Vlerat e jashtëzakonshme të veprës së arbëreshit Nilo Borgia për historinë e Shqipërisë

Kulturë Reportazh / Profil

Matteo Mandalà

Nilò Borgia lindi në fshatin Hora e Arbëreshëve në Sicili, më 1 janar 1870. Më 6 tetor 1883, kur ishte trembëdhjetë vjeç, hyri në manastirin e Grottaferrata-s që asokohe përbënte një nga qendrat kryesore të ritit bizantin në Itali dhe një nga pikat e referimit për arbëreshët e Italisë. Me sa duket, Nicolò bënte pjesë në një grup arbëreshësh të ftuar nga Papa në Grottaferrata për të forcuar radhët e murgjve bazilianë, që në atë periudhë rrezikonin të zhdukeshin. Fakti është që, pasi hyri në manastir, Nicolò nuk doli më prej tij, duke ia kushtuar tërë jetën dhe mundin lartësimit të asaj qendre të mirënjohur kulturore. Më 17 mars të vitit 1894, me rastin e shugurimit, murgu i ri vendosi të merrte emrin “Nilo”, për nder të Shën Nilo di Rossano, themeluesit të urdhrit të Shën Bazilit në Itali. Pas dhjetë vjetësh, më vitin 1904, murgu ynë u emërua bibliotekar i abacisë, detyrë me prestigj të madh që ai do ta nderojë me kulturën dhe finesën e tij prej studiuesi. Falë famës si ekspert i bibliotekonomisë, ai u emërua inspektor bibliografik për komunat Marino, Rocca di Papa dhe Grottaferrata. Me emërimin e At Nilos si abat i manastirit të Grottaferrata-s më 31 dhjetor 1907, zunë fill një sërë nismash që, me gjithë peripecitë dhe problemet që iu desh të përballonte, lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kulturore të manastirit bazilian.

Nisma e parë e rëndësishme ka të bëjë me hapjen në shtator të vitit 1909 të një shtypshkronje, së cilës i vuri emrin “San Nilo”. Ky ishte hapi i parë që do ta shndërronte abacinë në një qendër të rëndësishme editoriale dhe librare për të gjithë mjedisin e ritit bizantin në Itali. Nisma e dytë u mor në mbështetje të përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e bizantinistikës, të ritit liturgjik lindor dhe përgjithësisht të kulturës greke. Studimet në lëmin e bizantinologjisë dhe të liturgjisë orientale nuk lanë në hije interesat albanologjike që At Nilo ushqeu dhe kultivoi me pasion të madh. Ndër shkrimet e shumta në këtë lëmë përmendim kontributin që i dha në vitin 1927 çështjes së gjuhës letrare shqipe, duke propozuar rigjallërimin e fjalëve të lashta shqipe që dëshmoheshin në të folmet arbëreshe. Mbi të gjitha punimet e tij albanologjike spikat studimi i mirënjohur “Pericope Evangelica in lingua albanese del sec. XIV da un manoscritto greco della Biblioteca Ambrosiana”, që u botua në Grottaferrata në vitin 1930, ku transkriptohet dhe komentohet ky monument i vjetër i shqipes që përfshihej në një dorëshkrim që sot mendohet se i takon shekullit XV. Ky studim në llojin e tij përfaqëson jo vetëm një shembull paradigmatik të fazës së parë të historisë së filologjisë tekstore shqipe, por na dëshmon qartë, siç e ka vënë në dukje Eqrem Çabej, interesin shkencor të At Nilos për albanologjinë: “Borxha e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në Grottaferrata afër Romës. Ishte një gjë prekëse të shihje këtë plak sa interesohej për gjuhën e të parëve dhe për studimin e saj gjer në ditët e fundit të jetës së tij. Me zell të madh gjurmonte nëpër arkiva dokumentet që i përkasin Shqipërisë dhe monumentet e vjetra gjuhësore. Gjatë një bisede aty nga viti 1940 ai i kumtoi shkruesit të këtyre rreshtave se kishte zbuluar në arkivat e Vatikanit një dokument gjuhësor shqip të vjetër, më të vjetër se ato që dihen gjer tani. Vdekja mjerisht e ndaloi atë të na jepte të dhëna më konkrete rreth kësaj çështjeje me rëndësi themelore për gjuhësinë shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në lëmin e albanistikës”.

 

Borgia vdiq në Grottaferrata më 3 mars të vitit 1942. Vdekja e papritur e pengoi jo vetëm të bënte të njohur publikisht vendndodhjen e saktë të dokumentit që kishte zbuluar, por edhe të shihte të botuar vëllimin e dytë që kurorëzonte projektin historiografik që nisi në vitin 1935 kur botoi vëllimin e parë të “Shënimeve mbi murgjit bazilianë në Shqipëri”. Vëllimi i dytë u botua pas vdekjes së autorit në dhjetor 1942. Me atë botim si vëllezërit e tij bazilianë synonin të nderonin kujtimin e autorit, por, ndoshta, nuk ua merrte mendja se njëherësh po nxirrnin në dritë një vepër me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë.

“Shënimet e historisë misionare” qenë fryt i një pune të gjatë kërkimore që synonte jo vetëm të nderonte kujtimin e murgjve bazilianë në Shqipëri, por, mbi të gjitha, të theksonte vijimësinë mes dy fazave të aksionit ungjillëzues që ata zhvilluan në trojet ballkanike: nga njëra anë, faza e parë që zuri fill gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII dhe përfshiu pjesën me të madhe të shek. XVIII, nga ana tjetër, faza e dytë që pati si protagonist pikërisht Nilo Borgia-n qysh nga vitet e para ’20 të shekullit të shkuar. Premisa e dy vëllimeve ka të bëjë pikërisht me një periudhë të ngjeshur të jetës së autorit, i cili dy 10-vjeçarët e fundit të jetës së tij ia kushtoi projektit të ringjalljes së misioneve baziliane në Shqipëri. Për këtë qëllim murgu plak doli për të parën herë nga manastiri, ku kishte kaluar gjithë jetën, dhe shkoi t’i shihte me sytë e tij vendet (fillimisht Durrës dhe Elbasan, pastaj edhe Tiranë, Fier e Berat), ku, sikurse thotë në një dokument që ruhet në bibliotekën e Grottaferratës, do të ndërtonte “një mision bashkimi dhe paqeje”.

Gjatë udhëtimeve që ndërmori nëpër Shqipëri, ai mblodhi të dhëna që shërbyen për ta konkretizuar projektin misionar që zuri fill në Elbasan, ku, falë tij, u ngrit një bashkësi katoliko-bizantine me prejardhje arbëreshe. Suksesi i asaj ndërmarrjeje i detyrohej edhe kontributit që kishin dhënë ndërkohë studimet e Émile Legrand në vitin 1899 dhe të Cirillo Korolevskij në vitet 1911-12, ku përshkruheshin misionet e vjetra në Himarë. Kërkimet arkivore të këtyre studiuesve të shquar patën meritën se jo vetëm nxorën në dritë një pjesë të dokumenteve që ruhen në arkivat e Propagandës Fide dhe të manastirit bazilian të Mezzoiuso-s në Sicili, por edhe se gjatë viteve që pasuan arritën dy rezultate të jashtëzakonshme. Së pari, i dhanë Borgia-s shtysën të gjente pika lidhjeje mes përvojës së shek. XVII-XVIII dhe asaj të viteve njëzetë e tridhjetë të shek. XX që po lindte në hullinë e një kujtese historike dhe përtëritjeje vikiane. Së dyti, na dhanë neve mundësinë të kemi një kuadër historik të qartë për të shqyrtuar me sy kritik zhvillimet kulturore shqiptare dhe veçanërisht marrëdhëniet e pandërprera mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Share: