Macron përsërit fjalët e presidentes injorante kroate

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

Ka disa vjet që presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq e përshkruan Bosnjë-Hercegovinën si vatër të terroristëve islamikë. Për të “dëshmuar” këtë, shërbimi sekret kroat ka shantazhuar shtetas të Bosnjës. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tani, sa i përket Bosnjës, ka përsëritur fjalët e presidentes kroate

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq ka disa vjet që po përpiqet të prezantohet në botën perëndimore si një heroinë që e mban lart bajrakun e luftës kundër vahabistëve dhe fanatikëve të tjerë islamikë, të cilët gjoja gjithandej nëpër Ballkan i kanë drejtuar tytat kundër “civilizimit perëndimor”. Në vitin 2017 Grabar-Kitaroviq deklaroi se në Bosnjë-Hercegovinë veprojnë 10 mijë xhihadistë. Të gjithë ata, sipas politikanes kroate, kanë qëndrim armiqësor ndaj Kroacisë dhe shteteve të tjera të Evropës Perëndimore. Asnjë dëshmi nuk e ofroi Grabar-Kitaroviq për deklaratën e saj. Ndonëse kreu i komunitetit mysliman në Bosnjë, Husein Kavazoviq, i bëri thirrje Grabar-Kitaroviqit të ofrojë detaje për akuzat e saj, ajo heshti. Dhe vazhdoi fushatën kundër Bosnjës.

Prapa kësaj politike të presidentes kroate fshihet synimi që Bosnja të prezantohet si vend pa ardhmëri për shkak të rrezikut nga islamikët. Rrjedhimisht, Grabar-Kitaroviq dhe politikanë të tjerë me orientim nacionalist në Zagreb kërkojnë që në Bosnjë të themelohet një entitet i tretë për kroatët – krahas entitetit ekzistues serb dhe entitetit boshnjako-kroat. Duke luftuar për një entitet të veçantë, politikanët kroatë të Bosnjës, të përkrahur edhe nga diplomatët dhe agjentët e Zagrebit, janë afruar me regjimin e Milorad Dodikut në të ashtuquajturën Republika Srpska. Kur kjo kuazirepublikë më 9 janar e shënon në Banjallukë përvjetorin e themelimit të saj, aty shkojnë edhe diplomatët kroatë – një veprim që deri para pak vjetësh nuk mund të merrej me mend.

Viteve të fundit, siç kanë dëshmuar mediat në Sarajevë, shërbimi sekret kroat është përpjekur të shantazhojë shtetas të Bosnjës të punësuar në Kroaci apo në Slloveni. Ata janë ndaluar nga agjentët kroatë, të cilët u kanë premtuar leje të qëndrimit dhe privilegje të tjera nëse pranojnë të vendosin armë afër xhamive në Bosnjën veriore. Sipas këtij skenari, agjentët kroatë pastaj do të alarmonin kolegët e tyre boshnjakë mbi xhamitë me armë. Kështu do të alarmohej edhe opinioni evropian dhe politikanët kroatë në pushtet, përfshirë edhe Kolinda Grabar-Kitaroviqin, do të rrihnin gjoks si mbrojtës të Perëndimit. Deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron, se Bosnja është vatër e fanatikëve islamikë, përputhet me propagandën që e ka zhvilluar kryetarja kroate prejse është zgjedhur në post.

Zyrtarisht Kroacia mbështet hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë për hyrje në BE. Por, duhet dalluar nuancat. Gjatë verës Grabar-Kitaroviq mbajti një fjalim në Universitetin e Zürichut. Me atë rast ajo tha se i vinte veçanërisht keq për Maqedoninë e Veriut për shkak të bllokimit të negociatave. Shqipëria ishte thjesht e dyta në radhë.

Në përgjithësi vërehet një tendencë e Kolinda Grabar-Kitaroviqit për t’iu vardisur qarqeve të djathta në Evropë. Ajo i ka mbrojtur me këmbëngulje aksionet dhe dhunën e policisë kroate kundër refugjatëve nga Lindja e Afërt dhe gjetiu, të cilët po tentojnë të dalin në Kroaci nga territori i Bosnjë-Hercegovinës. Shumë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të refugjatëve kanë kritikuar ashpër Kroacinë për represion.

Afërsia e Grabar-Kitaroviqit me qarqet nacionaliste në Kroaci ka ngjallur kritika të shumta në mediat liberale dhe të majta në Zagreb. Për t’u dukur sa më patriote, presidentja ka deklaruar disa herë se ka vuajtur shumë në Jugosllavinë komuniste, ku, sipas saj, ajo nuk kishte as jogurt për të ngrënë. Jugosllavia nuk ka qenë shtet ideal, as demokratik, ka qenë një semidiktaturë, por që në krijesën e Josip Broz Titos nuk ka pasur jogurtë, kjo është vetëm pjellë e fantazisë së Grabar-Kitaroviqit, e cila në vitet ‘80 ishte mjaft e privilegjuar dhe shkollën e mesme e kreu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një privilegj që e kishin pak fëmijë në Jugosllavinë e atëhershme.

Me deklaratat e saj pothuaj në kufi të së palejueshmes, Grabar-Kitaroviq po tenton të mobilizojë elektoratin e ekstremit të djathtë, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet presidenciale më 22 dhjetor. Raundi i dytë do të mbahet më 5 janar 2020./Koha.net

Share: