Meta nuk i ndahet çështjes për referendumin: Të hënën paraqes ide konkrete

Aktualitet Kryesore Politikë

Pasi bëri dje thirrje për referendum për situatën politike në vend, presidenti Ilir Meta ka risjellë në vëmendje se çfarë parashikon Kushtetuta në këtë rast.

Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, këtë herë Meta thekson se të hënën do të propozojë ide më konkrete rreth këtij fakti.

Teksa ka sulmuar qeverinë, kreu i shtetit thekson se: “Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve”

REAGIMI I METËS

Të dashur qytetarë!

Ja çfarë ka vendosur populli shqiptar në referendumin për Kushtetutën:

Neni 150

  1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
  2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
  3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte!

Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!

Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve.

Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet?

Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!

Share: