Nga Dritan Hila
Për fat shqiptarët e kuptuan që nuk bëhet shaka. Duke e ditur që sistemi ynë shëndetësor nuk ka këllqe për të tilla prova, kanë zgjedhur të vetëizolohen, si masa më e mirë.
Por problematikë mbeten të papërgjegjshmit, të cilët ose nuk tregojnë udhëtimet në Itali, ose simptomat e vërteta, derisa infektojnë edhe mjekët. Një idiot i tillë, duke eliminuar një mjek, ka shkaktuar një masakër në trupën shëndetësore dhe ka marrë në qafë me dhjetëra që do të kuroheshin nga viktima.
Atëherë disa të vërteta që dimë deri tani rreth virusit dhe që janë shumë pak, kjo sipas mjekëve infeksionistë dhe virologë, pa pretenduar që të gjitha janë të sakta, pasi sot vlen më shumë se kurrë aksioma që “vetëm budallenjtë janë të sigurt”:
Virusi nuk përzgjedh moshën, por njerëzit me sistem imunitar të dobët. Duket sikur targeti i tij janë të moshuarit, por mund të jenë edhe 20-vjeçare që merren gjithë ditën me sport, nuk pinë as duhan dhe as alkool, por kanë sistem imunitar të dobët.
Nuk dihet nëse rikthehet ose jo.
Ka aftësinë të adoptohet dhe pësojë mutacion. Në Itali është gjetur Covid19 i brezit të tretë.
Periudha e inkubacionit është 4-12 ditë. Të bësh tamponin në këtë hark kohor, del negativ. E ka vërtetuar rajoni i Venetos në Itali dhe Koreja e Jugut. Çka do të thotë që në aparencë je i shëndoshë, por në realitet je një minë me siguresë të hequr që mund të bësh dëme kudo.
Edhe pas shërimit, i prekuri ka potencial infektues deri në 37 ditë.
Virusi nuk i mbijeton temperaturave mbi 40 gradë, por kjo ka vlerë vetëm në gatim.
Duke qenë i rëndë, precipiton në sipërfaqe dhe duke jetuar nga shkëputja prej mbartësit deri në 3 orë (disa thonë deri në 9 ditë, në varësi të habitatit), mund ta marrim me tabanin e këpucëve. Ndaj sapo hyni në shtëpi, lërini këpucët te pragu i derës dhe dezinfektoni tabanin e tyre dhe vendin ku shkelët në shtëpi. Dezinfektantë që shiten në supermarkete, janë të mjaftueshëm.
Virusi ka ardhur nga kafshët, ndaj askush nuk e di që kafshët shtëpiake nuk bëjnë zhvendosjen e tij.
Dhe tani vijmë në Shqipëri.
Të pasigurt në sjelljen e këtij virusi atipik, infeksionistët shqiptarë meritojnë falënderim të veçantë. Shumë prej tyre kanë nisur familjet te të afërm, pasi kanë frikë se i infektojnë kur kthehen nga turnet spitalore.
Kini parasysh se vetëm sistemi publik është i aftë dhe instrukturuar të përballojë këto lloj problematikash (kjo vath në vesh për karafilat e liberalizmit dhe ithtarët e PPP-ve).
Mbyllja në shtëpi dhe higjiena janë të vetmet kundërmasa efektive të provuara deri tani. Vetëm se dalja jashtë dhe pakujdesia qoftë për pak çaste, e zeron karantinën tuaj, pasi në ato pak momente mund të jeni bërë mbartës.
Kur dilni, kujtohuni se sistemi spitalor shqiptar është shumë i brishtë të mbajë ngarkesë nëse shndërrohet në epidemi. Qoftë edhe një prej nesh, është në gjendje të infektojë aq njerëz sa ta kalojë në krak.
Aktualisht nuk bëjnë punë as paratë. Tashmë asnjë shtet nuk eksporton pajisje mbrojtëse dhe aparate ventilimi. Kur mendon se edhe një shteti si Italia i kanë sekuestruar në aeroportet e transitit avionët me materialet mbrojtëse që kishte blerë në vende të treta, imagjinoni Shqipërinë.
Problem është edhe buxheti. Italia dislokoi 25 miliardë euro të përballojë emergjencën. Është ekuivalente sikur Shqipëria të alokonte 1.2 miliardë euro. E paimagjinueshme. Ndërkohë një ditë shtrimi në spital në kushtet e emergjencës kushton deri në 1.500 €, ndërsa në kushtet që pacienti kërkon edhe ventilim, deri në 2.500 €. Në kushtet tona kur këto aparate janë diku tek 100 copë, nuk ka nevojë ta vendosë mjeku se kujt i takon e kujt jo; kush do të vdesë dhe kush do të jetojë. E ke vendosur vetë kur dole jashtë.
Ndërkohë përveç autokarantinës individuale, duhet të funksionojë edhe karantina si republikë. Asnjë masë nuk ka kuptim nëse këtë betejë nuk e ka fituar Italia dhe vendet që na rrethojnë./dritare.net