvend.

Krejt kësaj duhet shtuar se ekziston një aktgjykim i Kushtetueses që thotë se bartëse e negociatave duhet të jetë Qeveria dhe se kjo nuk është prerogativë e kryetarit të shtetit.

Porse, do të ishte iluzore të besohej se Hoti mund ta anashkalonte apo ta mënjanonte Thaçin nga ky proces, kur dihet qartë se Thaçi e bëri kryeministër. Për pasojë ai do të mund ta shkarkonte kur të donte. Siç edhe do ta bëjë posa kjo Qeveri t’i përmbushë disa nga caqet që i ka përcaktuar Thaçi.

Evropa e vonuar

Nisma e Grenellit i zuri të gjithë të papërgatitur. Në rend të parë Evropën e ngathët dhe të ngadalshme, që qe 10 vjet na ka lodhur me një proces negociatash që nuk na çuan askund pos tek autonomia politike-territoriale e serbëve në Kosovë. Natyrisht, me aminin e kryenegociatorit që e ka nënshkruar marrëveshjen “historike”, të cilën më pas deputetët injorantë e votuan në Kuvend dhe e legalizuan. E si kapak, erdhi marrëveshja plotësuese për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, nënshkruar nga Isa Mustafa, e cila më pas u shpall kundërkushtetuese.

Por Kosova, e njohur si shtet që nuk çan kokën për Kushtetutën, për shkak se tashmë kjo është bërë shoshë, dhe është në zgrip që të copëtohet fare për shkak të vrimave që ia shkaktojnë gjykatësit politikë në Kushtetuese, nuk do të çajë kokën as për këtë. Hiç nuk do të befasohemi nëse pas Washingtonit do të nisë zbatimi i marrëveshjes së dytë, asaj kundërkushtetuese, dhe nëse në vendet kyç të administratës dhe policisë në veri do të emërohen vetëm serbët, në emër të diskriminimit të pastër etnik, të cilin e ka përligjur Thaçi. Se ndryshe nuk ka si të arsyetohej emërimi i Goran Rakiqit për zëvendëskryeministër të qeverisë së shtetit të cilin ende nuk e njeh si të vetin.

Ambicia e sëmurë për pushtet dhe para sjell situata të këtilla – LDK-ja ka dëshmuar në formën më të prekshme të mundshme se si mund të ndryshohen edhe premtimet, edhe parimet për më pak se gjashtë muaj. E dëshmoi se si bëhet që të kalohet në një tabor në tjetrin, me premtimin e vetëm që të sigurohet posti i kryeministrit, pavarësisht se këtë nuk do ta lërë me marrë frymë kryetari i shtetit, dhe të rikthehet posti i ministrit të Brendshëm – te sektori ku nuk duhet prekur asgjë, sepse ka shumëçka për të fshehur.

Sidoqoftë, Lajçaku erdhi, pasi që Tirana zyrtare ia luajti lojën një ditë më herët, kur nuk lejoi që aeroplani në të cilin duhej të udhëtonte edhe me 100 të tjerë, të aterronte në Tiranë. Pavarësisht se aeroplanët e kompanive të tjera tashmë kishin aterruar dhe ishin nisur nga Rinasi gjatë ditës, pa asnjë problem.

Kështu iu bë me dije Lajçakut se nuk e gëzon simpatinë e Thaçit, i cili megjithatë shmangu një skandal të madh diplomatik, kur vendosi të takohej me të. Lajçaku më pas u takua me shumë të tjerë, dhe u nis prej Prishtinës me deklaratën se Kosovës është dashur t’i miratohej liberalizimi i vizave moti (shumë bajat janë bërë të gjithë me këtë temë) dhe se duhet vazhduar negociatat me lehtësimin e Evropës që nga mesi i korrikut. Tash pas Washingtonit një delegacion i mundshëm “kinez” i Kosovës do të shkojë edhe në Paris. Ani nashtë, vera franceze është shumë e famshme për cilësi.

Ky lëmsh negociatash është faji yni ekskluzivisht. Iu futëm bisedave te Ashtoni pa asnjë përgatitje të vetme; pa asnjë parim; pa asnjë kërkesë. Pallavrat për “njohjen e ndërsjellë dhe ulësen e Kosovës në OKB” nuk do të ndodhin më 27 qershor – sepse ulësja në OKB nuk varet nga Serbia, kurse njohja e ndërsjellë nuk do të ndodhë pa e humbur ne edhe një copë aseti në veri – aty ku është pasuria minerare.

* * *

Hoti është takuar me krejt partitë minus me opozitën që nuk e përkrah. PDK-ja për shkak se e luan rolin e opozitarit, kurse VV-ja për shkak të hakmarrjes. Pas takimit me ta tha të ishte i kënaqur me përkrahjen. Porse e ka përkrahjen e pakicës shqiptare në Kuvend, për pasojë nuk ka shans për të arritur konsensus. Madje nuk e besoj se e ka idenë e qartë se çfarë do të bëjë me dialogun, përderisa platforma e tij i parasheh dy udhëheqës të këtij dialogu që në fund do të dalë i pakokë.

U mësuam më. Të shohim se çfarë risish, nëse do të ketë të tilla, do të na sjellë shou i javës që vjen.

Share: