Kolë Kamsi, pioneri i studimeve për Arbëreshët

Kulturë Libri

Shkruan: Willi Kamsi

 

Kolonitë arbëreshe në Italí kanë qenë, kah fundi i pesë shekujve të pushtimit turk, për arsye të shkëputjes së gjatë, nji njimendësí e cila ishte deridiku jashtë sferës së njohunive të shqiptarëve në atdhe. Vetëm disa njerëz të dijtun e të ndritun patën të përpjekun dhe njohën, e shumta nëpërmjet shkëmbimit të letrave, personalitete të nji bote që përfaqësonte traditën e lashtë heroike të popullit shqiptar.

Erdhi nji kohë kur emni arbëresh filloi të hynte në shtëpiat e shqiptarëve, dhe kjo nëpërmjet interesimit të Angelo Scalabrini-t, në atë kohë drejtor i përgjithshëm i shkollave italiane përjashta e rektor i Kolegjës italo-arbëreshe të Shën Mitër Koronës, i cili nxori nga Ministria e Jashtme e Italisë bursa për shkollimin e djelmve të rij shqiptarë. Kështu, prej krahinave e qyteteve të ndryshme të Shqipnisë, të Veriut e të Jugut, por edhe prej të gjitha besimeve e shtresave shoqnore të vendit tonë, të rijt tonë valë-valë morën rrugën drejt Kolegjës së Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë të Kalabrisë. Ndër ta kujtojmë, nji për të gjithë, Luigj Gurakuqin, por pati shumë të tjerë, të njohun e të panjohun, të cilët dhanë mâ vonë në Shqipní kontributin e tyne kulturor e atdhetár. Atdhetarí që e kishin fitue, jo vetëm në familjet e veta, por edhe në nji shkollë ku frynte era e dashunisë së flaktë për Atdheun e largët, e futun në dejt e tyne prej atdhetarësh të mëdhaj e të nderuem si qe, në kohën kur studjonte aty Luigj Gurakuqi, poeti i madh Jeronim De Rada.

Nuk qenë të pakët shkodranët, ndër të cilët, mâ vonë, pionier i studimeve arbëreshe në Shqipní, do të ishte Kolë Kamsi që për mësues shqipje në Kolegjë pat Prof. Aleksandër Xhuvanin. Në atë vjetë (1904), bashkë me Kolë Kamsin, qenë pranue edhe shkodranë të tjerë, si: Pjetër Troshani, Luigj Kodheli, Zef Kurti, Lazër Prendushi, Ndoc Martin-Camaj e, nga krahina të tjera të Shqipnisë, Naum Avrami e Beso Panajoti.

 

Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës nga ...

 

 

Kolë Kamsi pat lé në Shkodër me 23 shtator 1886. Tue ecë në gjurmët e nji tradite patriotike e kulturore shekullore të të parëve të vet, Kolë Kamsi ndoqi shkollën fillore e të mesme tue marrë diplomën në Shkollën Teknike Tregtare italiane në qytetin e lindjes. I vijoi, pra, me 1904 studimet në Kolegjën e Shën Adrianit, tue krye me 1907 shkollën normale në atë qendër arbënore. Po atë vjetë emnohet mësues i gjuhës shqipe në Shkollën e Vlonës. Ndërsa më 1915-1916 emnohet drejtor kur çelet shkolla fillore për djelm në Vlonë, dhe gjatë vjetëve të Luftës së parë Botnore boton disa libra për shkollat fillore (abetarin «Jeta e ré» që pati dy botime e nji botim të tretë të përgatitun, por të pabotuem; «Mësime përmbi natyrën» e antologjinë «Lulet e mendimit»).

Jep mësim shqipje, bashkë me Jani Mingën, në kursin e shkurtë pedagogjik për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, që do të jepshin mësim në 44 shkollat e hapuna në krahinat e Vlonës e të Gjinokastrës.

Me 1921 kthen në Shkodër për me dhanë mësim në shkollën qytetëse të françeskanëve e me 1922-23 âsht mësues i gjuhës shqipe në Gjimnazin e shtetit të posaçelun.

Prej 1907, deri kur vdiq me 25 fruer 1960, punoi pa prâ për mësimin e gjuhës shqipe në shkolla të të gjitha kategorive, prej fillores deri te e nalta.

Aftësia që tregoi në kryemjen e detyrës së vet të mësuesit bani që të vlerësohej e të zente edhe kambë përgjegjësie në drejtimin e shkollave në arsimin kombtar. Qe drejtor i shkollës fillore «Teuta» në Shkodër (1924), drejtor i Kursit pedagogjik në Korçë (1925) si dhe themeluesi e i pari drejtor i shkollës Tregtare e i Konviktit në Ujë të Ftohtë – Vlonë (1926); drejtor i Institutit Tregtar, po në atë qytet (1927); drejtor i Institutit Femnor «Donika Kastrioti» (Shkodër, 1936); drejtor i Institutit «Nana e Skanderbegut» (Tiranë, 1939); drejtor i Gjimnazit të Shtetit (Shkodër, 1942). Përveç këtyne detyrave, që diftojnë zotësí e vlerësim, e që lidheshin vetëm me nji anë të veprimtarisë së tij, Kolë Kamsi qysh heret pat fillue me dhanë ndihmesën e vet në fushën e folklorit, si mbledhës e si studjues. Kështu qe mis i rregullshëm i Institutit të Studimeve Shqiptare (1940), themelue prej Ernest Koliqit, e i Institutit Shqiptar për Studime e Arte (1944), president i të cilit qe Át Anton Harapi. Nji kohë të shkurtë punoi në Institutin e Shkencave në Tiranë (1948), Institut që kishte trashigue, përveç veprimtarisë, arkivin dhe bibliotekën e çmueshme albanologjike të Institutit të mâparshëm, tue qenë praktikisht vijim i tij. Kthei përsërí në Shkodër dhe me 1957 qe emnue pedagog i folklorit në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës.

Qysh me 1907 e deri me 1960 do të shquhej për kontributin dhanë shkencave albanologjike, sidomos në fushën e gjuhës me «Manuale pratico della lingua albanese» (Zara, E. De Schönfeld, 1930 e Shkodër 1940, 1942). Qe nji ndër bashkëpuntorët e vlefshëm të Fjalorit të F. Cordignano-s (Dizionario italiano-albanese, Shkodër 1938). Për tê autori i fjalorit shprehet si vijon: «Mâ në fund i detyroj nji dëshmí shumë të posaçme mirënjohjeje Z. Prof. Kolë Kamsi, i cili shqyrtoi rishtas e qortoi (tue bâ edhe shtesa) dorëshkrimin tue nisë prej shkrojës C deri në fund». Qe autor monografísh të ndryshme, autor e bashkëpuntor i antologjive mâ të para, tue nisë me «Shkollë e jetë» (1935) në bashkëpunim me Ndue Palucën e Ernest Koliqin; mâ vonë me Karl Gurakuqin përgatitte antologjitë «Te Praku i jetës» (1940) dhe «Rreze Drite» e mandej ato të nji niveli shkencor që qenë përgatitë për shkollat e mesme nga nji grup studjuesish, si qenë me tê: Karl Gurakuqi, Namik Ressuli, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, nën kujdesin e Ernest Koliqit (Shkrimtarët shqiptarë, I-II, 1941, në të cilën punoi monografitë kushtue arbëreshëve Anton Argondizza, Bernard Bilotta, Agostin Ribecco e Salvatore Braile kurse te Bota shqiptare, 1943 âsht autor i disa shkrimeve kushtue arbëreshëve si: Dyndjet e shqiptarvet n’Italí e Ndihmesa e italo-shqiptarvet në Rilindjen italiane). Tjetër vepër e randësishme, e kjo në lamën e folklorit, qe vëllimi «Goja e popullit tonë» (1943, landë e cila qe botue për disa vjet, numër për numër, në faqet e revistës së randësishme shkodrane, të Jezuitëve, «Leka», libër në të cilin kishte përfshî shumë fjalë t’urta të botës arbëreshe të nxjerruna prej veprave të Dh. Kamardës, Pitrè-s e Z. Schirò-s. Kurse mâ përpara, sa kohë punoi në Vlonë, pati kujdesin të studjojë e të mbledhë folklorin e Labërisë.

Por fusha në të cilën u dallue, krahas asaj të folklorit, qe bota arbëreshe, e cila qysh në kohën kur ndoqi shkollën aty, kishte lanë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tij të ndieshëm djaloshar. Prandej, qysh heret, te «Kalendari kombiar», nisë me dy shkrime kushtue dy personaliteteve arbëreshe, si Nikollë Keta (1912) e Françesk Anton Santori (1914). Te ky i dyti do të kthente mâ vonë, me 1943, me nji studim të botuem së pari te revista «Leka» (Nji dorëshkrim i panjoftun i At Anton Santorit. Prralla të zgjedhuna), që doli edhe si vepër më vete, në vargun e botimeve të asaj së përkohshmeje.

Vepra kryesore, së cilës ju kushtue Kolë Kamsi, qe Fjalori i arbërishtes, me të cilin u mor nji kohë të gjatë. Cena e kujdesi për hartimin e këtij fjalori spikasin në nji mënyrë të veçantë prej nji studimi të botuem te Buletini i Institutit të Shkodrës (1957, nr. 1, ff. 41-44), me titull Nga të folmet dhe nga letërsia e Arbëreshëvet t’Italisë. Aty kemi disa fjalë (drugë, zgjetës-shëgjetë, kucër-kucar, koc, koc-kocorah, ohtë-ohë, pemë, kok-kokonar, kufë), që dalin në fjalor, por që këtu janë të shtjellueme gjanësisht, me kuptime e burime, thuejse nji studim i posaçëm për secilën fjalë. Nji shembull kuptimplotë që difton rrugën e ndjekun nga autori në studimin e tij leksikologjik. Prej kësaj kuptojmë pohimin që më pat bâ në mënyrë të përsëritun Prof. Eqrem Çabej, tue e cilësue ketë fjalor si mâ të mirin në ketë lamë, e më shprehte idhënimin e vet për mosbotimin e kësaj vepre të randësishme të studimeve arbëreshe, por që plot 37 vjet grumbulloi pluhnin e raftave të Institutit të Gjuhësisë.

Këtu nuk do të lamë pa kujtue edhe vlerësimin që i kanë bâ arbëreshët Kolë Kamsit si shkencëtar, kur në Shqipní ndodhte e kundërta, madjè harrohej me dashje, bashkë me sa dijetarë të shquem të botës shqiptare, që nuk i vijshin për shtat antishkencës. Vlerësimi i arbëreshëve e cilësonte : «Figurë intelektuali për t’u vû në pah, Kolë Kamsi përfaqëson nji ndër personalitetet mâ të spikatuna të kulturës shqiptare në gjysmën e parë të këtij shekulli» (shih G. Faraco), ndërsa Karl Gurakuqi, i cili e kishte njohtë, tue e pa në nji prizëm mâ njerzor, na jep Kolë Kamsin që kanë njohë të gjithë:

«Kolë Kamsi ká qênë njerí i urtë dhe i matun, prandej ká qênë dashtë dhe afrue prej të gjithvet. Nuk flitte pá pré, nuk ishte i gojës, por arsyet e veta dinte me i mprojtë në mënyrë të bukur, pá u tallë e pá fye njerí. Nuk ishte aq fort i shoqnueshëm, por me gjith këtê, kishte nji shumicë shokësh e miqsh, pse i a njifshin karakterin. Jeta e tij ishte familja e shkolla, libri e penda.

«I u pat kushtue krejtësisht e me gjith shpirt arsimit, pá pritë shpërblime, pá kërkue lavdime e çmime. Punonte në heshtje, punonte me sistem e pá u lodhë, prandej puna e tij ká lânë gjurmë në historín e arsimit kombtár dhe të letërsís shqiptare».1

Krahas fjalorit, tjetër vepër me randësí në lidhje me studimet arbëreshe, mbetë monografia «e shkëlqyeshme e interesante» (Faraco) Shqiptarët e Italisë, botue pjesë-pjesë te «Leka» (1934-1944), ku jepen, në të gjitha pamjet, veçantitë e kolonive arbëreshe të Italisë. Monografí e cila qe pritë shumë mirë në përgjithësí nga studjuesit e në veçantí prej Prof. Carlo Tagliavini në nji recension të botuem në «Rivista d’Albania» (1940). Mendohet të botohet si vëllim më vete, ashtu si e kishte parapá autori. Kjo për njohjen e vlerësimin e duhun të trashigimisë atdhetare, kulturore e shkencore të Kombit Shqiptar.

 

Shkruar nga Willy Kamsi- Ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan

Kreu

Share: