Dy orë. Kaq. Kohë u jepen ekipeve mjekësore në Singapor për të zbuluar detajet e para, se si pacientët kanë kontraktuar koronavirusin dhe cilët njerëz mund të infektojnë.
A kanë udhëtuar jashtë vendit? A kanë ata lidhje me një nga pesë grupet (clusters) e infektuar, të identifikuar në të gjithë qytetin-shtet? A kanë kollitur përballë dikujt në rrugë? Kush janë miqtë dhe familja e tyre, miqtë me të cilët pijnë në bar dhe partnerët në lutje?
Ndërsa kombet perëndimore luftojnë me përhapjen e shpejtë të koronavirusit, strategjia e Singaporit, e lëvizjes së shpejtë për të gjetur dhe testuar raste të dyshuara, siguron një model për frenimin e epidemisë, edhe nëse nuk mund të ndalë plotësisht infeksionet.
Me punë të detajuar prej detektivësh, gjurmuesit e kontakteve gjetën, ndër të tjera, një grup këngëtarësh të cilët thërrisnin dhe shpërndanin spërkla së bashku, duke përhapur virusin në familjet e tyre dhe më pas në një palestër dhe një kishë – duke formuar kështu përqendrimin më të madh të rasteve në Singapor.
“Ne duam të qëndrojmë një ose dy hapa përpara virusit,” tha Vernon Lee, drejtori i sektorit të sëmundjeve ngjitëse në Ministrinë e Shëndetësisë në Singapor. “Nëse ndjek virusin, gjithmonë do të jesh pas kurbës”.
Singapori, së bashku me Tajvanin dhe Hong Kongun, ofron qasje të suksesshme, të paktën deri më tani, në luftimin e një pandemie që ka infektuar më shumë se 182,000 njerëz dhe ka vrarë të paktën 7.300 në të gjithë botën. Pavarësisht se janë goditur muaj më parë nga virusi, këto tri shoqëri aziatike kanë regjistruar vetëm një pjesë të vogël të numrit të vdekjeve dhe relativisht pak raste, edhe pse ato vazhdojnë të përballen me rreziqe, pasi njerëzit nga pikat e nxehta në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe gjetkë e mbartin virusin.
Ndërhyrja e hershme është thelbësore. Kështu janë edhe ndjekja e vrullshme, zbatimi i karantinave dhe distancimi i përpiktë social – të gjitha të koordinuara nga një udhëheqje e gatshme të veprojë shpejt dhe të jetë transparente.
Në Singapor, detajet se ku pacientët jetojnë, punojnë dhe luajnë janë nxjerrë shpejt në internet, duke u mundësuar të tjerëve të mbrohen. Kontaktet e ngushta të pacientëve janë në karantinë për të kufizuar përhapjen. Qeveria forcoi më tej kufijtë këtë javë, për t’u mbrojtur kundër një valë të re infeksionesh të importuara.
Disa nga këto mësime janë shumë vonë për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, ku viriusi po përhapet pasi disa qeveri kanë vonuar mes debateve për reagimin e tyre.
Dhe sistemet vigjilente të monitorimit në Singapor, Tajvan dhe Hong Kong u ndërtuan me vite, pas dështimeve të tyre për të ndaluar një shpërthim të rrezikshëm – SARS – 17 vjet më parë. Shtetet e Bashkuara e shkrinë njësinë reagimit ndaj pandemisë, në vitin 2018.
Ekziston edhe pyetja se sa i përsëritshëm mund të jetë ky model i qendrave më të vogla aziatike, në vendet e mëdha perëndimore, ku njerëzit mund të acarohen ndaj kamerave, apo regjistrimeve të lëvizjeve. Kontrolli i sëmundjeve cënon liritë individuale, dhe vende si Singapori, ku çamçakëzi dikur ka qenë i ndaluar, janë më të gatshëm të pranojnë urdhrat e qeverisë.
“Ndoshta është për shkak të kontekstit tonë aziatik, por komuniteti ynë është i gatshëm për këtë,” tha Lalitha Kurupatham, zv / drejtoreshë e sektorit të sëmundjeve ngjitëse në Singapor. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë, sepse izolimi dhe karantina funksionojnë!”.
I pasur dhe plot rregull, Singapori ka shpenzuar vite të tëra duke ndërtuar një sistem të shëndetit publik, që përfshin klinika të përcaktuara për epidemitë dhe mesazhe zyrtare, duke i bërë thirrje publikut të lajë duart ose të teshtijë në shami gjatë sezonit të gripit. Ligji i Sëmundjeve Infektive i jep hapësirë të gjerë qytetit-shtet, për t’i dhënë përparësi të mirës së përbashkët ndaj shqetësimeve mbi privatësinë.
“Gjatë kohës së paqes, ne planifikojmë për epidemi si kjo”, tha Znj Kurupatham.
Si drejtuese e programit të gjurmimit të kontaktit në Singapor, ajo ka punuar 16 orë në ditë për dy muaj, dhe përshkrimi i saj i një lufte kundër sëmundjes, është një funksion i prekshmërisë së saj ndaj përhapjes. Një pikë e vogël e kuqe në një hartë botërore, Singapori është një ishull me popullsi të dendur, ku çdo fluturim është ndërkombëtar.
Në ditët e para të shpërthimit, Singapori ishte shumë i prekshëm, për shkak të një popullsie të madhe kineze që vinin gjatë festës së Vitit të Ri Hënor.
Dhjetëra raste të konfirmuara në Singapor në janar, reflektojnë kryerjen e testimeve të gjera dhe të disponueshme falas. Shumë ishin raste të buta që përndryshe do të kishin kaluar të padiagnostikuara. Sidoqoftë, Singapori po vraponte për të frenuar mundësinë që transmetimi lokal të merrte arratinë.
“Deri kur ndodhën Italia, Koreja dhe Irani, Singapori ishte më i keqi vend, jashtë Kinës,” tha Linfa Uang, drejtoreshë e programit të shfaqjes së sëmundjeve infektive në Shkollën Mjekësore të Universitetit Duke në Singapor. “Pse nuk ndiheshim ashtu? Sepse qeveria është shumë transparente dhe sepse ai numër do të thotë që ne jemi shumë efektivë në gjurmimin dhe izolimin e çdo rasti”.
Pavarësisht të gjithë panikut që shpërthen gjetkë, shumica e banorëve të Singaporit nuk veshin maska, sepse qeveria u ka thënë që nuk është e nevojshme për sigurinë e tyre. Shumica e shkollave janë ende të hapura, megjithëse me shkurtim të drekave, për të shmangur turmat e mëdha. Letër higjienike ka me bollëk.
Që nga e marta në mbrëmje, Singapori kishte 266 raste të konfirmuara. Vetëm një pjesë janë mistere, të palidhur me udhëtimet e huaja të kohëve të fundit ose grupimet lokale të identifikuara më parë, të cilat përfshijnë kishat dhe një darkë private.
Gati 115 pacientë janë larguar nga spitali. Singapori nuk ka regjistruar vdekje nga koronavirusi.
Kur zërat për një virus misterioz të frymëmarrjes filluan të qarkullojnë në Kinë në fillim të vitit, Singapori u vu shpejt në lëvizje. Ishte një nga vendet e para që ndaloi të gjithë udhëtarët nga Kina kontinentale, duke filluar nga fundi i janarit. Skanuesit termikë matnin temperaturat e të gjithë atyre që hynin në vend.
Një komb me 5.7 milion banorë, Singapori zhvilloi me shpejtësi aftësinë për të testuar më shumë se 2,000 njerëz në ditë për koronavirusin. Në shtetin Uashington, një nga vendet më të goditura në Shtetet e Bashkuara, laboratorët publikë synojnë të përpunojnë 400 mostra në ditë.
Testimi është falas në Singapor, siç është edhe trajtimi mjekësor për të gjithë shtetasit. Singapori ka 140 gjurmues kontakti që përshkruajnë historinë e rastit për secilin pacient, së bashku me policinë dhe shërbimet e sigurisë që kryejnë punën në terren.
Pas javëve të hetimit dhe përdorimit të një testi të ri antitrupash që mund të zbulojë njerëzit që janë shëruar, zyrtarët e shëndetit ishin në gjendje të lidhnin dy grupime (cluster-a) të kishave prej 33 personash, në një darkë të Vitit të Ri Hënor, ku morën pjesë anëtarët e të dy kongregacioneve. Njerëzit që transmetuan sëmundjen midis dy kishave nuk kishin shfaqur kurrë simptoma serioze.
Kontaktet e ngushta të pacientëve futen në karantinë të detyrueshme për të ndaluar infektimin e mëtejshëm. Afro 5,000 janë izoluar. Ata që shmangin urdhërat e karantinës mund të përballen me kallëzime penale.
Të gjithë pacientët me pneumoni në Singapor testohen për koronavirus. Po kështu edhe njerëzit që janë të sëmurë rëndë. Rastet pozitive janë identifikuar në aeroport, në klinikat qeveritare dhe, më shpesh, përmes gjurmimit të kontaktit.
Regjimi epidemik i Singaporit u formua nga shpërthimi i SARS në vitin 2003, kur 33 njerëz vdiqën nga 238 raste të konfirmuara. Ashtu si në Hong Kong, punonjësit e mjekësisë ishin ndër viktimat në Singapor.
Numri i madh i vdekjeve nga SARS në Hong Kong, gati 300, ka nxitur banorët në territorin gjysmëautonom kinez për të ushtruar muskujt rudimentarë të parandalimit të sëmundjes këtë herë, edhe pse autoritetet lokale fillimisht u shqetësuan nëse do të mbyllnin kufirin me territorin e Kinës. Pothuajse të gjithë, filluan të përdornin sanitizuesit e duarve. Qendrat dhe zyrat vendosin skanues termikë.
“Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit në Hong Kong kanë kujtime të rënda për shpërthimin e SARS,” tha Kuok Ka-ki, një ligjvënës në Hong Kong dhe që është gjithashtu mjek. “Çdo qytetar bëri pjesën e vet, duke përfshirë vënien e maskave, larjen e duarve dhe marrjen e masave të nevojshme, siç është shmangia e vendeve të mbushura me njerëz dhe tubimeve”.
Qeveria në Hong Kong më në fund e fitoi vëmendjen e publikut. Kufijtë u shtrënguan. Nëpunësit civilë u urdhëruan të punojnë nga shtëpia, duke bërë që shumë kompani të ndjekin këtë kërkesë. Shkollat u mbyllën në janar, të paktën deri në fund të prillit.
Tajvani veproi edhe më shpejt. Ashtu si Hong Kongu dhe Singapori, Tajvani kishte fluturime të drejtpërdrejta me Vuhanin, qyteti kinez ku besohet se e ka origjinën virusi. Qendra kombëtare e komandës shëndetësore të Tajvanit, e cila u krijua pasi SARS vrau 37 njerëz, filloi të urdhëronte skanime të pasagjerëve nga Vuhani në fund të dhjetorit, edhe përpara se Pekini të pranonte që koronavirusi po përhapej midis njerëzve.
“Pasi nxorrëm mësimin tonë më parë nga SARS, sapo filloi shpërthimi, ne adoptuam një qasje mbarëqeveritare,” tha Joseph Vu, ministri i jashtëm i Tajvanit.
Në fund të janarit, Tajvani kishte pezulluar fluturimet nga Kina, megjithë këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të mos e bënte. Qeveria gjithashtu nisi të përdorë big data, duke integruar bazën e të dhënave të saj kombëtare të sigurimeve shëndetësore me informacionin për imigracionin dhe doganat, për të gjurmuar raste të mundshme, tha Jason Uang, drejtori i Qendrës për Politika, Rezultate dhe Parandalimin në Universitetin e Stanfordit. Kur rastet e koronavirusit u zbuluan në anijen e lundrimit “Diamond Princess” pas një ndalese në Tajvan, u dërguan mesazhe me tekst në çdo telefon celular në ishull, duke renditur çdo restorant, vend turistik dhe destinacion që pasagjerët e anijes kishin vizituar gjatë pushimit të tyre në bregdet.
Deri të martën, Tajvani kishte regjistruar 77 raste të koronavirusit, megjithëse kritikët shqetësohen se testimet nuk janë të përhapura sa duhet. Studentët u kthyen në shkollë në fund të shkurtit.
Me valët e reja të virusit që shtohen në të gjithë botën, zyrtarët e shëndetit publik në të tre vendet janë duke u përgatitur për një luftë më të gjatë.
Të martën, qeveria e Hong Kongut, ku janë konfirmuar vetëm 157 raste, njoftoi një karantinë të detyrueshme 14-ditore për të gjithë udhëtarët nga jashtë duke filluar në fund të kësaj jave.
Tajvani do të kërkojë vetë-karantinë për të mbërriturit nga 20 vende dhe tre shtete amerikane.
Kryeministri Lee Hsien Loong i Singaporit paralajmëroi javën e kaluar se numri i rasteve në vend do të rritet ndjeshëm. Singapori njoftoi 23 pacientë të rinj me koronavirus të Martën, raporti më i lartë për një ditë, me 17 raste të importuara.
Qyteti-shtet ka kufizuar kufijtë e tij edhe më tej. Të ardhurit nga Azia Juglindore dhe pjesë të Evropës tani duhet të kalojnë një vetëkarantinë 14-ditore.
“Bota është e fortë sa edhe hallka e saj më e dobët”, tha Dr. Lee, kreu i sektorit të sëmundjeve të transmetueshme në Singapor. “Sëmundjet nuk respektojnë kufijtë”. / New York Time – Bota.al