KOSOVA, GJAKU QË NUK FALET!

Kritikë Letrare Kulturë Uncategorized

Poeti Ali Podrimja mbetet një nga autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë që rikonturoi identitetin shqiptar përmes shprehjes poetike moderne. Ai është pasardhësi më i denjë i ideve dhe parimeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por të trajtuara në një formë tjetër: më të thellë, më estetike dhe më eliptike. Me vetëdijen e vet letrare i kapërceu kufijtë politikë e krahinorë për të rindërtuar në vargje etninë shqiptare. Rikrijimi i kësaj shëmbëlltyre e rrethon atë me aureolën e poetit kombëtar

Shkruan: Jolanda LILA, Tiranë

 “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!” është vargu emblematik që identifikon jo thjesht poetin Ali Podrimja, por mbetet lajtmotivi shënjues i historisë së Kosovës nën dhunën dhe censurën nacionaliste serbe. Tashmë, pas 10 vjetësh pavarësi, kanë mbetur ende vragat e persekutimit dhe shtypjes shumëvjeçare, gjë që reflektohet në shumë sfera të jetës shoqërore e psikologjike në Kosovë.

Pas një dekade në liri sërish të ndërmendet vargu i poezisë “Epika” të shkruar në vitin 1961, kur autori ishte vetëm 19 vjeç. Ky varg shënjon idealin e sakrificës sublime të shqiptarëve në emër të atdheut dhe të lirisë; përçon gjithë forcën tragjiko-heroike të zgafelleve më të thella të vetëdijes kombëtare. Ky varg është edhe lajtmotivi i thelbit të poezisë së Ali Podrimjes, e cila në qendër të saj ka etninë shqiptare. Edhe pse ka krijuar nën presionin e censurës, autori i ka gjetur shtigjet për t’i bishtnuar asaj, duke ndërtuar sisteme origjinale metaforike, metonimike dhe simbolike.

Si e rikrijon shëmbëlltyrën e etnisë shqiptare Ali Podrimja? Kësaj pyetjeje i përgjigjet vetë Ali Podrimja, në një intervistë më 1999, për revistën “Universi shqiptar i librit”, teksa deklaronte: Poezia ime është një pyll simboleshpor aty shumë lehtë mund të hyhet; mjafton të ndalesh dhe ta shfletosh historinë e popullit.”

Në gjithë mekanizmin e simboleve të poezive përftohet historia. Simbolika e vargut së tij është komplekse, kryesisht private, individuale, që konsiston në ndërlidhjen, shpeshherë irracionale të fjalëve, të figurave dhe të imazheve poetike dhe kjo sjell mjegullnajë të shprehjes, të mesazhit dhe të vetë thënies poetike. Është gjuha konotative ajo që i jep shumësi kuptimore poezisë së tij dhe, shpesh, realizon edhe përmbajtje tejracionale.

Përmes kësaj gjuhe poetike, ai e rindërton hartën e etnisë, duke njësuar viset shqiptare më të skajshme, nëpërmjet larghedhjeve në kohë dhe përdorimit të toponimeve e hidronimeve me vlerën e simboleve historike: Arta, Preveza, Shkodra, Janina, Iliria, Atlantida, Vaterloja, Drini, Buna, Joni, Ohri, Vardari etj. Pra, gjithë historia shekullore e shqiptarëve ringrihet përmes kësaj harte poetike, që e gjen në shumë poezi të Podrimjes.

Shëmbëlltyra etni – atdhe përftohet edhe përmes simboleve të krijuara mbi bazën e figurave historike, të tilla si: Sulltani, Mbreti Dioklecian, Skënderbeu, Ali Pasha, Foto Xhavella, Marko Boçari, Bubulina, Teuta, Genti, figura që bashkëveprojnë në kohë e hapësira të ndryshme të shqiptarisë. Në funksion të kësaj shëmbëlltyre përvijohen më tej edhe datat historike të shndërruara në simbole për etninë, si për shembull përdorimi në brendësi të poezive i viteve të caktuara: 1978, 1913, 1981, 1982, 1924, 1945, 1992. Të gjitha këto vite janë historike për fatin e shqiptarëve; 1878 – Lidhja e Prizrenit, që lindi si domosdoshmëri për ruajtjen e tërësisë së Shqipërisë pas vendimeve për copëtimin e saj në Kongresin e Berlinit; 1913 – Konferenca e Londrës, ku u vendos copëtimi i tokave shqiptare; 1924 – Rivendosja e serbëve në Kosovë dhe 1945 – Ripushtimi i Kosovës pas Luftës së Dytë botërore etj., pra këto data nënkuptojnë rrethana me rëndësi për kombin shqiptar.

Përveçse me anë të përdorimit të simboleve të gjeohistorisë, Podrimja e rikrijon hartën e atdheut të përçarë edhe përmes përdorimit të simboleve mitologjike.

Në letërsinë e sotme shqipe, por edhe në letërsitë e tjera të Ballkanit, historia shpesh vepron si mit, ndërsa miti vepron si histori. E, në këtë pikëpamje, ai ka ditur të aktualizojë prej lëndës mitologjike, figura e dukuri arketipore, që përkojnë me idetë, frymën dhe ndjeshmëritë e kohës ose të mjedisit, të cilit ai i përket. Simbolet më të shpeshta, që rimerren dhe rikontekstualizohen janë ato që shënjojnë humbjen, të tilla si Troja, Dodona, Hadi, Sizifi dhe simbole që shënjojnë rikthimin tek “e humbura”, konkretisht tek atdheu i vërtetë dhe tek fuqia e madhe që merr prej tij, që përcillet përmes simboleve si Itaka ose Anteu.

Pavarësisht trajtave të shpërfaqjes, simbolet dhe gjithë figurat e tjera të poetikës së Ali Podrimjes kanë një emërues të përbashkët funksional: rrezikun e zhbërjes së esencave kulturore, politike e kombëtare shqiptare nga trysnia e vazhdueshme e politikës agresive dhe shoviniste, nga njëra anë, si dhe shpalosjen e një varg dobësive tona të brendshme në rrafsh politik dhe kulturor.

Për sa kohë që shqiptarët vijojnë të jenë të përçarë mes njëri-tjetrit, brenda e jashtë kufijve politikë dhe vënë interesat e veta meskine para atyre kombëtare, vargjet e Podrimjes vijojnë të jetë një kushtrim, që nuk parashikuan vetëm ditën e lirisë prej uzurpuesit, por vijojnë të proklamojnë nevojën e bashkimit, së paku në planin kulturor. Të mos shihen kahjet përndarëse me përcaktime të tipit “letërsia e përtej-këtej kufirit”, “letërsia e autorëve kosovarë” etj., por pjesët e këtij mozaiku të unifikohen në sistemin letrar shqiptar. Vetëm kështu mund të tregojmë, përpara botës, mënyrën më të fisshme të “gjakut që nuk falet”.

 

Share: