Nga Arbria e Motit të Madh në Shqipërinë e moteve të reja, vizioni për atdheun në vargjet e Arbëreshëve

Kulturë Libri

Figura të kulturës të diasporës shqiptare

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Në afreskun e gjerë e të larmishëm të poezisë arbëreshe, imazhi i Shqipërisë ka zënë gjithmonë një vend qendror. Ky është vizioni i atdheut, të cilin arbëreshët e ikur e morën me vete në dhe të huaj dhe e ruajtën, jo vetëm në kujtesën historike, po e pasqyruan dhe në letërsinë e tyre. Nga kjo pikëpamje, folklori u bë shprehja më autentike e prejardhjes së bashkësisë arbëreshe.

Prof. Nasho Jorgaqi

Në poezinë popullore arbëreshe, atdheu stërgjyshor njihet me emrin Arbëri, ashtu siç thirrej në kohën kur arbëreshët morën rrugët e mërgimit. Arbëria mbeti për ta ngaherë vendi tek lind dielli, trojet e përjetshme të të parëve, atdheu i Skënderbeut, më i bukur vis i dheut. Ky vizion poetik i Arbërisë, duke qëndruar në kufijtë e historisë e të legjendës, do të shtegtojë nëpër kohë. Atë do të përcjellin nga një brez në tjetrin këngët e baladat, ritet dhe zakonet. Kështu, folklori ndihmoi drejtpërdrejt në qëndresën arbëreshe.

Mbi traditën e lashtë popullore, që kish në themel imazhin e atdheut të të parëve, u ngrit letërsia e kultivuar arbëreshe. Në spektrin e këtij imazhi të fuqishëm hodhi shtat pastaj poezia madhore e Rilindjes, e cila brendinë e saj e lidhi me historinë dhe kujtimet e lashta të Arbërisë. Në Arbëri poetët kërkonin ngjarjet dhe konfliktet, nxorën heronjtë e tyre. Por vizioni i saj, i krijuar nga De Rada, Santori e Serembe ishte kryesisht fryt i imagjinatës dhe intuitës artistike. Asnjëri prej tyre nuk mundi ta shohë nga afër atdheun e origjinës. Prandaj, ata dhanë një Arbëri të imagjinuar, duke ecur në vazhdën e traditës popullore. Dhanë Arbërinë e Motit të Madh, figurën zotëruese të Skënderbeut, atmosferën e shoqërisë feudale të kohës. Dhe të gjitha këto, nëpërmjet një vizioni të përgjithshëm, me ngjyrime idilike e idealizuese, me tipare konvencionale. Këtë koncept pasqyrimi e përcaktonte dhe vetë metoda e romantizmit, me të cilën krijuan poetët arbëreshë të Rilindjes. Kështu Arbëria u ngushtua e u identifikua kryesisht me epokën e Motit të Madh.

Mirëpo, me kohë, u ndie nevoja e kapërcimit të këtyre kufijve të ngushtë, në mënyrë që letërsia ta jepte në mënyrë më reale imazhin e atdheut. Afrimi në kohë ishte dhe afrim në hapësirë. Jehona e luftës çlirimtare në Shqipëri shtronte para poetëve arbëreshë që, pa harruar historinë, ta drejtonin vëmendjen nga aktualiteti bashkëkohor.

Zef Serembe

Zef Serembe është i pari që e bëri këtë. E la Arbrinë e Motit të Madh dhe iu kthye Shqipërisë së moteve të reja. Konceptimi romantik ia la vendin një përfytyrimi poetik më afër së vërtetës. Megjithëse mungon imazhi real dhe njohja e drejtpërdrejt e atdheut, prapë ndihet koha, shqetësimet e ditës. Poeti e afron Shqipërinë sa asnjëherë, e sjell prapa detit, për t’u rikujtuar bashkatdhetarëve të tij se ajo, jo vetëm nuk është zhdukur, por qëndron e lufton si ngaherë.

Në këtë rrugë të re u përpoq të ecë më pas poezia e fundit e shekullit dhe ajo në mes dy luftërave. Kryengritjet e fuqishme në Shqipëri, shpallja e Pavarësisë, rreziqet e vazhdueshme që i kanoseshin vendit e bënë më konkret e më të afërt për arbëreshët atdheun e origjinës. Kjo ndikoi dhe u pasqyrua dhe në poezinë e tyre, si te A.Ribeko, K.Serembe, F.Krispi, Gllaviano, T.Guidera, S.Braile, Kadikamo, O.Kapareli etj, e veçanërisht në krijimtarinë e Zef Skiroit. Në disa vepra gjejnë jehonë ngjarje e figura të ditës, u ndie tërthorazi gjendja e Shqipërisë. Por s’mund të themi se u arrit të jepet fizionomia dhe relievi i atdheut stërgjyshor.

Zef Skiroi

Rrethanat e vështira të kohës, jo vetëm i mbajtën larg arbëreshët nga Shqipëria, por krijuan dhe situata të ndërlikuara. Politika antishqiptare e disa rretheve të borgjezisë italiane, demagogjia dhe manovrat djallëzore të fashizmit përftuan një klimë të ftohtë, për të mos thënë mbytëse dhe për letërsinë arbëreshe. Për dekada të tjera ajo do të bjerë në fashë dhe sado që bashkësia arbëreshe do të shqetësohej për fatin e Shqipërisë, zëri i poetëve do t’i humbiste tonet madhore. Por kjo ishte çështje kohe, sepse burimet e letërsisë arbëreshe nuk do të shteren e, për më tepër, imazhi i atdheut nuk do të humbasë asnjëherë.

E munduar dhe e ligur, letërsia arbëreshe do t’i afrohet gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë me forca krijuese të pakta dhe pa ndonjë lëvizje të vërtetë letrare. Vendin e saj do ta zinte rishtazi folklori, si ngaherë do të vazhdonin të këndonin bardët e katundeve. Muza e poetëve, e goditur rëndë nga fashizmi dhe lufta imperialiste, nuk do të ndihej për vite me radhë. Bashkësisë arbëreshe i duhej të përballonte, veç të tjerash probleme jetike në viset e prapambetura të Italisë së Jugut e të Siçilisë.

Objektivisht kish nisur një periudhë e re në rrethanat e pasluftës. Por letërsisë arbëreshe iu deshën afro tri dekada që të mblidhte forcat, të dilte në jetën shoqërore dhe të luante rolin që i takonte. Shprehja e saj kryesore do të ishte përsëri poezia, një poezi me identitet të qartë e të përcaktuar, bazë e së cilës do të mbetej imazhi i Shqipërisë, atdheu i lashtë, kjo duket që në përmbledhjen e parë poetike të letërsisë arbëreshe të pasluftës, në “Burbuqet e egra” (1946) të Dushko Vetmosa. Ajo hapej me vjershën “Atdheu”, ku përmes një apostrofi të fuqishëm, drejtuar Shqipërisë dhe me tone solemne shpërtheu idea se nga ekzistenca e saj merr kuptim jeta dhe lind qëllimi i madh për çdo arbëresh.

Fjalët e poetit tingëllojnë si një betim kur thotë:

“Për ty na, o mëmë, jetën po dhurojmë,

Për ty te lufta nder, lule, madhëri,

kërkojmë, o mëmë e dashur Shqipëri,

E prapë për ty çdo ditë na rrojmë.”

Evokimi i atdheut të lashtë kthehet në një kredo, jo vetëm për krijimtarinë e poetit, por për mbarë poezinë arbëreshe që nis rishtaz jetën e saj në rrethana të reja historike e shoqërore. Këtë vazhdë do të ndjekë krijimtaria më e mirë e poetëve arbëreshë që vijnë më pas. Imazhi i Shqipërisë do të mbetet gjithnjë i pranishëm.

Te poetët e brezit të parë të pasluftës, si Dushko Vetmo, Lluka Perone etj, ky imazh do të përtërihet me frymën dhe traditën e poezisë së Rilindjes, po njëkohësisht, do të gjallërohet, kthjellohet nga këndvështrime të reja. Përsëri është ndjenja e fuqishme e atdhedashurisë, që përfton vizionin Shqipërisë, është malli i fortë dhe dëshira e zjarrtë për të kërkuar rrënjët, krenaria e prejardhjes dhe emocionet e gjuhës amtare, të cilat do të bëjnë të ndihet në poezinë arbëreshe figura atdheut të lashtë. Një figurë kjo kryesisht simbolike, ku mungon përvijimi konkret dhe vendin e tij e zënë dhe të sotme. Tipike për këtë është poezia e Lluka Perones. Ai përfaqëson ata poetë arbëreshë që shkruan për Shqipërinë pa e njohur atë drejtpërdrejt. Përfytyrimin e saj, ata e nxorrën nga kujtesa legjendare e popullit, nga vizionet tradicionale arbëreshe. Ajo përfytyrohet si një mëmë e lashtë, që s’i ka harruar asnjëherë bijtë e mërguar dhe, këtë të fundit, megjithëse nuk e kanë parë, ndjejnë thellë dhe e mbajnë përherë në zemër. Këto gjendje shpirtërore rreh të na japë në poezinë e tij Perone. Arbëria në përfytyrimin e frymëzuar të poetit merr variacione nga më të bukurat; herë paraqitet si një dru i lashtë që kurrë s’u tha e mbetet përherë i blertë, herë si një vend me diell, me vasha e trima, me lule e zogj, si toka ku rri i gjallë kujtimi i pamort i Skënderbeut. Malli i poetit është aq i fortë sa, kur i mbërthen sytë nga deti, i krijohen mirazhe poetike;

“një burbuqe e kaltër u çel

në horizontin ka Arbëria”

(“Moj mëma Arbëri”)

Megjithëse, në përgjithësi, te Perone atdheu i të parëve vijon të jepet në një tis idilik, me nota malli e me thekse trishtimi, gjithnjë në largësi, prapë, në vjershat më të mira, ndihet se Shqipëria e sotme ndryshon nga ajo e djeshmja dhe hedh dritë e optimizëm në poezinë e tij.

Imazhi i Shqipërisë në poezitë arbëreshe do të vijë duke evoluar e ndryshuar. Në qoftë se atdheu stërgjyshor, për breza të tërë poetësh mbeti një dëshirë e paplotësuar dhe u pasqyrua në krijimtarinë e tyre me forcën e imagjinatës e të fantazisë, në këto dy dekadat e fundit gjendja ndryshoi. Takimet e poetëve arbëreshë me Shqipërinë realizuan njohjen konkrete, njohjen racionale dhe emocionale, dhe përftuan raporte të reja krijuese. Shqipëria u kthye nga një ëndërr në një të vërtetë të gjallë, nga një dëshirë në një mundësi të pakufishme përjetimi e frymëzimi, nga një përfytyrim i përgjithshëm në një realitet social-historik. Të gjitha këto s’kish si të mos sillnin nga disa pikëpamje një situatë të re në poezinë arbëreshe. Duke zgjuar frymëzimin disa prej poetëve të saj më të talentuar, duke u vënë emocionalisht përballë tokës së të parëve dhe realitetit shqiptar, krijuan një varg veprash poetike kushtuar Shqipërisë. U shkruan vjersha e këngë, cikle poetike deri dhe vëllime të posaçme me këtë temë. Le të përmendim Vorea Ujkon me librat “Këngë arbëreshe” e “Burimi” etj, Xhuzepe Skiro di Maxhion me “Përtej maleve, prapa kodrës”, Xhuzepe del Gaudion me “Zemër arbëreshe”, Xhuzepe di Modikën me “Segmenti” dhe “Përshtypje”, Karmen Kandrevën me “Shpirti i arbërit rron”, Paskal Renden me “Shtegu” apo krijime të veçanta të poetëve si F.Altimari, A.Xhordano, K.Cukara, A.Belush, V.Belmonto, M.Ferraro etj. Tërë kjo krijimtari e pasur, do të thoshim se përbën një udhëtim kolektiv të poezisë arbëreshe në atdheun e origjinës. Me këtë ngjarje merr fund një nga dilemat e kësaj letërsie shekullore, që ishte në kërkim të rrënjëve të veta. Sepse, siç thotë poeti Mario Beliçi:

“Rrënjët e jetës

në mos i gjej

si do të bëj

që unë rroj?

Si mund të rroj pa rrënjë?”

(“Kristla”)

Poetët arbëreshë që shkelën në Shqipëri vijnë nga vatra të ndryshme të diasporës së tyre, kanë formim e nivele të ndryshme, siç e kanë të ndryshme shkallën e njohjes e të përvojës, por kanë një emërues të përbashkët ideoemocional; dashurinë e sinqertë për Shqipërinë, etjen e pashuar për ta njohur e gëzuar nga afër, dëshirën e zjarrtë për t’u çmallur, kërkesën e brendshme për t’i kërkuar e për të hyrë në dialog me të. Takimi i drejtpërdrejtë me Shqipërinë, bën që imazhi i saj të mos jetë më çështje përfytyrimi, qasje ndenjësore, apostrofim i përgjithshëm, po kontakt ballor e njohje e gjithanshme me vendin dhe njerëzit. Kjo ka sjellë që atdheu të rroket në dimensione reale e të jepet portreti i tij i gjallë. Në konceptin dhe imazhin e poetëve të sotëm arbëreshë, Shqipëria përbën një realitet konkret, të shkrirë në hapësirë e në kohë. Ajo është tokë e rrënjëve të lashta dhe trualli i një historie të lavdishme, vatër por dhe si vend i lirë e i pavarur, simbol qëndrese. Për poetin arbëresh një atdhe i tillë s’është vetëm burim emocionesh e krenarie, po dhe kusht i domosdoshëm për ekzistencën burrërore të bashkësisë së tij etnike në dhe të huaj. Me këtë platformë patriotike, poezia arbëreshe nga një anë e ka konkretizuar e zgjeruar vizionin e saj mbi Shqipërinë, duke vendosur koordinata të reja në mes vetes dhe realitetit të atdheut e, nga ana tjetër, ka pasuruar tematikën dhe gamën e mendimeve të veta, ka sjellë emocione të fuqishme dhe këndvështrime të reja. Kjo ka bërë që ajo t’i shmanget shablloneve dhe skematizimit, retorikës poetike dhe himnizimeve të përgjithshme të jetës në tërësinë e vet një këngë origjinale, e sinqertë dhe e freskët. Poezia e sotme arbëreshe me temën e Shqipërisë është ngritur përgjithësisht mbi bazën e përshtypjeve, të emocioneve, të përjetimeve dhe situatave psikologjike. Në vështrim të parë, ajo është poezi e befasive të fuqishme, e ndjenjave të papërmbajtur, e gjendjeve shpirtërore tronditëse, e hutimeve të këndshme. Duke parë më thellë, kjo poezi varion në një kuadër më të gjerë, kur përfshin pjesë nga realiteti shqiptar, kur përvijon me ngjyra të gëzuara copëza jete dhe profile njerëzish. Ajo ngrihet dhe mbi ngjarje të kohës, pa harruar asnjëherë historinë e, në radhë të parë, Motin e Madh të Skënderbeut. Është në natyrën e kësaj poezie që, duke i kënduar Shqipërisë, ajo sjell përherë mesazhin e dashurisë e të mallit arbëresh për vëllezërit e një gjaku.

Poeti që kthehet në atdhe është intelektuali i kohës së vet, po edhe fshatari arbëresh me rrënjë shekullore, të cilat shkrihen në një kur është fjala për të kënduar e për të rrëfyer për Shqipërinë. Nga këto pozita, ai e trajton atdheun e të parëve dhe hyn në dialog me të, dialog ky sa i dhimbshëm aq dhe i gëzuar, që rrok një histori 500-vjeçare.

Poezia për Shqipërinë ka në thelb motivin e katundit, si një atdhe në miniaturë, shtrirë në kufijtë e gjuhës e të jetës zakonore, por që, duke iu drejtuar tani atdheut, rritet në përmasa të mëdha, fiton brendi të thellë e mundësi përgjithësimesh historike e shoqërore. Prej këtej kanë lindur dhe një varg motivesh, me të cilat poezia e sotme arbëreshe krijon dhe përcjell tek lexuesi imazhin e Shqipërisë.

Motivi më i përhapur është ai i emocioneve dhe mbresave të papërsëritshme që lë kontakti i parë me Shqipërinë. Dheu i Arbërit, nga një përfytyrim abstrakt, kthehet në një realitet konkret. Ndihet menjëherë kontrasti në mes dheut tonë e dheut të huaj. Kufiri bëhet real dhe përftohet qartë imazhi i Shqipërisë. Para kësaj situate, arbëreshi i tronditur ndihet fëmijë, një fëmijë që vjen te nëna pas qindra vjetësh largimi dhe s’di si t’i gëzohet këtij çasti sublim. “Biri lashtë kthehet te nëna gjithnjë e re,-thotë Di Maxhio,-ulet në prehrin e saj, lëkundet në djepin e shekujve, për këngët e kujtimeve dhe i sjell nënës karafilin e zemrës”. Për V.Ujkon ardhja në Shqipëri është kthimi i të birit shkapërdarë te vatra e vjetër. Ai ka ecur 500 vjet dhe më në fund e ka gjetur burimin, “dheun e lisave e të erërave”, ku ndihet “vëlla i fshatarëve e punëtorëve”, “Tashti,-thotë poeti,-kaloi ajo kohë, koha e pulëbardhave në det”. Në vend të pulëbardhave vijnë vet arbëreshët. Del Gaudios “tek shkel në tokën amtare, ndien se mallin e vjetër sot e ka plotësuar”, se “zemra i dridhet nga gazi” dhe “frymë merr lirisht”. Ai vjen si “lajmëtar i dashurisë”, i atyre që janë shpërndarë nëpër botë. Për Kandrevën, arbëreshi sapo zbret në Shqipëri, “merr një grusht dhe nga dheu i stërgjyshërve tanë, mbushur me gjak, me djersë, me lotë”. Kurse Di Modika, i tjetërsuar nga emocionet e forta thërret: “një mijë këngë të pakënduara…më kanë plasur në kraharor për ty, tokë e dashur”.

Poetët i drejtohen Shqipërisë me gjithë ç’kanë të shtrenjtë, e quajnë zakonisht mëmë, po dhe diell e vatër, truall i papërsëritshëm e i patjetërsueshëm, tokë e shenjtë, burim tek zë fill jeta dhe historia e tyre. Motivi i takimit të parë paraqitet me një gamë ndjenjash dhe variacionesh psikologjike, me vargje të çiltra e plot spontanitet. Gëzimi i takimit është i ndërsjelltë, i djalit për nënën dhe i nënës për të birin. Veçanërisht nënvizohet përtëritja shpirtërore që sjell kthimi në atdheun e lashtë. Vlerat e poezisë arbëreshe rriten po të kemi parasysh se ajo nuk ka mbetur në kufijtë e emocioneve dhe mbresave të para.  Poetët e saj më të mirë janë përpjekur të depërtojnë më thellë, të rrokin Shqipërinë në tërësi, të japin vizionin e saj. Në këtë vështrim, ky vizion i ngjan një mozaiku pamjesh, portretesh, vizatimesh, pikëzimesh poetike e kontrastesh. Shqipëria shfaqet para poetit arbëresh si një binom i pandarë i së shkuarës e së tashmes, vazhdim logjik i njëra-tjetrës. Kështu “e shkuara, e sotmja, e ardhmja, -thotë Ujko,-bashkohen me emrin e lavdisë”. (“ Çerdhja”) ose:

“Koloviten ullinjtë

Mbi heronjt’ e varrosur

E unë dëgjoj fanfarat e Shqipërisë së re”

(“Era e historisë”)

“nga toka tërë e lashtë

dolli vrulli tërë i ri”

(“Butrinti”)

Di Maxhio arrin të përtërijë në vargjet e veta një çast epik nga koha e Skënderbeut. Sheh zjarre të ndezura në kështjellat e luftës së heroit, në Krujë e në Lezhë, në Berat e në Petrelë, shkëlqejnë malet e Shqipërisë nga zjarret për të dhënë sihariqin se arbëreshi mbërriti në atdhe: “Mirë se ju gjeta! Ai që nuk u nda kurrë, u kthye!”-pohon poeti (“Udhëtimi i parë”). Tek përjeton Shqipërinë e sotme, Del Gaudios i vjen vetvetiu të evokojë të kaluarën dhe këto të dyja i bashkon në një kur thërret:

“O Shqipëri, se njëherë ti qe

Mbrojtëse e Evropës dhe lavdia,

kështu të shohë dhe sot”

(“O Shqipëri”)

Njohja nga afër me Shqipërinë, kontaktet me njerëzit, përjetimi i atmosferës së atdheut kanë zgjuar frymëzimin e poetëve arbëreshë dhe kanë krijuar poezi të ndjera. Këto janë copëza nga jeta shqiptare, profile të tokës së përtërirë, akuarele me ngjyrat e natyrës arbërore. Një vizion plot dritë, me tone të gëzuara i atdheut të rigjetur, është vendi ku, sipas V.Ujkos, “Nata iku nga krismat, nga  cilindrat e furrnaltave…nga varvashkat e ndezura prej njerëzve të lirisë…(“Nata iku”) Motivi i dritës përshkon poezinë dhe vetë shpirtin e poetëve kur është fjala për Shqipërinë. Tabloja e saj bëhet më e qartë dhe i afrohet më shumë syve të malluar të arbëreshëve sa herë vizatohen njerëzit e punës. Di Maxhio ndihet aq i lidhur me ta, sa e sheh veten në sytë e punëtorëve dhe të fshatarëve. Tek puna ndërtimtare poeti sheh “festën e Shqipërisë” dhe dëshirën të jetë punëtor në mes të punëtorëve të saj. I ngarkuar plot e përplot me emocione nga të gjithë sa përjeton në atdhe, ai thërret:

“shpatën e etërve më jep

që dhe unë

me të dy duar të të mbrojë,

sepse unë arbëresh

të dua të begatshme,

të lumtur të dua

midis kombeve krenare

e ne krenarë për ty,

mëmëdheu i lashtë”.

(“Udhëtimi i parë”)

Poeti arbëresh shëtit lirisht kodrave dhe fushave, afër detit e sipër maleve dhe mahnitet nga bukuritë shqiptare. Ai kupton se, “në këtë vend, bukuria më e madhe është populli, që di të luftojë, të punojë, të dashurojë si askush në botë” (Del Gaudio “E bukur je, Shqipëri”). Kurse K. Kandreva e vështron Shqipërinë si një vend “ku mbijnë lule lirie” dhe si kantier pune dhe ndihet krenar që është bir i saj:

“njerëz në lëvizje

plot përmendore lirie në lëvizje”

Poezia e sotme arbëreshe ngërthen çaste interesante meditimi, situata psikologjike domethënëse, gjendje shpirtërore që kanë zgjuar te poetët qëndrimi në Shqipëri. Mund të jenë këto gëzime e mallëngjime të përditshme, po dhe momente solemmne të papërsëritshme, përgjërime të thella, premtime e betime drejtuar atdheut të rigjetur. Tonet e kësaj poezie lëviznin në varësi nga rrethanat dhe impulset krijuese, gjithnjë me prirje për të afirmuar jetën dhe historinë shqiptare.

Kështu, Shqipëria i zgjon aq dashuri poetit sa ai ndihet i pafuqishëm ta marrë të gjithën me vete. Atij i dyfishohen shqisat kur mëmëdheu e mbështjell me frymën e tij dhe ai është i gëzuar që gjendet brenda tij. Herë të tjera, është aq i lumtur në mes shqiptarëve sa i vjen të ulërijë, por hesht: “Oh, sa ulërinte ajo heshtje plot mirazhe dashurie.” (Di Maxhio)

Poeti gdhend fytyrat e vëllezërve e i merr me vete dhe zemrën e lënduar e le në Shqipëri. (Di Modika)

Mjaft nga vjershat e Del Gaudios me këtë motiv tingëllojnë si rrëfime të çiltra, plot shpërthime ndjenjash e mendimesh. Ai nuk di të fshehë asgjë, e hap zemrën kat e kat dhe nuk druhet të pohojë se jetën ia ka kushtuar atdheut të lashtë. Si një lajtmotiv përsëritet nga një poezi në tjetrën mendimi: “Arbëri më e fortë më e zjarrta e më e forta dashuri!” Poetin e karakterizon vazhdimisht një ndjeshmëri e lartë.

S’është për t’u çuditur që te disa poetë arbëreshë kontaktet e gjalla me Shqipërinë krijojnë në raste të caktuara gjendje shpirtërore madhore. Kuptimplotë është betimi i tyre se janë gati të bëjnë dhe sakrificën më sublime për atdheun: “Për ty, Shqipëri, jap dhe jetën” (V.Ujko)” Dhe unë, biri yt për ty dua të vdes” (Del Gaudio), “Tani mund të vdisja që e pashë Arbërinë” (E.Matrangolo) etj.

Lidhjet e poetit me Shqipërinë e sotme nuk janë të karakterit romantik e aq më tepër ekzotike. Duke e njohur atdheun e rilindur nga afër, duke e përjetuar këtë realitet, ai e sheh me sy realist, entuziazmohet dhe krenohet me dinjitetin e Shqipërisë. Kjo është arsyeja që poeti i jep asaj fjalën se do t’i qëndrojë besnik, se do ta ruajë besën për ty, Shqipëri. (V.Ujko). Bile aq shumë ndihet i lidhur me atdheun e lashtë, sa e tundon dëshira që të mbetet këtu:

“që të rrënohen të gjitha urat

që të mos kish mundësi të kthehesh prapa

dhe që asnjë engjull

të mos më merrte mbi krah

e trenat, anijet, aeroplanët:

koha të kish vite vonesë”.

(V.Ujko “Këtu me ju”)

Ndërsa Di Maxhio ka për nder të bëhet punëtor për ndërtimin e Shqipërisë, Di Modika i premton atdheut se “Në mbrojtje arbëreshët i ke ushtarë”.

Te poetët e sotëm arbëreshë Shqipëria, disa herë, arrin të jepet përmes konceptesh politike të përparuara bashkëkohore. Kjo do të thotë që poezia e tyre frymëzohet jo vetëm nga motive patriotike, po dhe nga ideale të larta humane. Për ta, ky vend është sa atdheu i prejardhjes, aq edhe vendi i punës . (Di Modika, Di Maxhio, Rende, Kandreva, Matrangolo etj).

Është një fenomen i ri në poezinë arbëreshe të viteve ’70-’80 fakti që po trajtohen motive nga vetë jeta shqiptare, që janë tipike nga disa pikëpamje, ose të përafërta me ato të poezisë të sotme shqiptare.Nga kjo pikëpamje, motive më i përparuar është ai i dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, por nuk mungojnë, nga ana tjetër, dhe vjersha për heroizmin partizan, për punën ndërtimtare, për figura e ngjarje historike, parë nga koha e sotme etj. Kontributi i poetëve arbëreshë, në këtë rast, është trajtimi origjinal i këtyre motive, këndvështrimi vetiak, fryma e thellë lirike.

Imazhi i Shqipërisë në poezinë arbëreshe nuk do të dilte aq i qartë dhe komunikues, në qoftë se nuk do të jepej në gjuhën letrare bashkëkohore. Përpjekjet e poetëve më të talentuar në këtë drejtim janë plot fryte. Gjuha letrare i ka zgjeruar mundësitë shprehëse të poezisë, i ka rritur vlerat e saj stilistike dhe ka ndihmuar për një integrim të saj në rrjedhat e poezisë shqipe. Trajtimi i gjerë i temës shqiptare, e në radhë të parë, i imazhit të Shqipërisë, nuk e ka penguar zhvillimin e lirshëm të individualiteteve artistike në poezinë e sotme arbëreshe. Përkundrazi, një praktikë e tillë ka çelur horizonte të reja krijuese dhe hapësira tematike, ka sensibilizuar poezinë dhe ka sjellë freski mendimi dhe shprehjeje. Bilanci në këtë drejtim është mjaft domethënës. Në qoftë se poezia e V.Ujkos, në përgjithësi, karakterizohet nga nota dramatike për vetë pozitën dhe problemet shqetësuese të bashkësisë arbëreshe, poezitë për Shqipërinë janë të mbushura plot me optimizëm, ndihet risia shpirtërore që ka pësuar autori dhe qartësia e mendimit. Talenti i Di Maxhios, që, në tërësinë e vet, nuk mund të kuptohet pa ironinë dhe frymën sarkastike, në trajtimin e temës së Shqipërisë ka fituar cilësi të reja. Aty ai është bërë më lirik, më human e më i vetvetishëm. Në vend të tonit polemik e ironik kemi hove ndjenjash e mbresa të holla, qëndrime poetike afirmative. Shpirti i tij prej artisti sikur gjen një shtrat të ri krijues në të cilin ai mbetet si gjithnjë poeti i sintezës dhe ideve të guximshme.

Del Gaudio, duke e bërë Shqipërinë temë qendrore në poezinë e tij të viteve të fundit, e ka rritur më tej frymën e mendimit shoqëror e patriotik dhe i është shmangur notave të trishtimit dhe mbylljes në vetvete. Tradita e rapsodive arbëreshe, që ndihet aq shumë në poezinë e K. Kandrevës, me trajtimin e temës së Shqipërisë merr thekse të një poezie qytetare dhe shquhet për thjeshtësi e sinqeritet. Te Di Modika, poezia për atdheun e të parëve ka bërë të mundur gërshetimin e motiveve patriotike me ato shoqërore-politike dhe kjo ka lejuar të përcjellë mendime të avancuara të kohës.

Poezia arbëreshe me imazhin e Shqipërisë paraqitet kryesisht si poezi lirike dhe zakonisht në kuadrin e një lirike të shkurtër. Ndihen në to dhe nota e thekse epike, si jehonë e historisë dhe jetës së sotme shqiptare. Por, në përgjithësi, ajo është poezi e mbresave të forta, e shpërthimeve shpirtërore, e mendimeve të menjëhershme. Megjithëse na prezantohet në lloje të ndryshme, si lirikë patriotike-politike, meditative, tregimtare apo peizazhi, në tërësi, kjo poezi i ngjan një monologu lirik, ku poeti dhe heroi plotësojnë e përfaqësojnë njëri-tjetrin. Një rol të veçantë në këtë mes luan detaji, që zakonisht është i gjetur e i natyrshëm, i larmishëm e mbi të gjitha me ngarkesë të fortë ideoemocionale. Lirika arbëreshe me temën e atdheut karakterizohet nga një vështrim i detajuar dhe metaforik i realitetit shqiptar dhe kjo ka sjellë jo vetëm informacion të gjallë jetësor, po dhe perceptime të goditura figurative. Nga ana tjetër, lënda poetike është derdhur në trajta të hijshme e të freskëta. Për këtë kanë shërbyer vargu i lirë, sistemi i gjallë metrik, gërshetimi i traditës poetike me poezinë moderne, tonalitete origjinale, laryshia e ritmeve e shprehja konçize.

S’ka dyshim se me trajtimin e temës shqiptare, cilësive të njohura të poezisë arbëreshe i janë shtuar cilësi të reja ideo-artistike. Në radhë të parë, ato duhen vështruar në brendinë e saj. Nga kjo pikëpamje, mund të themi se imazhi i Shqipërisë ka përforcuar identitetin e poezisë arbëreshe, si shprehje e thelbit të bashkësisë etnike e njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja për të përcjellë në atdhe mesazhin e dashurisë, të besimit e të mallit të bijve të mërguar për tokën e të parëve.

Share: