“By-Pass”-i Fierit dhe i ekonomisë

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

“By-Pass” është një togfjalësh në gjuhën angleze, që ka hyrë dendur edhe në gjuhën tonë dhe nënkupton kalim. Përdoret po aq shpesh edhe në mjekësi për lehtësimin e arterieve ose venave që furnizojnë zemrën, ose ku ato këputen, për kapjen dhe rifutjen e tyre në punë me tuba artificialë. Dje kryeministri dhe ministrja jonë e Transportit dhe Energjitikës përuruan korsinë e dytë të Kalimit të Fierit dhe me të, të autostradës që të çon drejtpërsëdrejti në autostradën më të gjerë që kemi, atë Levan-Vlorë, pa kaluar në Fier. Me gjithë vonesat skandaloze dhe premtimet e pambajtura (shtatë të tilla në pesë vitet e fundit: “By-pass”-i ka nisur të premtohet që në maj 2014), korsia e dytë në autostradën “Kalimi i Fierit-Autostrada Levan-Vlorë” do të thotë shumë. Përbën një ogur shumë të mirë për sezonin turistik veror të këtij viti. Polonia tri ditë më parë hapi kufijtë për qytetarët e vet që të udhëtonin jashtë vendit dhe një pjesë po mendojnë të vijnë në Shqipëri (sikurse kanë bërë këto 7-8 vitet e fundit), si një destinacion pak i prekur nga koronavirusi. Po ashtu edhe çekët. Zoti u dhëntë kurajë në këtë si polakëve dhe çekëve! Disa turistë bjellorusë (Bjellorusia është ndër vendet e pakta në botë të pambyllura nga koronavirusi, njëlloj si Suedia) që, si dallëndyshet e para, provuan detin e Vlorës fundjavës së kaluar, u shprehën se në Shqipëri ndjeheshin më të sigurtë se në vendin e tyre. Problemi qëndron me gjermanët dhe sa garanci ju ofrojmë për një bregdet të siguruar dhe mbrojtur nga infeksioni më i rëndë i njohur nga njerëzimi, pas Gripit Spanjoll në vitin 1918. Strukturat tona qeveritare duhet të lëvizin për të dhënë ato garanci që ato mundin, për t’i bërë të interesuara sërish kompanitë gjigante të sjelljes së organizuar të gjermanëve në destinacionet turistike në botë, si “TUI”, etj. Të mos flenë! Ndërkohë, të gjitha apartamentet me qira në zonën e Gjirit të Lalzit dhe në plazhet e tjera afër Tiranës janë pronotuar deri në fund të gushtit. Kjo tregon se ato 20-30 mijë familje të kryeqytetit me të ardhura mesatare që çdo vit provonin plazhet e Greqisë, Turqisë, Malit të Zi dhe disa syresh edhe të Kroacisë po planifikojnë dhe kanë vendosur të udhëtojnë vetëm pak kilometra brenda vendit për pushimet e tyre. Edhe ky është një ogur tjetër i mirë për industrinë, që na jep një të katërtën e prodhimit kombëtar, së bashku me atë të transportit dhe të agro-përpunimit për turistët. Me turistët tanë jashtë vendit (një veprimtari e natyrshme për ata mes nesh që kishin kursyer mjaftueshëm ose fitonin mjaftueshëm) që na largonin 450-500 milionë euro në vit nga ekonomia jonë, sigurisht, nuk do të kemi këtë vit 2.8 miliardë euro xhiro si patëm nga 6.4 milionë vizitorët dhe shqiptarët e Shqipërisë që pushuan  në brigjet tona vjet. Por, ama nja 1.5 miliardë edhe mund t’i bëjmë, me korrik-gushtin e ringjallur për pushime. Që tani kosovarët kanë nisur të udhëtojnë sërish lirisht në jugun tonë. Rruga e Kombit ka rifituar një trafik sa 40 për qind të trafikut të qershorit 2019 dhe kjo përbën prapë një shenjë premtuese për turizmin tonë. Me këto shenja e të dhëna na ngelet të shpresojmë për muajt korrik-shtator 2020 si muaj të mirë për industrinë tonë numër një, për “By-Pass”-in e vërtetë nga “ataku” kardiak i koronavirusit për ekonominë tonë. Mes frikës së rasteve të shtuara të infektimit, të regjistruara natyrshëm nga hapja e ekonomisë, njëlloj si në të gjitha vendet e tjera të botës, na ngelet të shpresojmë që vija jonë bregdetare nuk do të ketë shpërthim rastesh me COVID-19. Do të ishte një goditje mizore për xhepat tanë dhe mbarë ekonominë, pas tërmetit dhe pandemisë që përjetuam.

Share: