Nga Urim Tusku
Zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur një pjesëmarrje të ulët, më pak se 50%, nga këto pak më shumë se gjysma ka fituar pushtetin.
Njeriu pa parti, shpreson në të mirën e përgjithshme, ai shkon të votojë vetëm kur ka argumente bindëse. Militanti shkon me hap rreshtor, se shpreson në marrjen e pushtetit nga forca që militon.
Njeriu pa parti, kërkon të jetojë në sajë të punës, nuk ka pritshmëri për të marrë paratë publike pa u lodhur. Ndryshe nga ai që është në një parti, nëse i vjen partia e tij në pushtet, ka pretendime të mëdha për pozicione dhe vende pune, se në fund të fundit ka kontribuar në marrjen e pushtetit.
Njeriu pa parti, punon çdo ditë, sepse beson se vetëm me punë arrihet mirëqenia. Kurse ai me parti, nëse partia e tij është forcë drejtuese nuk e bën qejfin qeder, në të kundërt ndërmerr aksione për të ardhur në pushtet.
Njeriu pa parti, irritohet dhe indinjohet nga padrejtësia, kurse njeriun me parti e irriton vetëm kur i preken interesat personale, ose të grupit politik që i përket.
Njeriu pa parti, shihet si pjesa gri e partive politike, sepse ai është përcaktues në zgjedhje. I rreshtuari është aty, në pritje të marrjes së pushtetit.
Njeriu pa parti, nuk i ndërron parimet për partinë. Kurse partiaku nuk e ndërron partinë për parime.
Njeriu pa parti, e kërkon shtetin e fortë, të jetë në shërbim të të gjithëve. I pozicionuari e sheh shtetin në funksion të pushtetit të vet.
Njeriu pa parti, interesohet për publiken, atë që u përket të gjithëve, i partishmi nuk e vret shumë mendjen, përtej shtëpisë së vet.
Njeriu pa parti, ka një vetëdije të lartë qytetare, që liria e tij përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Ai që është i pozicionuar në një parti liria nuk ka limit.