Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar pas protestës që zhvilluan sot pasdite banorët e Unazës së re ku pjesë mori edhe opozita.
“Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos”, thotë Lleshaj.
Ministri Lleshaj në Facebook:
Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës.
Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos.
Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë:
Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht.
Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.
Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike!
E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale.
Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë.
E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale.
Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve.