Hije të rënda skandali edhe në koncesionin 75 mln € të laboratorëve

Aktualitet Ekonomi Kronikë Kryesore

Koncesioni i laboratorëve spitalorë vishet me hije të rënda skandali. Korporata financiare ndërkombëtare zbulon se një nga tre kompanitë e konsorciumit, që fitoi koncesionin 75 milionë euro kishte probleme integriteti dhe kjo ishte arsyeja se pse firmosja e kontratës u shty për gati dy vjet.

“Pas rekomandimeve të IFC-së për të zgjidhur çështjet e integritetit të identifikuara tek një prej kompanive fituese, qeveria hezitoi të nënshkruante kontratën”

Tenderi për koncesionin e laboratorëve u zhvillua në prill të vitit 2017 dhe fitues u shpall një konsorcium i përbërë nga tre kompani, shqiptarja “Labopharma”, francezja “Exalab” dhe një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me emrin “AB Laboratory Solutions”.

Top Channel e pyeti zyrtarisht IFC-në se cila nga kompanitë u identifikua me probleme integriteti dhe për çfarë bëhej fjalë konkretisht. Por korporata, e cila është pjesë e grupit të bankës botërore, vetëm konfirmoi skandalin duke mos pranuar të japë përgjigje të hollësishme.

“Gatë procesit IFC ngriti shqetësime për integritetin e një prej fituesve, të cilat u adresuan nga Ministria e Shëndetësisë. Roli këshillues i IFC për koncesionin e laboratorëve ka përfunduar në dhjetor 2017.

Për shkak të skandalit, për dy vite rresht Ministria e shëndetësisë hezitoi ta nënshkruante koncesionin e laboratorëve duke mos dhënë asnjë shpjegim në publik. Madje deri në minutën e fundit, IFC dhe Banka Botërore prisnin që qeveria ta anulonte koncesionin. Por dy muaj më parë, Ogerta Manastirliu e ka firmosur kontratën dhe shumë shpejt pritet ta dërgojë për miratim në qeveri. Vetë ministria e shëndetësisë nuk ka pranuar të prononcohet për këtë çështje edhe pse është pyetur disa herë.

Jo zyrtarisht Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për probleme pronësie, pra në kompanitë fituese të koncesionit rezulton të kenë patur aksione njerëz me konflikt të drejtpërdrejtë interesi. Por heshtja e ministrisë dhe madje edhe IFC-së hedhin hije të forta dyshimi se pas koncesionit që do u marrë qytetarëve shqiptarë 75 milionë euro, qëndron një skandal korruptiv, ndoshta me përfshirje të drejtpërdrejtë zyrtarësh të lartë.

Share: