Fati i frikshëm që sjell korona

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

Mbi hallet e një humoristi austriak, hallet e vërteta të industrisë së mishit në Gjermani dhe popët që gëzohen kur murgeshat infektohen.

1. Një garë me ski

Josef Hader është njëri prej humoristëve më të njohur austriakë. Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” ai ka filozofuar për situatën e krijuar pas shfaqjes së koronavirusit. Një vijim, një përmbledhje e mendimeve më gazmore dhe më të rëndësishme të Haderit, sepse në kohën kur pandemia dalëngadalë ha nervat edhe të budistëve të durueshëm, shpëtimin duhet kërkuar te – humoristët. Thotë Hader: Kancelari ynë (e ka fjalën për Sebastian Kurzin e Austrisë) ka komunikuar mbi pandeminë thua se ajo është një garë me ski, ku katër austriakë zënë tri vendet e para. Vazhdon Hader: Kancelari ynë, siç dihet, është një komunikues shumë i talentuar. Dhe manipulues. Nga njëra anë na ka lavdëruar se sa mirë po i respektojmë rregullat. Në anën tjetër na ka paralajmëruar se çfarë tmerri na pret nëse nuk respektojmë rregullat. Na ka trajtuar si fëmijë të paedukuar ose siç nuk duhet të trajtohen më fëmijët e paedukuar. Thotë Hader: Politikanët e caktuar duhet kritikuar. Por ta kritikosh shtetin me çdo kusht, pa marrë parasysh se çfarë bën – kjo do ta zhvendoste kritikën në nivel të tretjes së ushqimit. Tretja e ushqimit ndodh vetvetiu, pa argumente dhe në bark. Këtë s’duhet ta bëjë kritika. Mosbesimi parimor ndaj shtetit tonë nuk është gjë tjetër veçse mosbesim parimor ndaj demokracisë sonë, ndaj “sistemit”, siç kanë qejf të thonë njerëzit. Me këtë lloj kritike s’dua të kem punë. Vazhdon Hader: Besoj se padrejtësitë do të rriten. Infermieret, shitëset, të gjitha tani befas shihen si heroina. Por ato edhe më tutje do të paguhen keq. Sistemi ynë ekonomik i shpërblen spekulantët, të cilët fitojnë miliona me disa klikime, shumë më tepër se njerëzit që kujdesen për pleqtë. Kjo është çmenduri. Edhe po e shikuam ekonomikisht. Bixhozi nuk ka të bëjë asgjë me ekonominë reale, për askënd nuk është i mirë, përveçse për bixhozçinjtë.

2. Gjermani, mishi dhe shfrytëzimi

Gjermania i ka 83 milionë banorë. Për kokë banori dhe vit gjermanët hanë 60 kilogramë mish. Shoqata gjermane për ushqime thotë se 30 kilogramë mjaftojnë. Për të shuar urinë e gjermanit për mish, thertoret gjermane janë kreative. Çmimi i mishit duhet të jetë sa më i lirë, rrjedhimisht kasapët dhe punëtorët e tjerë duhet të marrin rroga sa më të ulëta. Në 500 thertore të mëdha gjermane punojnë 30 mijë punëtorë nga Evropa Lindore. Rumunë e bullgarë, polakë e hungarezë. E të tjerë. Këta punëtorë jetojnë në kushte të vështira. Lëre që paguhen keq, por edhe banojnë në baraka e banesa të ngushta, gjë që në kohën e koronës mund të jetë vdekjeprurëse. Qindra punëtorë të industrisë së mishit në Gjermani janë infektuar me virusin që mori udhët e botës nga Kina. Kjo ka nxitur debate mbi fatin e punëtorëve të thertoreve. Në komente e artikuj kërkohet që shteti të shikojë pak më mirë në thertore. Presioni po rritet. Qeveria ka paralajmëruar masa. Ky është paradoksi i krizës së shkaktuar nga korona: mund të ndikojë që së paku të përmirësohen pak kushtet e punëtorëve të thertoreve në Gjermani. Ndoshta aktualizimi i problemeve në këtë degë të industrisë mund të shtyjë ndonjë gjerman të ha më pak mish. Është mirë për shëndet. Por kjo nuk vlen vetëm për gjermanët.

3. Popët dhe pandemia

Në kohën e korona-pandemisë ka diçka që i bashkon popët radikalë, priftërinjtë radikalë dhe imamët radikalë: mosbesimi ndaj shkencës dhe besimi se vetëm zoti është mikrobiolog, epidemiolog, biolog, kimist, laborant. Të gjithë këta argatë të zotit, hyjit dhe allahut kërkojnë të hapen faltoret – pa marrë parasysh se çfarë thonë autoritetet apo shkencëtarët. Tepër kryeneç po tregohen sidomos dinjitarët e kishave ortodokse në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi. Shumica e manastireve të njohura në Moskë, në Kiev dhe në Minsk janë prekur nga virusi i ri. Krerët e këtyre manastireve ortodokse kanë refuzuar apelet për vetizolim dhe e kanë injoruar me mendjelehtësi rrezikun e infektimit. Në manastirin Sergijev Posad në Moskë thuhet se prej 170 njerëzve të kishës janë infektuar 150. Pesë murgj kanë vdekur. 11 gjenden në spital. Në manastirin e motrave të nderit në Divejevo të Nishni Novgorodit supozohet se janë infektuar gjysma e 500 grave të manastirit, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Në një manastir në Minsk rezultojnë të infektuara 100 motra të nderit nga gjithsej 150. Kryeprifti Andrej Lemeshok tha se sëmundjet janë “goditje në cak” nga ana e zotit për shkak të mëkateve të murgeshave. Në manastirin më të njohur të Kievit thuhet se janë infektuar gati të gjithë murgjit (aty shërbejnë 200 murgj). Duke parë sjelljen e popëve ortodoksë, mund të thuhet se neologjizmi i vitit 2020 do të jetë ky: covidiot. Njeri që mendon se është më i shpejtë dhe më i shkathtë se virusi. Ose: njeri që flet budallallëk dhe i mbetet hatri kur jo vetëm mjekët i thonë se po flet budallallëqe – dhe kjo s’ka të bëjë me liri mendimi, as me liri të lëvizjes. Pra, covidiot. Përkthyer në shqip covidioti është një kokë-kovë. Shqipja ka edhe fjalë të tjera të bukura: kokëbosh, kokëbuall, kokëbucelë, kokëdru, kokëshkëmb, kokëkrisur, kokëgomar, kokëkungull, kokëmushkë, kokëndryshkur, kokërrotë, kokëtul, kokëshinik.

Share: