Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka qenë zëri kryesor kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një qëndrim i tillë ka irrituar të gjithë, krerët e institucioneve të BE-së, SHBA-në e madje edhe shtetet tjera që aspirojnë anëtarësimin në Bashkim Evropian.
Më i prekur nga një qëndrim i tillë i Francës është ndarë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili edhe arriti marrëveshjen historike me Greqinë për emrin.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut thotë se një zhvillim i tillë e ka shkatërruar si personalisht por edhe psikologjikisht.
“Një gjë e tillë më ka shkatërruar personalisht, dhe psikologjikisht”, ka thënë Zaev, teksa shpreh edhe shqetësimin jo vetëm për veten dhe shtetin e tij por edhe për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor, shkruan New York Times.
Zoran Zaev thotë se një zhvillim i tillë i hap rrugë rritjes së radikalizmit dhe, gjithashtu, konflikteve brenda shteteve dhe, gjithashtu, edhe të shteteve në mes vete.
“Nacionalizmi dhe radikalizmi mund të rriten përsëri. Aty ka një rrezik për hapjen e konflikteve brenda shteteve përsëri. Gjithashtu, për të hapur konflikte në mes të shteteve përsëri”, ka thënë Zaev.
Tutje kryeministri maqedonas thotë se janë udhëhequr nga shpresat që u kishte thënë Bashkimi Evropian, megjithatë potencon se pas zhvillimeve të fundit rajoni është në errësirë dhe kush e di se nga do të shkojë.
Në këtë shkrim të NYT, gjithashtu, përmendet edhe fragjiliteti i Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, dhe gjithashtu edhe përpjekja e Rusisë për rritje të influencës në Ballkan, kërcënim ky që i druhen edhe SHBA-ja.
Lidhur me këtë situatë për NYT ka folur Albert Musliu, nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike, i cili thotë se tashmë nuk ka vizion rreth asaj se si duhet të ecet.
“Tani jemi pa një vizion. Dhe kur nuk ka vizion, opsionet tjera fillojnë të shfaqen, dhe ato mund të jenë të rrezikshme”, ka thënë Musliu.
Musliu, gjithashtu, ngre shqetësime se akterë të jashtëm mund që lehtë të nxisin përçarje, pasi që një shumicë e madhe në Maqedoni janë shqiptarë.