Shtypi islam si promotor i tolerancës për çështjen kombëtare shqiptare

Kulturë

Nga Urim Tusku

 

Në ndryshim nga terri informativ mbi fenë që kaploi Shqipërinë shtetërore gjatë diktaturës komuniste, shtypi periodik me përmbajtje fetare pati mundësi zhvillimi në diasporë dhe në Republikën Federale Socialiste të Jugosllavisë, ku jetonin rreth tre milionë shqiptarë, në shumicën dërrmuese myslimanë dhe me tradita fetare islame, të cilët, duke shfrytëzuar disa hapësira kushtetuese, arritën të bëjnë një sërë botimesh, që e mbajtën gjallë jo vetëm bashkësinë islame, por edhe atë kombëtare në përgjithësi. Për të analizuar rolin e rëndësishëm të shtypit islam, të zhvilluar nën censurën nacionaliste serbe, i jemi referuar botimit periodik zyrtar të Bashkësisë Islame të Kosovës, revistës “Dituria Islame”.  Revista vijon të botohet prej 34 vjetësh pa ndërprerje,  nga viti 1986 deri në ditët e sotme. Kjo qasje panoramike fokusohet në dy periudha të ekzistencës së revistës, para e pas luftës së Kosovës, në mënyrë që të shqyrtohet edhe evoluimi dhe forma e shpërfaqjes së frymës së tolerancës në mënyrën e trajtimit të çështjeve kombëtare.

Në përmbajtje të këtyre botimeve me frymë islame ishin aspekte që lidhen me moralin e kësaj feje, histori profetike, por edhe probleme e aspekte të aktualitetit dhe shoqërisë shqiptare. Kjo revistë fitoi autoritet që në numrat e parë të saj. Këtë prestigj e krijoi për shkak të rolit të rëndësishëm që luajti për informimin e lexuesve të gjerë shqiptarë.

Në rrethana socio-politike tepër të vështira, madje tejet ekstreme e të rrezikshme, kjo revistë mbrojti çështjen e identitetit shqiptar dhe ushqeu për vite me radhë ndjenjat e lirisë dhe të atdhedashurisë tek shqiptarët. Hapësira që revista “Dituria Islame” i ka dhënë çështjes kombëtare është shumë e ndjeshme, sepse pjesën dërrmuese të revistës, veçanërisht në kohën e rrezikut të zhbërjes së identitetit shqiptar janë trajtuar aspekte historike, kulturore e shkencore. Kjo lloj fryme karakterizuese është dëshmi e faktit se feja ka një rol të rëndësishëm për shoqërinë dhe nuk qëndron e veçuar prej çështjeve të aktualitetit e interesave kombëtare. Pavarësisht se kjo revistë u konceptua fillimisht si fetare, politika e saj editoriale nuk mbeti e ngurtësuar në skema, por iu përshtat realitetit dhe nevojave që diktonte shoqëria. Kështu, nga numri i parë deri tek numri tetëmbëdhjetë revista pati karakter mirëfilli fetar, ku bazohej kryesisht në materiale informuese e edukuese mbi islamin, të përkthyera nga gjuhë të ndryshme, por  edhe në ngjarje të komunitetit mysliman në Kosovë e më gjerë.  Një rol i posaçëm i dedikohej edhe problemeve dhe normave të moralit shoqëror, ku kemi parasysh artikuj të tillë si: “Sinqeriteti – një fjalë e vepër (Nr. 1, f. 3); Mirësjellja, drejtësia dhe respekti (Nr. 1, f. 19-22 ); Njohja e vetvetes  (Nr. 12, f. 27-29) etj.

Për herë të parë, në numrin 12 të revistës, (janar-mars 1989), botohet artikulli: “Apel i Kuvendit Suprem të Bashkësisë Fetare në Jugosllavi: Jeta në Kosovë të zhvillohet në frymën e vëllazërim-bashkimit”, ku përtej deklaratës institucionale, përcillen edhe mesazhe se feja nuk i ndan, por i bashkon shqiptarët.

Nga viti 1990, përkatësisht nga numri 15-16,  numri 17 e sidomos pas numrit 18 të revistës (kohë në të cilën revista kthehet nga e përtremuajshme, në periodike mujore) e deri në përfundimin e luftës së Kosovës në vitin 1999, temë mbizotëruese e revistës bëhet çështja kombëtare, e cila shpërfaqet me një nivel të lartë trajtesash, që nuk izolohen në rrafshin patetik të thirrjes për atdhedashuri, por analizohen edhe aspektet historike, kulturore dhe shkencore, si baza e traditës dhe e identitetit shqiptar.

Boshti kryesor i këtyre trajtesave për çështjet historike/kombëtare vërtitej në dy drejtime:

Së pari, në pasqyrimin e ngjarjeve të aktualitetit. Në vitet ’89-’90 u ndalua veprimtaria e një sërë mediesh elektronike dhe të shkruara në gjuhën shqipe, ndër të cilat u ndalua edhe qarkullimi i gazetës “Rilindja”. Në këto rrethana revista “Dituria Islame” u bë zëri kryesor i informacioneve për publikun, ku gjenin raportim ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe më gjerë. Siç shprehej kryeredaktori i revistës së asaj kohe, Qemajl Morina, “nevoja për të ishte si për bukë”. Pjesë e revistës ishin edhe lajmet nga bota, veçanërisht me ngjarjet e dhimbshme, me të cilat po përballej bota islame, si: tragjedia e muslimanëve të Bosnje-Hercegovinës (1990-1994), agresioni rus në Çeçeni, çështja e Palestinës etj.  Sigurisht raportimet për Kosovën ishin në qendër të vëmendjes, sepse e gjithë bota kishte drejtuar sytë në përpjekjet që ky vend po bënte për çlirimin nga okupatori serb. Në këto raportime spikat karakteri guximtar denoncues për dhunën dhe barbaritë e policisë serbe mbi shqiptarët, si për shembull kronika për helmimet masive të shqiptarëve nëpër shkolla, burgosjen e njerëzve të pafajshëm dhe shkarkimet masive nga puna. Këto kronika paraqiteshin në trajtë objektive dhe sipas deontologjisë gazetareske, botoheshin edhe qëndrimet zyrtare rreth tyre. Nga viti 1997-1999 një vend të rëndësishëm në revistë zë edhe mbështetja e madhe për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shkrimet motivuese për rrugën drejt lirisë si e drejtë themelore e identitetit të individit dhe të shoqërisë.

Pas luftës së Kosovës, një vëmendje të veçantë ka marrë marrëdhënia e shtetit të ri të Kosovës me Evropën dhe sfida për konturimin e tipareve shoqërore në përputhje me ligjin e Zotit. Kështu, u botuan një sërë shkrimesh didaktike që lidhen me formimin qytetar të lexuesve.

Përveç raportimeve, ngjarjet pasqyroheshin edhe në trajtën e opinioneve,  ku veçojmë disa prej këtyre titujve për të kuptuar thelbin tematik: “Kriza kosovare dhe roli i bashkësisë islame”, “Nuk ka fe pa atdhe”, “ Shqiptarët viktimë e pansllavizmit në kohën e krizës lindore”, “Mbi relacionet midis kombit dhe fesë”, “Planet sekrete për likujdinimin e shqiptarëve nga Kosova 1950-1956”,  “UÇK-ja faktor vendimtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, “Dëshmorët nuk vdesin”, “Çështja shqiptare në shtypin arab”, “Çështja e Kosovës në shtypin amerikan” etj.

Së dyti, tek rikthimi në ngjarje të historisë. Herë pas here, sidomos në periudhën 1990-1999 ndeshim tema historike, që lidhen me ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar, si: Lufta e Kosovës 1389, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe sidomos risjellja në vëmëndje e ngjarjave dhe personaliteteve që kanë lënë gjurmë në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Këto shkrime kanë edhe vlerë dokumentare shkencore, për shkak të të dhënave biografike që sillen mbi figura të shquara të kombit shqiptar, të tilla si: Sami Frashëri (Nr. 18, f. 17-21); Hoxha Hasan Tahsini (Nr. 19, f. 12-15); Naimi-dritë që nuk shuhet (Nr. 20, f. 18-23); Nezim Frakulla-poet meditative (Nr. 21, f. 24-28); HoxhëVoka -Said Najdeni (Nr. 25,f. 16 dhe nr. 26, f. 37); Qamil Bala- patriot dhe veprimtar i shquar i arsimit  (Nr. 57, f. 28); Hafiz Ibrahim Dalliu (Nr. 64, f. 18-19); Tahir Dizdari- orientalist i shquar (Nr. 51, f. 12-23) etj.

Karakteri historiko-kulturor i revistës “Dituria islame” shpërfaqet edhe në trajtimin e temave që lidhen me vatrat e shqiptarisë në vende të ndryshme të botës, duke i shërbyer kështu bashkimit të copëzave të mozaikut shqiptar nëpër botë. Shkrimet vijuese janë dëshmi e kësaj pune të kujdesshme dhe me vlera shkencore: “Një fole e shuar e kulturës shqiptare në Egjipt” (Nr. 15-16); “Të dhëna arkivore mbi shqiptarët në Arkivin e Egjiptit”  (Nr. 18, f. 47); “Me shqiptarët e Turqisë” (Nr. 19, f. 39); “Nga shkalla e kulturës dhe e civilizimit të një populli” (Nr. 26, f. 20-23); “Shqiptarët dhe trashëgimia evropiane” (Nr. 44, f. 19-20); “Shqiptarët në Libi”  (Nr. 70, f. 29-30) etj.

 

Vlen të theksohet gjithashtu se niveli i shkrimeve publicistike dhe i përkthimeve ishte shumë i lartë, sepse në këtë revistë shkruanin intelektualët më të rëndësishëm të kohës, me përgatitje në fushën e kulturës dhe të shkencave islame, e më gjerë, por njëherësh përzgjidheshin për botim edhe emra të ndritur të kombit. Veçojmë disa prej tyre: Prof. dr. Muhamet Pirraku botoi: “Shëmbëlltyrë e ndritshme e historisë kombëtare” (Nr.19, f. 18-22); “Përgjegjësia për fjalën e shkruar” (Nr. 37, f. 20-22); Akademik Rexhep Ismaili: “Fe dhe komb të shqiptarit” (Nr. 19, f. 29-30); Prof. Zekiria Cana (historian): “Nuk ka fe pa atdhe!” (Nr. 22-23 ); Prof. Gazmend Shpuza: “Në gjurmët e një vepre të panjohur të Naimit” (Nr. 26, f. 34); Prof. Hasan Kaleshi: “Kontributi i shqiptarëve në disiplina shkencore”  (Nr. 44, f. 26-29); Prof. Keçmezi-Basha, Sabile – “Roli i femrës në ruajtjen e identitetit kombëtar” (Nr. 44); Prof. Mahmut Hysa: “Koncepti moralo-etik në veprën e Said Najdenit” (Nr. 52, f. 21-23) etj.

Shkrime të tilla janë dëshmi e faktit se shtypi islam në Kosovë pati një rol të rëndësishëm për konsolidimin e identitetit shqiptar në mënyrë të qytetëruar, larg shembujve të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Këto periodikë u sinkronizuan plotësisht me jetën dhe veprimtarinë kombëtare, me interesat dhe me problemet e mëdha të atdheut.

 

 

 

Share: