Propaganda e të Majtës dhe pse nuk u ndëshkuan ish-zyrtarët e PD-së?

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Atentati i fundit që ndodhi me prokurorin e Durrësit dhe ato që kanë ndodhur para tij kanë treguar se Shqipëria ka një strukturë krimi të sofistikuar dhe një rrjet të së keqes, në të cilin ka aktorë të ndryshëm në të gjitha sferat. Nëse është i vërtetë dhe lajmi, që në makinën e tij janë gjetur dokumentet e të ndjerit Konomit dhe të tjera, atëherë thjesht konfirmohet ajo që dihet nga të gjithë shqiptarët dhe i ka bërë që t’i drejtohen Rinasit: Humbja pakthim e shpresës. Bota e krimit është e lidhur më së miri dhe ata janë një sistem ndaj të cilit duhet i gjithë shteti dhe sërish lufta është e vështirë.

Shqipëria vuan nga një humbje totale shprese pasi nuk ka punë, jeta është me kosto tejet të lartë, e pasigurtë, e nëse një qytetar i thjeshtë mezi arrin pas shumë peripecish të legalizojë diçka, “të fortët” kanë disa shtëpi, dokumentet e të cilave bëhen menjëherë; ekonomia jonë i shpërndan të ardhurat e saj në pak duar; kurse politikanët vetëm sa pasurohen pa u trembur për burimet që deklarojnë apo jo.

Ka shumë optimistë që mendojnë se SPAK-u dhe organet e reja të Drejtësisë do të bëjnë kthesën e madhe, por duket se kanceri i pandëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e larta të politikës dhe të qeverisjeve është i pamundur të shkulet me një terapi të zakonshme. Ai është ngulur thellë dhe madje deri në nënvetëdije.

Kushdo i mban mënd ditët, javët dhe muajt e parë të ardhjes së të Majtës, gati gjashtë vjet më parë. Aq të qarta ishin objektivat dhe shpallja se krimi do merrte goditje sa nuk do dinte ku të shkonte, saqë njerëzit prisnin me radhë të shikonin ish-zyrtarët e Ekzekutivit të PD-së që t’i bënin shoqëri njëri-tjetrit në burg. Por, ish-ministri i kohës së Fajdeve Bode, që u riciklua sërish nga Berisha jo vetëm nuk u akuzua por pak vite më parë ishte në strukturat e Bankës Kombëtare; u akuzua Ministri i Arsimit, por më pas doli i pafajshëm; ai i Brendshëm, por të gjithë ishin të …pastër. “Epo ne nuk jemi gjyqësori, do thoshte e thotë me të drejtë kryeministri, paçka se kur i intereson flet edhe në emër të Drejtësisë.

Vetëm pak kohë kaloi në Demokraci për t’u kuptuar se politika më shumë sesa fjalët shërbente si tendë, ku gjetën vend lloj-lloj sorollopi i krimit të vendit. Fati i dekriminalizimit bëri që shumë prej tyre syresh të iknin, por PD ashtu si PS, të dyja sot, kurrë nuk e pranuan atë se ato vetë kontribuuan. Ndaj, ndodh që sot propaganda e të Majtës gjithçka e lidh me PD-në, kur kjo e fundit me Turin e Ri të pak ditëve më parë mëton të rrëfejë se ajo krimi lulëzoi vetëm në kohën e PS-së. Po ku vajtën të akuzuarit e PD-së? Ku janë të akuzuarit e mëdhenj të PS-së?! Në fakt, nuk pastrohesh dhe nuk je më i mirë kur je në Opozitë!? Këtë nuk kemi dëgjuar sot nga PD-ja dhe Mea Culpa e saj, ashtu si me të gjitha gjasat nuk do e dëgjojmë më nga ana e PS-së, nëse do të humbë zgjedhjet e ardhshme.

Shqipëria do e ketë të vështirë pastrimin nga krimi pasi tani ky ka marrë qytetari të plotë dhe është sofistikuar në atë drejtim, saqë e përligj dhe me renomenë ndërkombëtare, por edhe me pozitën e respektuar që mban te Bota e Zezë ndërkombëtare e krimit. Dhe, politika shqiptare i ka shërbyer në këmbim të përfitimit por edhe të mbajtjes së kësaj statuskuoje. Mbi të gjitha, partitë kanë një pakt të pafolur, që nëse je në Opozitë pret kinse-rrufetë e Pozitës, por përgatitesh për kohën tënde për të bërë të njëjtën gjë: Duke gjuajtur me fjalë.

Kjo të vjen ndërmend kur kujton dhe pret se ku janë fjalët e sotme të së Majtës për krimin dhe përballjen e suksesshme me të dhe pse nuk u futën kurrë në burg, njerëzit e akuzuar rëndë të PD-së. Me sa duket kjo do të vazhdojë gjatë derisa Reforma në Drejtësi do të funksionojë deridiku. Por deri atëherë dhe për çdo ditë, javë dhe muaj, shqiptarët do e lenë Shqipërinë me të njëjtin ritëm. (Javanews)

 

Share: