Ramadan Sokoli është studiuesi i etnomuzikologjisë dhe i etnoorganologjisë, kompozitor, profesor.
Lindi në Shkodër në qershor të vitit 1920, ku kreu dhe gjimnazin e shtetit. Ndoqi studimet e larta për flaut e kompozicion në Firence. Në v. 1946–1953 punoi në detyra të ndryshme në fushën e kulturës e të muzikës; prej v. 1953 pedagog në LA “Jordan Misja” , ku themeloi klasën e flautit, klasën e folklorit dhe kabinetin e instrumenteve popullore, që u bënë bazat e etnomuzikologjisë shqiptare. Kreu shumë ekspedita dhe mblodhi material të pasur burimor folklorik. Në v. 1957 mori pjesë në ekspeditën komplekse me studiuesit gjermanë Doris e Errik Shtokman dhe Vilfrid Fidler; në v. 1958 drejtoi ekspeditën shqiptaro-rumune. R.S. ka botuar një varg veprash nga fusha e etnomuzikologjisë dhe muzikologjisë, si: “Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, 1958 (“Vallet popullore dhe instrumentet muzikore të popullit shqiptar”); “Albanskie narodnie pesni” 1965, “Chansons populaires albanaises”, 1966 (“Këngët popullore Shqiptare”); “Figura të ndritura. Jan Kukuzeli dhe Andrea Aleksi”, 1965; “Folklori muzikor shqiptar (Morfologjia)”, 1965; “Metodë për fyell” (1970); “Vallet dhe muzika e të parëve tanë” (1971); “Folklori muzikor shqiptar (Organografia)”, 1975 (ribotuar 1984, 1987, 1991); “Figura e Skënderbeut në muzikë” (1978); “Gjurmime folklorike” (1982); “Këngë patriotike” (1985); “Veglat muzikore të popullit shqiptar” (bashkautor) (1991). Ramadan Sokoli ka gjurmuar figurat e artit e të kulturës shqiptare në shekuj dhe ka botuar librat “16 shekuj” (1995), “Gojëdhanat e botës shqiptare” (2000). Me nismën e vet kreu hulumtime muzikologjike tek Arbëreshët e Pulias, prej nga hartoi edhe veprën personalitetin e shek XVI, “Gjergj Danush Lapacaja” (2000).
Ka botuar rregullisht artikuj nga fushat e tij të studimeve muzikore dhe nga fusha të tjera të artit e të kulturës kombëtare. Ramadan Sokoli ka kompozuar vepra muzikore vokale-instrumentale e simfonike, e sidomos mjaft këngë që janë bërë popullore, si: “Turtulleshë”, “Blegëron delja”, “Zanusha”, “Rritu mollëzo” etj. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”; ka marrë çmimin “Oskari Botëror i Folklorit” nga IUFA (International Union of Folklore Associations).
/Redaktori.net- Marrë nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar