Varianti real i “Verbërisë” së Saramagos dhe çmenduria jonë

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

“Verbëria” e José Saramago është përkthyer edhe në shqip. “Dudaj” ia besoi shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Nasi Lera për të sjellë një nga librat më të vështirë sa i përket zbërthimit të metaforës. Libri është harruar ose do të ishte harruar siç ndodh rëndom tek ne, nëse ngjarja e madhe e këtyre ditëve nuk do të na e sillte një projeksion të librit gati të gjallë, ku ne po ndjekim të shqetësuar një lloj kaosi të krijuar prej një virusi vrastar, që ka ngërthyer botën. Saramago e përshtati në një mjedis të panjohur metaforën e tij të “Verbërisë”, e një komuniteti që i reziston grishjes për ta parë realisht epideminë në përhapje të Verbërisë. Por, dalëngadalë, në këtë libër, të kap ankthi sesi kemi një shkatërrim total që e nxit një epidemi verbërie, e cila  mposht gjithçka: Sistemin, ushtrinë, kishën dhe deri biznesin.

Aty nuk ke emra, por identifikime dhe mënyra sesi ata përpiqen të mbijetojnë është ajo që zbërthen deridiku natyrën reale njerëzore.

***

Askush nuk do mund të mendonte në ditët tona se ne do të përballeshim me një situatë të tillë. Libri, që deri më sot, ka qenë i destinuar për t’iu zbërthyer metaforën, na tregoi se fuqia e letërsisë është e jashtëzakonshme. Kurse neve se duhet të shkundemi dhe t’i besojmë arsyes. Por, nëse kjo e fundit akoma nuk është e mundur, atëherë t’i besojmë profesionistëve, që në këto orë përsërisin e përsërisin të njëjtën gjë: Kujdes dhe jo panik! Për fat të keq, sot e kësaj dite apo në 48 orët e fundit, kur Shqipëria ka zbuluar 10 rastet e para të koronavirusit në vend(do dëshironim të mbeteshin po kaq dhe me pak pasoja) ka një papërgjegjshmëri të madhe për atë që mund të na presë. Për fat, janë një pjesë e njerëzve që janë vetë-izoluar apo që po evitojnë ndenjet e gjata nëpër kafe dhe stërhalljet e gjata. Vetëm se janë po kaq, që vazhdojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë dhe në një përpjekje për t’u tallur dhe për ta qesëndisur një epidemi, që në të vërtetë po gjunjëzon shtete, shumë më të forta ekonomikisht se Shqipëria dhe sisteme të tëra mjekësore. Sikur të mos mjaftojë kjo, Shqipërisë i shtohet edhe paradoksi i madh politik, që kërkon të fitojë pikë në çdo moment. Në një përpjekje të hidhur, zyrtarët e ISHP-së dhe specialistët që po përballen me koronovirusin në Shqipëri, mundoheshin pak orë më parë t’i mbushnin mendjen një zyrtari patetik të opozitës me formim mjekësor për realitetin dhe përballjen. Dhe, po kaq po mundohet Ekzekutivi, që të ekuilibrojë një shtet që tashmë ka prodhuar tre sisteme apo tre task-forca të ndryshme për koronavirusin. Është një temë sërish për letërsi, por për atë humoristike, nëse për fat nuk do ketë dhe të urojmë të mos ketë viktima në ditët në vazhdim.  Por edhe tek “Verbëria” ka pak optimizëm në fund, një të tillë që kërkohet tek ne dhe që mund ta ngjallim thjesht duke zbatuar pak rregulla strikte, kuptohet duke lënë pak mënjanë paradoksin tonë, që shumë herë po duket si çmenduri. Nuk është e vështirë por duket pak e pamundur në këtë kohë, mbushur me paradokse, ku shumë njerëz po kërkojnë të identifikohen duke bërë protagonistin me Verbërinë jo të pakët të kohës sonë. (Javanews)

 

Share: