Pas deklaratës së deputetit për shkarkimin e Metes, ka reaguar zëdhënësi i Presidentit: Thirrje Rilindjes t’i lidhë këta lolo dhe pupacë

Aktualitet Kryesore Politikë

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi reagoi pas deklaratës së deputetit të opozitës  së re në Parlament, Halit Valterit.



Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Blushi e ka quajtur me ironi Valterin si lolo të opozitës së re dhe pupac të Rilindjes pasi ky I fundit deklaroi se Presidenti Ilir Meta është sipas tij kryetar i LSI-së dhe jo I shtetit.

Sipas zëdhënësit të presidencës, deputeti Halit Valteri duke qenë edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Hetimin e Presidentit, ka gënjyer qëllimisht në Draft-Opinionin e Komisionit të Venecias.

Në postimin e bërë nga zëdhënësi  i presidencës ndër të tjera ngrihen edhe akuza se deputeti Valteri ka qenë më parë nën mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë për shkak se dyshohej për vepra të rënda anti-ligjore.

Kujtojmë se deputeti Halit Valteri është pjesë e opozitës së re në parlament, pasi PD dhe LSI dogjën mandatet në shkurt të këtij viti. Ai është pjesë e grupit Parlamentar Demokrat në Parlament si dhe është anëtar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Hetimin e Presidentit Meta.

Postimi i plotë:

Për lolon e opozitës së re, i cili mashtroi sot qëllimisht për Draft Opinionin e Komisionit të Venecias, ndoshta ngaqë hëngri plënca me ta në Tiranë (siç mund të provohet edhe me foto):

I bëj thirrje Rilindjes t’i lidhë këta pupacë të opozitës së re, si puna e këtij lolos, që i duket vetja se është deputet.

Në fakt është thjesht një numër dyshifror në fundin e fundit të listës për deputet.

Një rrogëtar i paligjshëm i Rilindjes që ushqehet me përshesh për të provokuar figurën e Presidentit.

I kujtoj këtij pupaci të Rilindjes, që para se të marrë guximin të flasë për Presidentin e Republikës të sqarojë të kaluarën e vet në raport me ligjin dhe t’u thotë shqiptarëve:

Nëse ka qenë apo jo në survejim nga shërbimet e sigurisë?

Për çfarë veprash të rënda është dyshuar dhe për cilën arsye është ndjekur nga shërbimet për një kohë të gjatë?

Larg qoftë pupac këto raporte publikohen një ditë!!

Ndaj lidh gojën se nuk e dimë a ta ble dot Rilindja edhe të kaluarën!

Megjithatë, i kujtoj këtij pupaci që flet në emër të Komisionit të Venecias, ndoshta ngaqë hëngri plënca me ta në Tiranë, siç vërtetohet dhe me foto, se vlera e votës së tij të paligjshme është ZERO ME XHUFKË!

Presidenti i Republikës është i vendosur për të mbrojtur Kushtetutën e vitit 1998 dhe nuk ka pupac, që mund t’a ndalojë!

Për të disatën herë, u sqaroj pupacëve dhe gjithë të tjerëve, se fjala tejkalim nuk ekziston në Kushtetutë, por vetëm në planet e votimeve moniste të Rilindjes, të mbështetura çuditërisht dhe nga opozita e re.

Vlera e votës së çdo pupaci të Rilindjes që përfaqëson fundin e fundit të listave të gjithë partive opozitare, pas dorëheqjes së 182 deputetëve dhe kandidatëve të partive opozitare është vetëm një ZERO ME XHUFKË .

Nuk është Presidenti që ka probleme me Kushtetutën por është Kuvendi në gjendje të rëndë antikushtetuese.

Ndaj mazhoranca të reflektojë, t’i shërbejë zgjidhjes së krizës së rëndë që tani, t’i falenderojë pupacët e t’u thotë që shërbimet e tyre nuk vlejnë më!

Tani është koha për të përmbushur kushtet e Bundestagut dhe për të ecur sa më pranë Maqedonisë Veriore!

Share: