Nga Preç Zogaj
Zgjedhorja është reforma me inflacionin më të lartë në Shqipëri. Ajo riciklohet rregullisht si e tillë prej gati tre dekadash, zgjedhje pas zgjedhjesh, në bazë të një skede të pandryshueshme: manipulim i zgjedhjeve të radhës- paketë rekomandimesh nga OSBE- reformë bipartizane-zgjedhje të manipuluara përsëri. Dhe kështu pa mbarim, nja tetë a nëntë “reforma zgjedhore” radhazi në një spirale rregullimesh që nuk mbarojnë kurrë.
Nuk ka në botë ma merr mendja një Kod Zgjedhor që të ketë pësuar kaq shumë ndërhyrje dhe arnime. Në këtë zinxhir eksperimentesh është kuptuar qartë se prishja e zgjedhjeve në Shqipëri shumë pak ka të bëjë me ligjin. Ka të bëjë para së gjithash me njerëzit. Kjo prishje, në thelb, vjen si produkti fundor i një sistemi shumë partiak të mbyllur ku konkurrenca dhe sundimi i ligjit janë shndërruar në parulla.
Nga kjo pikëpamje, qytetarët shqiptarë nuk se kanë pritur e presin ndonjë gjë të madhe nga reforma e re zgjedhore. Kjo nuk do të thotë që ajo të mos qëllojë njëherë në shenjë, apo të mos marrë një rendësi të shtuar në një kontekst politik siç është ky i sotmi. Reforma zgjedhore kësaj radhe, përveçse si një mundësi për përmirësime, është parë nga partnerët amerikanë dhe europianë edhe si një letër lakmusi për riafrimin e palëve rreth rregullave të lojës dhe kthimin e konfrontimit politik në hullinë e një dialektike demokratike. Prej këtu edhe vendosja e kësaj reforme nga BE si kusht për të avancuar me hapjen e negociatave për anëtarësim.
Të gjitha këto dalin e teprojnë për ta vlerësuar. Ndaj mendoj se shumica e shqiptarëve kanë sot një falënderim të madh për ambasadoren e SHBA, zonjën Yuri Kim, për ambasadorin e BE-së, zotin Luigi Soreca, për ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, zotin Norman Duncan dhe për të gjithë miqtë e partnerët e huaj që po kontribuojnë për këtë reformë.
Pa përfshirjen dhe vendosmërinë e tyre nuk do të kishim marrëveshje. Me durim dhe në frymën e konstruktivitetit të treguar, u gjend zgjidhja edhe për garancitë që kërkonte opozita për administrimin e votave. E gjithë kjo në ruajtje të bashkëpunimit dhe sintonisë me SHBA dhe BE që për opozitën janë jetike.
Diskutohet gjithnjë në Shqipëri për rolin e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të SHBA dhe ambasadës amerikane në politikën shqiptare. Gjëja me e lehtë në këtë diskutim, për aq sa bëhet, është referimi i sovranizmit që duhet të kenë partitë dhe aktorët politikë vendas për t’i zgjidhur me njëri tjetrin problemet. Kush nuk do të donte të ndodhte kështu, kam bindjen se vetë partnerët amerikanë dhe europianë këtë duan. Po tjetër janë dëshirat dhe tjetër realiteti. Historia jonë tregon qartë se pa SHBA dhe Europën gjërat në Shqipëri kanë shkuar keq dhe do të kishin shkuar sot e kësaj dite shumë më keq. Lista e ndërhyrjeve vendimtare nga ana e tyre gjatë tre dekadave të fundit për të mbajtur vendin tonë në kursin e demokracisë, deri në shmangie të konfrontimeve me nxitje armiqësore, është shumë e gjatë.
Angazhimi i tyre për reformën zgjedhore këto ditë ka disa specifika. Ajo shënon precedentin e zhvendosjes në “tokën amerikane” të takimeve të formatit shumëpalësh si ky i Këshillit Politik. Nuk është thelbësore të mësohet nëse këtë e kërkoi një palë apo një tjetër. Fantazia këtu mund të fluturojë nga të dojë dhe si të dojë. Rëndësi kanë faktet. Dhe fakti është se marrëveshja në dukje rutinore për reformën zgjedhore nxori në pah protagonizmin e dy vendeve që nuk janë pjesë e BE-së (madje Britania e Madhe sapo ka dalë nga BE). Do të thotë se rëndësia e marrëveshjes kësaj radhe sheh më larg dhe përbën një zhvillim domethënës në shërbim të stabilitetit të qëndrueshëm e afatgjatë në Shqipëri e rajon. Në këtë kontekst, mua më duket se investimi ndërkombëtar për këtë marrëveshje drejtohej kundër “marrëveshjes” së shfaqur në format karakteristike shqiptare për të mos e bërë atë.
Ky investim pa precedent dëshmon gjithashtu ngritjen në një nivel të ri të angazhimit dhe “përfshirjes” anglo-amerikane dhe europiane në të ashtuquajturat punë të brendshme të Shqipërisë. Ky është një lajm i mirë për ne. Po të bëhej një referendum në Shqipëri, kam një bindje të mbështetur në shumë testime të tjera të përafërta se shumica absolute e qytetarëve shqiptarë do të votonin në favor të rolit aktiv të SHBA-së dhe vendeve europiane mike në Shqipëri. Me kujtesë, me zgjuarsi, me arsye, por edhe në mënyrë empirike shqiptarët e dinë se roli i aktiv i miqve perëndimorë në Tiranë nuk bie ndesh me vetëvendosjen e tyre. Vetëvendosja jonë si parim dhe si praktikë e kërkon, e përfshin, e nënkupton bashkëpunimin e ngushtë me SHBA, BE, Anglinë. Vetëvendosja jonë është anglo-amerikane dhe europiane. Kjo është lidhja organike mes asaj që duam dhe asaj se me kë dhe si mund ti realizojmë aspiratat tona demokratike dhe kombëtare. Falë kësaj lidhjeje, Kosova është sot e lirë dhe pavarur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Shqipëria është bërë pjesë pjesë e NATO-s dhe po kërkon të sfidojë përmes drejtësisë së re me bashkautorësi amerikane dhe europiane gangrenën e pa ndëshkueshmërisë në sferat e larta.
Përpjekjet për ta shkëputur vetëvendosjen tonë nga simbioza me euro-atlantizmin, qoftë nga kuptimi libresk i saj, qoftë nga naiviteti, qoftë për shkak të frymëzimeve politike-ideologjike antidemokratike dhe antiperendimore, qoftë si një mënyrë për mbajtjen e pushtetit me çdo çmim, kanë prodhuar vetëm fatkeqësi për vendin tonë. Këto përpjekje kanë mbajtur gjallë mosmarrëveshjen e mallkuar, për të cilën ka shkruar gjerë e gjatë shkrimtari ynë i shkuar Ismail Kadare në esenë homonime “Mosmarrëveshja”, ku Shqipëria del se ka qenë jo pak herë “siç e do armiku”, siç thoshte poeti kombëtar Gjergj Fishta.
E reja, e mira, fatlumja në kohën që jetojmë është se falë rolit aktiv të SHBA dhe mbështetjes së gjerë popullore që ka euro-atlantizmi në Shqipëri dhe Kosovë këto përpjekje janë pa të nesërme dhe kanë një fat: të dështojnë./Gazeta Liberale