Vinçens Stratigo, poeti arbëresh që evokoi historinë shqiptare me vargje

Kulturë Libri

 

Vinçenc STRATIGO (1822–1886) ishte poet arbëresh. Lindi në Ungër (Lungro) të krahinës së Kozencës; mësoi në kolegjin e Shën Adrianit, ku ishte nxënës i Jeronim De Radës. Si garibaldian, mori pjesë gjallërisht në lëvizjen çlirimtare italiane. Vjershat e tij në gjuhën shqipe “Merori” (Bersalieri) dhe “Proletari” (Vajtim për vdekjen e atij që nuk ka), sido që nuk u botuan me gjallje të poetit, tregonin se poezia arbëreshe po bëhej e ndjeshme ndaj notave të protestës së hapur kundër pabarazisë shoqërore. https://redaktori.net shkruan se vjersha të tjera të Vinçens Stratigos trajtonin motivin e dashurisë.

Disa prej tyre u bënë popullore dhe këndohen edhe sot. Në vjershën italisht “L’Albanese” (“Shqiptari”), ai evokon historinë e Shqipërisë dhe virtytet e Shqiptarëve.  Këtë vjershë, https://redaktori.net e sjell për lexuesit:

 

 

Dorshkrime te Vincenzo Stratigo

                               Dorëshkrime te Vincenzo Stratigo

 

 

“SHQIPTAR”

T’rreptë kam shikimin, shpirtin të çiltër
Në gjoks më dridhet virtyt luftari,
Linda, do vdesi për vendin tim,
Shqiptar unë jam.

Princa t’guximshëm, idhnakë të poshtër
Ma shprishën gjakun, po jo kurrë zemrën,
Në shpirt-o paqen Zoti ma derdhi,
Shqiptar unë jam.

Nga toka nënë t’Epirit t’ëmbël
Të mijt stërgjyshër ikën një ditë,
Nga vend i dashur duke qarë ikën,
Shqiptar unë jam.

Të zemëruar nga fatkeqësia,
Të etërve pleq varret braktisën,
Mbi kodrat ngritën fshatin e bukur,
Shqiptar unë jam.

Tej gjëmon qielli, k’tu fërshëllen era,
T’përsëris m’pëlqen një fjalë të dashur,
Kushtrim, Kushtrim-o, ti vendi im,
Shqiptar unë jam.

Skënderi im në luftë të shenjtë
Me gjak të turkut tokën vaditi,
Dhe plot fitore në vend u kthye,
Shqiptar unë jam.

Skënderi im që me vetimë t’syve
Përpara vinte turqit me mijëra,
Diell i shkëlqyer i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

N’ vajtime linda, ndër armë u rrita,
Me tinguj t’këngës përballoj vdekjen,
Në luftë do vdesi për vendin tim,
Shqiptar unë jam.

Trashëgim tjetër unë nuk pata,
Zemër të dridhur, trimëri të madhe,
M’ tingëllon në buzët një fjalë e ëmbël,
Shqiptar unë jam.

Në sy kam luftën, n’fytyrë kam vdekjen,
Po n’zemër mua më flet Parraisi,
M’ tigëllon në buzët një fjalë e ëmbël,
Shqiptar unë jam.

Besim i lashtë, dashuri e vendit
Ma ngroh mua gjoksin, ma ndez mua zemrën,
Gjakun e derdhi për vendin tim, Shqiptar unë jam.

S’ kam pasurira, përbuz paranë,
Rrëmbej unë shpatën t’ Boçarit tim
T’ Boçarit nami i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

N’ dyzetetetën me zemrim t’shenjtë,
Kur mbreti ligjin-o na e shkeli;
Unë rroka armët për vendin tim,
Shqiptar unë jam.

Vetë unë mbi Kratin, n’kushtrim t’atdheut,
Vajta dhe ngula flamurin tim,
Shkunda dhe trimat e vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Atje n’ Sant Anxhelo, mbi kodrën rripë,
Armikut t’mbrapsht ia prisha gjakun,
Kurorë fitoi atje fshati im,
Shqiptar unë jam.
Atje mbi sheshet e Kameratës
Me mijëra mbretër unë i shkatërrova
Dhe unë i vetëm në vendin tim,
Shqiptar une jam.

Na u ngrit Lungro, u ngrit Specano,
Akuaformoza me armë në duar,
Armët rrëmbeu edhe Plataçi,
Shqiptar unë jam.

Shën Gjergji, Firmo, Shën Konstandini,
N’ kodrat luftuan të Shën Martinit,
Edhe Frasniti pas armëve rendi,
Shqiptar unë jam.

Edhe Shën Mitri, Makja krenare,
Shpaloi në erë flamur’n e vet,
Armësh vetinte Kampoteneze,
Shqiptar unë jam.

Atje n’luginën e Shën Martinit,
Trimërisht luftova, po qesh pa fat,
Mir’mbeç, o flamur i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

O Kjod, ti Toç-o, Maur Kryelartë,
Kokën u shtypën, jo kurrë mendimin,
O gjak i pastër i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Lulë e Greqisë, dashuri e lartë,
Nga ju mësohet se si të vdiset,
T’paharruar emra të vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Dhe ti Milano po vringëllon shpatën,
Duke thirrë vetëm kundra të mbrapshtit:
-Vdis, ti, tiran-o, i vendit tim,
Shqiptar unë jam.
I shenjtë qëllimi, e shenjtë dëshira,
Që digjet e ma ndez rrufe hyjnore,
Si rr’fe qëlloje armikun e vendit.
Shqiptar unë jam.

E ti frikacak m’dëgjon e qeshe
Ti që më shkele të gjithë atdheun,
Ti je kopil-o i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Ti të atdheut shkele altarët,
Atdheun shpëtoj unë me gjakun tim,
Ik, se ty Zoti, ty të mallkoi,
Shqiptar unë jam.

Ti nuk i shtyp dot me fuqinë tënde,
Virtytin tim-o, qëndresën time,
Linda, do vdesi për vendin tim,
Shqiptar unë jam.

Ik i mallkuar, ik i mallkuar,
Se asnjë vend ty s’t’mban në gji,
Ti je rebel-o i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Kur ai Buzaka me shpirt të shitur,
Shpaloi drejt Lungros flamur’n e vet,
At’herë Skënderi n’zemër më zbriti,
Shqiptar unë jam.

U ranë borive ushtritë e huaja,
Dhe unë i bija këmbanës sime,
Ndër armë seç rendi tërë fshati im,
Shqiptar unë jam.

Nga thirrje e lartë e dashurisë së atdheut,
Me t’shpejtë Buzaka tmerruar iku,
Si një pëllumb fluturim mori,
Shqiptar unë jam.
Armik i kohës, armik i botës,
Vetëm virtyti më bën t’gëzuar,
Flakëroi shkëndia për vendin tim,
Shqiptar unë jam.

Në mes të armëve mendimi m’lindi,
Në gjoks më dridhet guxim luftari,
Vajtoj për plagët e vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Ndër të panjohur bëj ballë rrezikut,
Më mungon buka n’mërgim’n e rëndë,
E ëmbël vuajtja për vendin tim,
Shqiptar unë jam.

Qëndroj patundur hekurash lidhur,
Vuaj, as shtrohem me kaq mundime,
Bir i vërtetë i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Luftoj për t’drejtën, t’shenjtën, t’vërtetën,
Po dëshiroj ditën t’çlirimit tim,
Ngrehu, o flamur i vendit tim,
Shqiptar unë jam.

Kushtrim, kushtrim-o, i shenjtë zemrimi,
Për fatkeqësinë Zoti m’frymzon,
Ndër armë, ndër armë, o vendi im,
Shqiptar unë jam.

 

Marrë nga STUDIME FILOLOGJIKE 3, Tirane, 1964

Përgatiti: Jolanda Lila

Share: