Romancieri, poeti, eseisti, kritiku letrar dhe piktori Hermann Hesse, është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX.
U lind më 1877 në qytezën Calw pranë Würtenburg-ut dhe vdiq në vitin 1962 në Lugano të Zvicrës. Ishte djalë i një pastori, dhe nipi i një misionari kalvinist, ambient i cili kishte lënë gjurmë në formimin e personalitetit të tij.
Studimet e teologjisë i braktisi që herët, ndërsa më vonë punoi si mekanik dhe librar në Thüringen. Në botëkuptimin e tij moral dhe filozofik ishte natyralist, mistik, budist, humanist dhe fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit, të cilët ia ndaluan disa vepra dhe vizitat në Gjermani.
Është i njohur dhe i përkthyer në më shumë se 60 gjuhë të botës. Përpos prozës, Hesse është edhe njëri nga poetët më të mirë të letërsisë
gjermane. Veprat më të njohura të Hesses janë Siddhartha, Ujku i Stepës, Narcisi dhe Gojarti si dhe Loja e rruazave prej qelqi.
Hesse mori çmimin Nobel për letërsi më 1946.
ÇDO MBRËMJE
Çdo mbrëmje ditën analizo
Në mos Perëndisë s’i ka pëlqyer kjo,
A ishte ai i gjallë në vepra e besim,
Apo i shtrirë dhe i dekurajuar në frikë e pendim;
Emrat e më të dashurve përmend,
Kujto a ke pohuar në heshtje të padrejtën pa vend,
Turpërohu për çdo të keqe,
Mos shko të flesh me gjërat që ju ke bërë leqe,
Në shpirt mos mbaj brenga,
Por pusho i qetë si fëmija te nëna.
Pastaj nga brenda i ngushëlluar
Më të dashuritë e tu, duhet kujtuar,
Nënën dhe fëmijërinë;
Kështu, i gatshëm e i pastër rrinë,
Shijo thellë burimin e gjumit të ftohtë,
Aty ku ëndrrat tunden me shpresë plot,
Dhe ditën e re me ide të qarta ar
Fillo si një hero e fitimtar.
KËSHILLA
Jo djalosh, kërkoje vetë rrugën tënde!
Rruga ime tutje shkon.
Ajo është e gjatë dhe e mundimshme
Përmes ferrave, natës e dhembjes vazhdon.
Më mirë shko me të tjerët atje!
Rruga është e rrëshqitshme dhe shumë e rrahur,
Unë dua të ec drejt vetmisë sime!
Të jem i vetëm duke u lutur.
Të dukem duke qëndruar në majë të malit,
Krahun zili mos ma ke!
Bile m’ imagjinon edhe afër qiellit –
Ah po e shoh, mali vetëm një kodër qe!
I LODHUR NGA DASHURIA
Lodhja në një degë peme
Si era e përgjumur peshon.
E dora ime gonxhen e kuqe
Në vapën e diellit përvëlues e lëshon.
Gonxhe shumë kam dhuruar
I kam parë që vyshken e lulëzojnë;
Gëzime e dhembje që vijnë e shkojnë
E që ndealur nuk janë.
poezi
Gjithandej kam shpërndarë
Edhe gjakun e zemrës sime në jetë;
S’e them dot, a do t ‘pendohem ndonjëherë?!
Një gjë e di, i lodhur kam mbet.
SI ËSHTË E MUNDUR?
Ndonjë kurorë nuk kam fituar
As nuk kam bërë rrugë shumë.
Si është e mundur pra, që nata e nxituar
E lodhur dhe e kotur shtrihet pranë meje si lum?
Një sirtar këngësh pranë më qëndron,
Gjithë veprimtaria dhe mirësia ime së bashku.
Freskia dhe shkëlqimi i rrethon
Edhe secili varg është i kuq si gjaku.
Ndonjë kurorë nuk kam fituar
As nuk kam bërë rrugë shumë.
Si është e mundur pra, që nata e nxituar
E lodhur dhe e kotur shtrihet pranë meje si lum?
SELVITË E SHËN KLEMENTIT
Lakojmë furishëm majat e holla të pemëve në erë,
Shikojmë parqet përplot më gra
Më lojë e të qeshura sodisim kopshtet,
Ku njerëzit lindin dhe varrosen.
Shikojmë tempujt, që ndër vite
Ishin përplot me zota e adhurues.
Zotat kanë vdekur e tempujt janë braktisur
Nëpër bar gjithandej shtrihen kolona të thyera.
Shikojmë lugina dhe hapësira të argjendta,
Ku njerëzit janë të lumtur, ku vuajnë dhe lodhen,
Ku kalorësitë kalërojnë e priftërinjtë predikojnë,
Ku farefisi dhe vëllezërit njëri–tjetrin te varri dërgojnë.
Natën kur vijnë stuhi të mëdha,
Të pikëlluar e të frikësuar për vdekje përkulemi,
Rrënjët e mbërthyera nga frika në heshtje presin,
A do të na rrëmbejë vdekja, apo vetëm pranë do të na kalojë?!
Përktheu: Lorenc Hajdari
/Redaktori.net