Rudina Hajdari i del në krah deputetit Valteri pas sulmit nga zëdhënësi i Presidentit, thirrje Metës: Mos i poshtëro punonjësit në atë mënyrë, duke i detyruar të bëjnë sjellje anormale

Aktualitet Kryesore Politikë

Deputetja Rudina Hajdari reagon ashpër ndaj sulmit që zëdhënësi i presidentit Meta i ka bërë pasditen e sotme deputetit të opozitës së re Halit Valteri.

Hajdari kërkon që Presidenti të ketë respekt dhe të mos poshtërojë punonjësit e vet në mënyrë që ata të mos sillen si të mangët nga trutë. Më tej, ajo shton se mënyra se si Presidenti, poshtëron rregullisht zëdhënësin e tij, duke e detyruar të bëjë postime që rëndojnë integritetin e një njeriu normal, tregon se Meta po keqpërdor vartësit dhe po i paraqet ata në publik si njerëz anormalë.

“Presidenti i Republikës duhet të ketë më shumë rrespekt për punonjësit e vet dhe të mos i trajtojë si njerëz të detyruar për të shfryrë makthet e tij dhe për tu përdorur si alibi që Presidenti është normal, por njerëzit rrotull tij sillen si të mangët nga trutë.

Mënyra se si Presidenti Ilir Meta, poshtëron rregullisht zëdhënësin e tij, duke e detyruar të bëjë postime që rëndojnë integritetin e një njeriu normal, na bën të besojmë se Presidenti po keqpërdor vartësit dhe po i paraqet ata në publik si njerëz anormalë.

Postimi i sotëm i zëdhënësit të Presidentit kundër një deputeti të parlamentit, është vetëm një nga këto raste, që tregon se si Presidenti keqpërdor vartësit për interesa egoiste të tij.

Nga ana tjetër Presidenti duhet të ketë më shumë rrespekt për buxhetin e shtetit shqiptar, pasi qytetarët nuk paguajnë taksa që Presidenti të poshtërojë stafin, për të treguar se ata mund ti vënë emrin çdo budallallëku që i shkon në mend Presidentit. Kjo praktikë duhet të marrë fund, aq më tepër që pas disa muajsh dikujt nga stafi do ti duhet të kthehet sërish në punë si gazetar”, shkruan Rudina Hajdari.

Kujtojmë se, më herët gjatë pasdites së sotme Tedi Blushi e quajti deputetin Halit Valteri lolo të opozitës së re, dhe që qëllimisht ka mashtruar me draftin e Komisionit të Venecias pasi ka ngrënë me anëtarët e Komisionit plënca në Tiranë.

Share: