Nga Artan Fuga
Koronavirusi? Me tetë ras te të reja, pra, rreth 20 e ca të infektuar në 72 orë ende nuk është epidemi. Nuk janë ritme epidemie këto ende. Ende virusi nuk ka shfaqur fuqinë e egër epidemike. Mund të bëhet me shumë gjasa, por ende nuk jemi. Mos t’i ikim së tashmes ose drejt së shkuarës, ose drejt së ardhmes. Kujtesa dhe parashikimi janë shpëtimtare, por ndërgjegjja dhe konstatimi i së tashmes po aq. Mos bërtisni para kohe: Më hangri ujkuuuuu! Raportojmë të sotmen, mediaaaaaaaaaaa! Mos harroni profesionalizmin para histerisë politike dhe të turmës së të frikurve! Viraliteti i vërtetë është si në komunikimin dixhital; rritet me progresion gjeometrik, brenda disa orësh dhe nuk ka Zot ta ndalojë. Jo me pesë dhe me tetë. Kur të kemi progresionin gjeometrik eksponencial, atëherë tajfuni do të jetë sipër kokave tona. Deri tani, te ne çdo gjë është dhe mund të jetë, mund të shpallet rreziku i katastrofës si në Greqi më pas, askush nuk e di, por deri tani lokalisht nuk është ende epidemi. A e ka njeri të dhënën sesa njerëz kanë ndërruar jetë çdo ditë në Tiranë, Durrës, Shqipëri nga 1 marsi deri tani? Ajo duhet të mos hiqet nga sytë! Vorraxhiu nuk të gënjen!
Ende nuk kemi epidemi! Të ruajmë forcat dhe energjitë! Rreziku mund të vazhdojë me muaj! Mundet jo! Mos dilni nga shtëpitë – bërtasin pasanikët, ata që kanë miliona, që fitojnë pa punuar nga interesat bankare. Edhe ndonjë shkencëtar pa tru, i nxjerrë nga sënduku! Jooooo! Puna atje ku krijohen vlera të domosdoshme për shoqërinë nuk duhet ndalur! Sigurisht, mund të shtyhet për në fillim të verës lyerja e shtëpisë. Por bukë duhet prodhuar. Dalje për qejf ose për punë që shtyhen dot për më pas jo! Masa agresive dhe ekstreme jo, sepse edhe ato janë të gabuara, por masa të forta të arsyeshme, poooooo! Lëreni histerinë e frikës! Me çfarë të jetojnë mo ata që mezi e mbyllin muajin me punë të ndershme. Do punojnë, sigurisht! Përndryshe, vdesin për bukë. Vdes edhe ti, o rob Zoti, se nuk do të kesh energji elektrike, ujë, bukë, mish, perime, ilaçe kundër prostatit. Do të vdesë ai, por edhe ti që kujton se ke lekë plot. Por edhe duke punuar duhet me marrë masa mbrojtëse!
Sigurisht, por jo të gjithë mund të mbyllen, sikurse thotë ndokush. Sepse qyteti do energji elektrike, ka stacione pompimi me ujë, mijëra dyqane që duhet të furnizojnë urgjencat, personeli shëndetësor me mijëra ushtarakët, furnizuesit me perime e zarzavate, prodhuesit e ujit, pastruesit me mijëra, nëpunësit e shërbimeve urgjente, mijëra punonjës doganash, financash, furrat e bukës, sipërmarrjet që prodhojnë makarona, miell, tregtarët e orizit, blegtorët, prodhuesit e medikamenteve, gazetarët etj. etj. Pa këta që të punojnë, ne vdesim. Nga uria. Por për qejf lëvizje jo, sikurse përshëndes masat e rrepta të qeverisë. Edhe në punë duhet të ruhesh! Është si në luftë. Po dole nga vendmbrojtja, të ha plumbi, por amà armiku duhet përballur. Me sa më pak humbje. Duhet menaxhim, jo bërtitje histerike!
Masa të forta?
Patjetër. Madje, duheshin përpara! Duhej pasoja përpara shkakut. Jo si në Itali, sikurse na dërdëllisnin disa. Arsyeja analogjike imituese si e qenit! Duheshin masat përpara rastit të parë! Por, gjithsesi, edhe tani janë të drejta. Shumë të drejta! Shumë e drejtë masa e qeverisë për kufizimin e qarkullimit të veturave përgjatë fundjavës. Unë i përkrah. Edhe sikur 72 orë të fitohen, janë goxha. Nuk është koha për show që mos të të harrojë publiku! Të gjithë me kova uji për të shuar zjarrin, ai ndez cigaren.