Atentati ndaj prokurorit, hetim çështjeve të pronave në bregdet dhe ato të Skerdilajd Konomit

Aktualitet Kronikë Kryesore

Përplasja e grupeve kriminale në Durrës për zotërimin e pronave në Gjirin e Lalzit, është pista kryesore ku po heton prokuroria e Krimeve të Rënda, për atentatin e mbikalimit të Shkozetit mbi automjetin privat të prokurorit të Durrësit, ku mbeti i plagosur Arjan Ndoj, shoferi i tij Andi Maloku dhe bashkëudhëtari tjetër, Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur me nofkën ‘Rrumi’, një personazh i njohur në botën e krimit të organizuar.

Burime të besuara pranë grupit të hetimit thanë se po hetojnë rreth disa proceseve gjyqësore që kanë në qendër tjetërsimin e pronave që ka cuar në përplasjen e ashpër mes njerëzve të botës së krimit.

Dosja e parë që është sekuestruar nga Krimet e Rënda, është ajo e procesit të Pal Selçunit, 74 vjecar, të cilin gjykata e Durrësit e njohu pronar në një sipërfaqeje prej 45 mijë metra katrorë.  Cështja e Selçunit u përfaqësua nga studio e bashkëshortes së Arjan Ndojit. Në gjykim ishin palë Avokatura e Shtetit dhe Bashkia e Durrësit. Por asnjëra prej tyre nuk e ankimoi vendimin. Menjëherë sapo mori formë të prerë, Selçuni e shiti pronën familjes Muharremi.  Në këtë sipërfaqe do të investonte miliona biznesmeni Libanez Faad Mitri, i cili u rrah barbarisht dhe u largua nga Shqipëria, duke u tërhequr nga projekti.

Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ i dyshuar se urdhëroi rrahjen e amerikano- libanezit Mitri, asnjëherë nuk u mor nën hetim nga prokuroria për këtë ngjarje.

Një tjetër dosje, është ajo e pronave të pretenduara nga gjyqtari i ndjerë i Vlorës, Skerdilajd Konomi. Referuar dokumentave, është familja Toptani e cila ka një proces gjyqësor të hapur me familjen Konomi, për një sipërfaqe prej 275 hektar më vendndodhje në Hamallaj të Durrësit. Në pamje të parë, duket që ky proces nuk ka lidhje me atentatin e ndodhur pasditen e 1 nëntorit. Por fakti që në këtë proces janë përfshirë persona me lidhje me Aleksandër Lahon ngre dyshime të forta. Padia po shqyrtohet aktalisht nga gjykata e Durrësit, e cila do të vendosë se cila nga palët nga të drejtë.

Beteja e vërtetë duket se nuk po zhvillohet në gjykatë, por jashtë dyerve të saj, pasi në mes kanë hyrë të fortët, të cilët korruptojnë punonjës të administratës, prokurorë e gjykatës.

Në sitën e grupit të hetimit të Krimeve të Rënda, janë duke kaluar edhe disa prona që dyshohet se familja Muharremi ka zaptuar, kryesisht prona shtetërore, por që sot janë të regjistruara në emrin e tyre.

Materialet e gjetura në automjetin e prokurorit Ndoj, po verifikohen nga prokuroria nëse janë dosje hetimore të tij, apo janë dokuimenta që lidhen me pronat që pretendonte bashkëudhëtari i tij Rrumi.

Për atentatin tek mbikalimi i Shkozetit, prokuroria ka arrestuar Rredjan Rrajën, si të dyshuarin kryesor që qëlloi mbi automjetin e prokurorit Ndoj duke e lene atë të plagosur dhe dy miqtë e tij./BW

 

Share: