Vendimi i Bundestagut për çeljen e negociatave me BE, por me kushte, lexohet si një qëndrim “në vend”, nga Sekretaria për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma.
Sa i takon politikës në Shqipëri, ajo tha në një intervistë për “News24”, se vendimi i politikës gjermane nuk u bazua në meritokracinë e Shqipërisë, sepse në të vërtetë vendi ynë ka bërë hapa pas.
“Po-ja e Bundestagut është një “stand by”, pra një qëndrim në vend. Pjesa e mirë, është, së pari, se nuk u nda Shqipëria nga Maqedonia. Shqipëria qartazi nuk i ka plotësuar kushtet, sepse përfaqësuesit ndërkombëtarë shprehen ndryshe për vendin tonë dhe ndryshe për Maqedoninë. Nuk është një meritokraci e plotë. Momenti i dytë, është fakti se nëntë pikat e Bundestagut do ishte njësoj si të ishte një qeveri tranzitore. Po ta përkthesh në detyra themelore janë këto: Reformë Zgjedhore, ndëshkueshmëri të krimit elektoral”, tha Duma.
Ish-deputetja e PD thotë se kërkesa prej më shumë 8 muaj “Rama ik” mund të ndodhë vetëm nëpërmjet procesit zgjedhor, sepse sipas saj, opozita nuk kërkon thjesht të vijë në pushtet, por kërkon të ndërtojë sistemin. Sipas Dumës, kjo duhet të nisë me reformën zgjedhore.
“Ne duhet të tregojmë në këto dy-tre javë, ne si opozitë, me Reformën Zgjedhore, patjetër draftimi. Ndërsa ulja dhe dialogu për mua është një hap i mëtejshëm, dialogu në kuptimin politik. Sa i përket pjesës së draftimit absolut, se si zgjidhet kjo situatë, duhet ta bëjmë urgjent, duhet të ulemi urgjent për të dhënë zgjidhjet e situatës, asaj që është në sistem. “Rama ik” pa diskutim është rezultat i zgjedhjeve.
Pushtetin duhet ta marrim me votë. Beteja që po bëjmë tani është për ndërtimin e sistemit, nuk ka lidhje me ardhjen e PD në pushtet. PD e ka të qartë, në shifra, në terren, në nevojshmëri që kanë shqiptarët, që është forcë fituese dhe kjo varet nga vota e lirë, nuk po e kërkon në tryezë, po kërkon ndërtimin e sistemit. Sa i përket draftimit të Reformës Zgjedhore, është pjesa e parë e ndërtimit të këtij sistemi”, theksoi ish-deputetja.
Grida Duma kërkon që dialogu politik mes palëve të bëhet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, sepse sipas saj, nuk mund të ketë garanci te maxhoranca, e cila vetë e ka sjellë Shqipërinë në një situatë kur votat vidhen, nuk ka ndëshkueshmëri të atyre që abuzojnë, dhe që krimi ka uzurpuar çdo instancë të shtetit.