ZHGË-NJIM!

Kulturë Libri Politikë

Diçitura: KTHIMI NGA EUROPA.

Nga Viktor Bakillari

Shtyrja e “allishverisheve” (negociatave) evropiane në 18 TETOR 2019 për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian tashmë përbën Lajmin numër 1 në trojet shqiptare.
Thonë se suksesi ka shumë etër, ndërsa dështimi asnjë. Dështimi, ashtu si faji, është / mbetet kopil. Na e hedhin dhe ua hedhim ose anasjelltas.
Në jetë, si për njeriun, ashtu edhe për kombin, nuk ka dështime, por vetëm mësime të dhimbshme dhe mësimet, skandalet dhe rrëzimet përbëjnë Lajm, ndërsa Suksesi histori.
Këtë radhë, nuk u shënua histori për vendin tonë. 
“Allishverishet” u shtynë për më vonë.
Ishte pra një rrëzim, një lajm që, sido të vijë puna, si shkaktarëve të brendshëm, ashtu edhe atyre të jashtëm, pasi të mbarojnë me “Joie sournoise-in / Schadenfreude-in”, si neve të dëmtuarve, ashtu edhe miqve tanë, si “Çunit të Zyshës & Coo”, ashtu edhe neve, pa përjashtim na u prish pak gjaku dhe gjumi, por ja, të presim edhe dy ditë dhe, si gjithnjë, pas tri ditësh do të mbarojë çudia, lajmi i andrralltë e nuk do të flitet më për të.
Sivëllezër të mi,
Mos u mërzisni! Dështimi, thonë, është erëza që i jep aromën suksesit. Suksesi, duan apo nuk duan nërrotashkopinjvënësit do të arrihet përmes rrëzimeve anteliane (të ndjekur nga ngritje).
Ne jemi një vend me institucione ende të pakonsoliduara e me demokraci rioshe, të brishtë, ende të papjekur dhe shpeshherë gjithçka e re, rinore edhe pse ka ëndrra të mëdha dhe është pjellore, kur jeton në një kohë dështimore, në kohën e atyre që bëjnë diellin dhe breshrin, që kanë edhe gurin edhe arrën, të atyre që kanë fuqi të ndërrojnë edhe orën për të ecur para ose prapa, na del si detyrë të çohemi antelisht (si Anteu) e të vazhdojmë punët më me vrull.
E pastaj, në na pranoftë Evropa, shumë mirë; në mos, do të bëhemi si Zvicra.

Share: