LDK në ligatinën politike

Analizë Opinion

4 javë pas zgjedhjeve parlamentare LDK e përmend kalimin në opozitë si opsion. Këtë mund ta bëjë vetëm LDK, një parti që o doli e para, o e dyta – përherë e ka një problem: nuk di çfarë të bëjë me besimin që ia kanë dhënë votuesit. Kjo sjellje skandaloze e LDK-së është fyerje e votuesit që më 6 tetor përkrahu një ndryshim rrënjësor politik. Partia që i ikën përgjegjësisë nga hidhërimi që nuk doli e para në zgjedhje, nuk e kualifikon vetëm në ligën e kredibilitetit.

Nga Enver Robelli 

Që nga rënia e komunizimit para tri dekadave me gjasë nuk ka ndodhur askund në Europën Lindore që një parti e cila fiton vendin e dytë në zgjedhjet parlamentare dhe ka shanse reale që me partinë e parë të krijojë një qeveri stabile, vetëm katër javë pas zgjedhjeve të thotë: ne kalojmë në opozitë nëse nuk merremi vesh me VV-në. Këtë po e thotë LDK, në 30-vjetorin e themelimit të saj.

Këtë mund ta bëjë vetëm LDK, një parti që o doli e para, o e dyta – përherë e ka një problem: nuk di çfarë të bëjë me besimin që ia kanë dhënë votuesit. Kjo sjellje skandaloze e LDK-së është fyerje e votuesit. A ka votuar ndokush për LDK-në që kjo parti vetëm katër javë pas zgjedhjeve të përmend opozitën si opsion? Jo. Nuk ka votuar.

Që nga 6 tetori LDK pothuaj çdo ditë huton opinionin me qëndrime konfuze. Krerët e saj duan postin e presidentit ndonëse Kosova ka mbajtur zgjedhje parlamentare dhe kryetari i ri apo kryetarja e re e shtetit zgjidhet në vitin 2021. Për të mirën e Kosovës është që presidenti apo presidentja e ardhshme të jetë një personalitet që nuk është i zhytur në ligatinën e deritanishme politike.

Që nga shpallja e pavarësisë Kosova nuk ka pasur fat me presidentë: Fatmir Sejdiu dëshironte të vallëzonte në dy dasma (hem president, hem shef i LDK-së), dihet si mbaroi puna e tij: e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Atifete Jahjaga e mori postin jashtë çdo rregulli demokratik dhe si pasojë e zarfologjisë parapolitike kosovare. E vetmja e mirë e saj ishte se nuk u përlye në moçalin e korrupsionit dhe aq sa kishte mundësi u përpoq të prezantojë Kosovën në botën e jashtme. Zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit u bë në rrethana dramatike dhe si rrjedhojë e pazareve politike. Rezultatet po i shohim: një president i akuzuar për bisedime të fshehta për prishjen e kufijeve të Kosovës dhe për organizimin e rrëmbimit të disa shtetasve turq. (Lista e skandaleve të tjera është e gjatë).

Përveç postit të presidentit LDK kërkon që në qeverinë e ardhshme të ketë shumicën e ministrive, nëse VV do të ketë postin e kryeministrit. Edhe kjo është një kërkesë për shantazhim të partnerit. Epërsia e VV-së nuk është gjigante, por prapë epërsi është. Si do të sillej LDK po të kishte një epërsi të tillë ndaj VV-së? Ndoshta as që do të pranonte të negocionte për qeverinë e re. Nëse VV në Kuvendin e ri do të ketë 32 deputetë dhe LDK 30, atëherë logjike do të ishte që secila parti të kishte nga 6 ministri. Fakti që LDK publikisht më shumë po flet për poste se sa për program qeverisës tregon se kjo parti ende nuk e ka lexuar mirë mesazhin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Deklaratat e tipit «emri i kryeministrit të ri kalon nëpër zyrat e LDK-së» janë shembull i arrogancës dhe injorancës. E nga cilat zyrë do të kalojnë emrat e ministrave të LDK-së? Nga cila zyrë do të kalojë edhe emri i presidentit të ri që po e kërkon LDK?

Një kohë të gjatë Albin Kurti jo pa të drejtë është fajësuar për disa qëndrime të diskutueshme (flamuri, himni, Ibrahim Rugova, gazi lotsjellës, krimet e individëve të UÇK-së). Këto qëndrime ai i ka reviduar muajve të fundit. Dëshiron të respektojë simbolet e Kosovës, ndaj Rugovës, më në fund, tregoi qëndrim pak a shumë korrekt, me fjalë të matura e pranoi se kush ka kryer krime të luftës duhet të dënohet – qoftë ai edhe individ i UÇK-së. Athua kjo s’po i mjafton LDK-së? Athua LDK ende frikësohet se në qeverinë e re do të mbesë nën hijen e Kurtit?

Mund të mbesë nëse vazhdon të jetë e ngathët, pa ide, pa gjallëri, pa ideale. Këto LDK-së nuk mund t’ia injektojë as Kurti, as opinioni i gjerë publik. LDK duhet të gjallërohet vetë. Dhe gjallërimin nuk e arrin dot me figura pa kredibilitet publik. LDK duhet ta shohë qeverinë me VV-në si shans për një garë të ideve. Si parti LDK ka përvojë të gjatë në institucione (për të mirë dhe për të keq). LDK mund të koncentrohet te trashëgimia e mirë. Sepse nuk është se VV ka një armatë kuadrosh që do të qeverisin si ministrat suedezë, norvegjezë apo zviceranë. E retorika e Kurtit mund të zbehet shpejt dhe ta humb magjinë kur të fillojë të ballafaqohet me problemet krejt reale tokësore dhe të mos ketë kohë të merret me halle hyjnore.

Share: