Nga Ben Andoni
Pothuaj janë harruar hapat dhe ai tension që shoqëroi uljen në tryezën e reformës zgjedhore të strukturave kryesore politike, që do të vendosnin për zgjedhjet. PS, PD, LSI dhe Opozita parlamentare, me gjysmë zëri dhe paçka pretendimeve, u ulën pa gojë përballë njëra-tjetrës. Ca foto, pak deklarata të zbehta dhe procesi, që kishte dhe justifikimin dhe motivimin nga Bundestagu mori jetë për pak javë derisa në vend pllakosi regjimi i ashpër nën Covid-9.
Por, do të mjaftonte një lajm i kaluar në orët e fundit, kinse pa asnjë lloj interesi, që të kuptonim se zgjedhjet do na afrohen dhe forcat kryesore politike PS dhe PD kanë rënë dakord përmes Këshillit Politik (një term interesant për të justifikuar qenien e Opozitës jashtëparlamentare në tavolinë), parimisht në elementët kryesorë.
Që do të thotë se Sistemi Zgjedhor ekzistues do mbetet i paprekur, ku Listat do të vazhdojnë të jenë të mbyllura, në dorë të kryetarëve, një element aq i mirëpritur për të ndryshuar nga njerëzit dhe për t’u përballur me platforma vetjake. Dhe fushatat e tyre zgjedhore të mbulohen gati 100% nga shteti!! E trishtë sa i përket shumë gjërave, për të cilat publiku mendoi se do të vendosej dorë për të besuar se diçka do të ndryshonte. Duket se kryesore është që palët të marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo status-quo të vazhdojë në interes të tyre.
Duhet një vëzhgim më i mprehtë dhe informacion më shumë por një gjë kuptohet mirë: Asnjëra nga PS dhe PD, dy formacionet kryesore, të cilat dominojnë jetën e vendit, nuk do të ndryshojë gjë, madje po përgatiten realisht për sfidën që thjesht do të rifusë në sistem Partinë Demokratike.
I vetmi problem, paçka se çfarë thuhet dhe justifikohet me kushtetutën nga presidenti, kjo marrëveshje realisht do e pengojë disi LSI-në, një formacion që e ka vuajtur e vetme supremacinë e partive kryesore dhe ka mbijetuar falë konjukturave dhe pozicionimit të kujdesshëm krah njërës apo tjetrës, një element që ka humbur krejtësisht me mbetjen në opozitë dhe pastaj krejt jashtë sistemit. Ndoshta këtu duhet parë egërsimi dhe pastaj urtimi i kujdesshëm i presidentit të vendit, që i duhet realisht të ringrejë ish-formacionin e tij, që pothuaj është në hije të asaj që ai krijoi. Ndaj lëvizjet e tij duken disi të pakuptueshme, konform qëndrimit të vet të gjithë muajve të fundit.
Ndërkohë publiku që ende kishte varur aq shumë shpresa nga presioni ndërkombëtar dhe mbi të gjitha nga “reflektimi” i politikës shqiptare në këto kohë të vështira, duhet të mësohet dhe t’i bindet me këtë realitet të ri. Ku presioni dhe frika nga Covid-19 i është mbivendosur gjithçkaje që ne presim nga e ardhmja jonë aq problematike. Dhe, Meta, Rama, Basha e kanë kuptuar aq mirë saqë kjo situatë po u përshtatet në mënyrën më të paqtë dhe si dhuratë nga Providenca. (Javanews)