“21 janari i Edi Ramës”

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Nëse ka një frazë fatale, që tingëllon si një krismë arme në mes të një koncerti, nëpër mitingjet e opozitës së sotme, është ajo që përfshin 21 janarin e vitit 2011. Kjo datë duhet hequr nga zhargoni zyrtar i PD dhe LSI, sepse përfaqëson ditën kur qeverisja e këtyre dy partive, la një gjurmë tragjike gjaku në kalendar. Kjo datë është kthyer zyrtarisht në standartin klasik të dhunës shtetërore, në etalonin e krimit në emër të mbajtjes së pushtetit, në precedentin klasik të daljes nga shinat dhe nga logjika të një qeverie të zgjedhur me votë.

Një protestues pati fatin e keq ta bëjë këtë lapsus frojdian të mërkurën, në prani të ish-ministrit të brendshëm të 21 janarit dhe të një dyzine ish-ministrash dhe deputetësh të qeverisjes së asaj kohe. Është krejt e kuptueshme që, në dëshirën për të gjetur një krahasim mjaftueshëm ekstrem dhe makabër për shembjen e Teatrit Kombëtar, personi në fjalë nuk gjeti diçka më të skajshme se vrasjet shtetërore të 21 janarit të nëntë vjetëve më parë. Por është gjithaq e dukshme se krahasimi në fjalë kërcet, për të mos thënë që ulëret, duke marrë parasysh vitrinën politike të protestës së djeshme.

Prej thuajse një dekade, 21 janari i vitit 2011 vijon të mbajë ndezur ndjenjat dhe debatet e dy palëve, që atë ditë u përballën tragjikisht në shesh. Një përballje që provokoi katër të vrarë, për të cilët është thënë e shkruar gjithçka. Fjalë në tym, por drejtësi hiç! Lule çdo vit në vendin ku janë vrarë protestuesit e 21 janarit, por asgjë më tepër. Ndërkohë që koha dhe harresa e lehtë që ne shqiptarët e kemi veçori dalluese gjenetike, ka bërë që sot përgjegjësit politikë të asaj tragjedie, ta mbushin plot gojën me sharje e mallkime kundër “diktaturës që po vret njerëz”! Ironi e shëmtuar e rradhës, asgjë për t’u çuditur.

Në një farë mënyre, ka realisht një 21 janar të Edi Ramës. Është ai i vërteti, i vitit 2011, por jo për arsyet banale për të cilat është akuzuar nga e djathta. Pra, sepse çoi protestuesit në atë vend fatal. Qindra herë këto 30 vjet liderët e cilësdo opozitë, i kanë çuar njerëzit në dyert e qeverisë për të protestuar, po s’i kanë marrë pas në arkivole. Atë ditë shteti vrau me gjak të ftohtë dhe nuk u dënua!

Rama duhet vënë përballë përgjegjësisë politike, për mosveprimin energjik të premtuar, ndaj krimit makabër të asaj dite, pasi erdhi në pushtet. Ky është 21 janari i vetëm i Edi Ramës.

Sa për 21 janarin “e dytë”, atë të para katër ditëve, përtej gjithçkaje të shëmtuar e tragjike që përmban shembja e një godine, që duhej të ishte lënë në këmbë për hir të historisë që përfaqëson, e gjitha kjo ngjarje është vetëm një parodi e zbehtë e asaj që ndodhi nëntë vjet më parë. Aq më tepër që ata që bërtasin për Teatrin sot në podiume partish dhe studio televizive, dje akuzonin të vrarët e 21 janarit, pse u ndodhën aty me duar në xhepa!

Le të jemi të qartë mesa ndodhi në 17 maj 2020, e më vonë. Episodet e dhunës që policia ushtroi, duke nisur nga sjellja e shëmtuar ndaj kolegut Alfred Lela, por edhe ndaj protestuesve të tjerë, duhet të hetohen dhe dënohen që të gjitha sipas masës. Pasi duke u bërë kjo, do të evitohen veç të tjerash edhe krahasimet naive të asaj që po shohim, me ditën tragjike kur katër trupa pa jetë u tërhoqën zvarrë nëpër bulevard të mbytur në gjak.

Është e shëndetshme për një demokraci që të rrijë zgjuar kundër dhunës e represionit shtetëror, të ngejë zërin dhe të kërkojë transparencë dhe zbatim ligji. Shembja e Teatrit Kombëtar meriton të trajtohet kështu, që nga vendimmarrja politike, e deri tek sjelljet policore. Por teksa bëjmë këtë, le të kthjellojmë mendjen dhe të vemë shpirtin në paqe, se nuk e kemi luksin e vogël që ta krahasojmë katrahurën e Teatrit, me 21 janarin e vitit 2011. Sepse ndërkohë që për të parën po bërtitet në kupë të qiellit për drejtësi, mbi ngjarjen e dytë ka zënë myshk prej vitesh guri i heshtjes dhe i manipulimit.

21 janari i vitit 2011 nuk duhet krahasuar me asgjë, sepse ka qenë dhe urojmë të mbetet unik. Thjesht një këshillë për ata që tundohen ta bëjnë këtë, asgjë më tepër…/javanews.al

Share: