Nga Viktor BAKILLARI: TIRANË – PARIS – TIRANË – GREVË-SKRAPAR – TIRANË (Rreth 4.000 km) UDHËPËRSHKRIM GUSHT, 2019 (NË TRI PJESË)

Kulturë

Nga Viktor BAKILLARI, TIRANË

HYRJE

 

PUSHIMET!

Ç’fjalë interesante. Do të thotë: koha gjatë së cilës njeriu pushon. Por, a pushojmë gjatë pushimeve? kjo është çështja. Themi pushime dhe mendjen e kemi për të udhëtuar, mundësisht t’i biem botës çikrik. E bukura është se, kur jemi me pushime, udhëtojmë më shumë se në çdo periudhë tjetër. Vetëkuptohet, ngaqë nuk na kërkojnë në punë…

Por ç’do të thotë fjala “pushime” në kontekstin veror?

Për mua, pushimet e gjata, verore, janë pushime…lëvizëse, endjeje, udhëtimi. Dy fjalë që duket sikur nuk “martohen”, por ja që janë një çift i shkëlqyer i lumtur.

Pushimet: Të jesh diku në vend që të jesh këtu, të jesh gjetkë, atje, në vend që të ishe këtu siç ishe dje. Dhe gjetkë, atje do të thotë jo këtu.

Pushimet janë të mira, të farkëtojnë, të bëjnë tjetër njëri, kur di se si t’i kalosh.

Kam vënë re se, kur je me pushime, çlodhet vendi i punës, shtëpia, atdheu, madje, përse jo? edhe fejsbuku nga ty. Kanë nevojë edhe ata për mungesën tënde…

Teksa po shkruaj fjalinë e mësipërme, më vjen për të qeshur kur dëgjoj pensionistë që kanë derdhur djersë gjithë jetën aktive duke punuar, të cilët thonë: Do të shkoj me pushime në…

Ëndrra e shumë pushueseve është që, tek presin biletën, tek rezervojnë hotelin, të kenë mundësi të ndreqin edhe motin që ta kenë me diell europian, jo arabo-saharian, jo afrikan, sepse qoftë ky diell, qoftë edhe shiu, rrebeshi janë armiq të pushuesve. Të bllokojnë lëvizjen, ecjen, zhvendosjen lirshëm, eksplorimin (zbulimin)…

Nuk ka më keq se kur i përkufizon pushimet si disa ditë ku shpenzon me qindra a mijëra euro për të parë  se sa i ngjan shiu i vendit tënd atij të vendit ku ke shkuar për t’i kaluar.

Dhe, ç’është e vërteta, gjatë këtyre pushimeve, ne e provuam dy herë nga dy orë dhe, mund të themi si shiu i vendit ku ishim nuk kishte ndonjë dallim nga ai tiranas. Ndërsa qyteti ku ishim nga yni, shumë.

Tjetër:

Po të isha mjek, duke parë se si punojnë disa njerëz, këta unë do t’i konsideroja si pacientë dhe do t’u shkruaja në recetë, në vend të barnave, disa ditë pushime.

Pushimet janë vërtet të mira, por edhe një kokëçarje më vete. Njoh jo pak njerëz që, pas pushimeve, kur i pyet, të thonë se ato nuk u kanë shkulur streset, hallet, nuk u kanë boshatisur kokën nga telashet, por thjesht…qesen, portofolin, kartën bankare. Sa keq!

Kur më tha një shok se kishte shpenzuar shumë brenda dy javëve në një vend europian, për ta ngushëlluar, ia ktheva:
“Mos u mërzit daku, pushimet kështu e kanë; emrin kanë të tillë. Të vetmet pushime që robi kalon si duhet janë të Shkurtrat të cilat zgjasin e pakta shtatë e shumta nëntë muaj në barkun e mamit, i cili nuk ka aspak dallim nga ai i Shën Mrisë dhe ato të Gjatat fare, të amshuemet… çdo lloj pushimi tjetër është kokëçarës…”

Të gjithë me pushime e të gjithë me celularë, sidomos në verë, dynden udhëve, porteve, aeroporteve ditë – natë. Sot nuk mund të përfytyrohet ikja me pushime, pa celularin dhe karikuesin me vete. O Zot i Madh, ç’shpikje gjeniale ka kryer ai që jaratisi (shpiku) celularin, se përfytyroni njëherë të gjithë njerëzit të shkojnë me pushime, apo rrugëve për në punë e të marrin me vete telefona me tela. A do kishte perëndi që të shkartiste nyjet e koklat e  gramshaleshura të telave!?
Të dish të çlodhesh, është më e vështirë se sa të dish të punosh…

***

Po sa udhëtova unë gjatë këtyre pushimeve verore?

Sot gjithçka është llogari (Olimbi). Sot gjithçka llogaritet dhe unë kreva një përllogaritje të thjeshtë. Sa udhëtova gjatë verës 2019? Me rezultoi si udhë ajrore dhe tokësore jo pak: rreth 4000 km.

 

Për pushime (Foto ilustruese)

 

Po ku qeshë, ç’pashë, ç’përjetova?

Nuk po vonoj, por po sjell ato që s’më harrohen, një pjesë të të cilave i kalova në…Paris; 8 ditë.

I dashur mik-lexues,

Më e bukura nuk është të shkosh me pushime, por të kujtohesh për ato pushime, të të kenë lënë mbresa, të të jenë gdhendur në kujtesë…

Dhe, pa humbur më shumë kohë, po ia nis:

 

Pjesa I


***
TIRANË – PARIS – TIRANË

 

Në datën 4 gusht, 2019, në pikë të mëngjesit, rreth orës 2.30’, teksa në fshatin tim Grevë do të niste këngën kaposhi, bashkë me një nga familjarët e mi marrim një taksi dhe shkojmë në Rinas, në aeroportin “Nënë Tereza” –  vendnisja jonë. Vendmbërritje do të kishim Parisin.

Befasia e parë qe e këndshme. Me të mbërritur te sporteli i regjistrimit (check-in-i), mbas plot 33 vjetësh takohem me një shoqe te shkollës së mesme e cila, prej shumë vitesh, punonte aty. Të dy iu drejtuam njëri-tjetrit në emër. E mira S.R., po ajo: e qeshur, shumë komunikuese, gjithnjë e gatshme për të ndihmuar e sqaruar çdo udhëtues që kishte paqartësi.

Pasi kaluam pikën e kontrollit, dolëm në sallën e pritjes së avionit. Shoqja, si miq të aeroportit që ishim, na ofroi kafenë e mëngjesit më herët se zakonisht.

Nisja nga Rinasi në 4.25’. Në orën 6.00 në Vjenë. Në orën 7.05 nisemi nga Vjena dhe në orën 9.15 “zbarkojmë” në aeroportin Sharl dë Gol / Paris. Pra, rreth 4 orë në qiell. Kam lexuar diku se, nëse krahasohet raporti peshë / decibel, rendimenti zanor i një avioni është ku e ku më i vogël se ai i një mize kur zukat. Më kujtohet gjithashtu një thënie se tek avioni njerëzit shohin optimistin dhe pesimistin. Optimisti shpiku avionin, pesimisti parashutën. Kush udhëton me avion herët në mëngjes, e sheh diellin kuqportokall më para nga të tjerët dhe, sigurisht është më afër tij…

Lindja e diellit. Foto e marrë nga dritarja e avionit. (V.B.)

Pasi zbresim nga avioni, hipim në tren dhe rreth orës 10.20’ mbërrijmë në hotel jo shumë larg nga Gare de l’Est (Stacioni Hekurudhor i Lindjes), rreth 30’ larg lumit Sena (La Seine), e cila e ndan Parisin në dy pjesë të barabarta.

Midis tundimit dhe nxitjes nga im bir që të flaknim çantat dhe të dilnim nëpër kryeqytetin e Liberté-Égalité-Fraternité-së (Liri-Barazi-Vëllazërisë) duke mos humbur asnjë minutë dhe logjikës që trupi ka nevojë për çlodhje se ishim ngritur – zgjuar qysh rreth orës 02, madje djaloshi nuk kishte vënë gjumë në sy nga gëzimi e kënaqësia, vendosa që të rrinim pak shtrirë në shtretër sa të merrnim pak veten. Sigurisht, kjo metodë ngjiti. Im bir më thoshte që të dilnim. Unë i thosha që duhet të ç(p)lodhemi pak sepse Parisi nuk është një qytet i zakonshëm.

Duhet të jemi të çlodhur, i thashë, sepse Parisi do këmbë, Parisi do gjunjë. Parisi do që çdo bujtës i tij të mbajë një çantë shpine me një shishe të madhe uji, një aparat fotografik ose një telefon me kamerë të mirë…Në këto e sipër, tim bir e mori gjumi, ndërsa unë u kota. Rreth orës 12.30 zgjoj tim bir dhe që pas këtij çasti e gjer ditën që u kthyem nisi e s’reshti më kalvar-piciri për këmbët tona…
Parisin, jo një javë, por një vit të rrish si turist, nuk  arrin dot ta rrokësh e ta zbulosh, por ne, të pajisur me harta që mund t’i marrësh sa nëpër stacione hekurudhore/metroje, aq edhe në stendën e hotelit si dhe me udhërrëfyes (doracakë) zyrtarë hartuar nga Zyra e Turizmit (Paris, Office de Tourisme, LE GUIDE OFFICIEL), themi se ia dolëm të shohim atë që mund të quhet “zemra e Parisit”.

Ne nuk do të përshkruajmë historitë zyrtare të vendeve ku qemë, sepse ato mund të gjenden lehtësisht në Internet, mund të soditen nëpër sekuenca filmike të hedhura në You Tube.
Ne do të përpiqemi të sjellim thjesht përjetimet tona mbresëlënëse në këtë qytet të përjetshëm…

***

Ne nuk kemi ndër mend të flasim gjerë e gjatë për arkitekturën mbresëlënëse të qytetit, as për arkitektonikën (artin dhe teknikën e ndërtimit të këtij qyteti magjepsës), sepse kjo do t’i kalonte përmasat e një udhëpërshkrimi. Nëse do të flisnim për vendet e vizituara si, f.v. për kishat, katedralet dhe bazilikat e famshme si Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Krishtit (La basilique du Sacré-Cœur de Montmartre); Katedralen e SHën Mrisë (Notre-Dame), tashmë pjesërisht e djegur, por që punohej vrullshëm për ta ringritur; Famullinë katolike Shën Sylpis (kushtuar të përshpirtshmit Shën Sylpis – Église Saint-Sulpice); Kishën e Shën Marie Magdalenës – një kishë e famshme famullie kjo (Eglise de la Madeleine), Stacionet hekurudhore (Gare du Nord, Gare de l’Est, Gare St-Lazare, Gare de Lyon, Gare d’Austerlitz, Gare de Montparnasse); metrotë e famshme të Parisit; Stacionin hekurudhor dhe të metrosë parisiane njëkohësisht Shatlé – Le Al (Châtelet-Les Halles  – një stacion hekurudhor dhe metroje disakatësh nën tokë në qendër të Parisit, i cili me 7 palë shina paralele nën tokë, renditet si një ndër më përshtypjebërësit dhe më të mëdhenjtë e botës; stacion ky që përdoret çdo ditë nga mbi 750.000 qytetarë (parisianë e turisë)); Harkun e Triumfit (Arc de Triomphe); Muzeun e Luvrit (Musée du Louvre) dhe shumë muze të tjerë; Pirgun Eifel (La Tour Eiffel); Kullën Monparnas (Tour Montparnasse ndërtuar në vitin 1973, një “reshpues, qiellçjerrës, një laps që shkruan në qiellin parisian” me lartësi 210 m, ku, për t’u ngjitur në majë, pasi të presh biletën prej 18 eurosh dhe pasi të kalosh një kontroll të imtësishëm si të kalosh në aeroport, hipën në njërin prej ngjitës-zbritëskatëshve (ashensorëve ) më të shpejtë në Europë për…38 sekonda); Panteonin ku prehen njerëzit e shkuar më të shquar e më me ndikim të Francës, e cila u është shumë mirënjohës; Kopshtet e famshme të Tyilerive, Luksemburgut, botanikun etj.; Senatin; lumin Senë me kryeurën (urën më të bukur) Aleksandër III dhe shumë e shumë ura të tjera; Sheshet e mëdha me histori dhe me monumente imponuese (Sheshin e Bastijës, e Republikës, e Fitoreve, e Bashkimit (Mirëkuptimit, Paqes,Harmonisë?  – Place de la Concorde, më i madhi në Paris ky i fundit – nuk e di se me ç’emër ka hyrë a mund të hyjë në shqipe) etj.; Shëtitoren e famshme të Fushave të Elizeve (Avenue des Champs Élysées), Qendrën Zhorzh (Gjergj) Pompidu (Centre G. Pompidou) ndërtuar vetëm me qelq e metal, qendra kombëtare e artit dhe e kulturës), Operën Garnié (Garnier), Bulevardet e mëdhenj, Galerinë e famshme Lafayette, Bashkinë (Hôtel de Ville), libraritë disakatëshe, Sorbonën, Lagjen Latine (Quartier Latin) (pjesa tradicionale e Parisit, njohur si lagje studentësh), Pallatin e Madh (Grand Palais); Pallatin e Zbulimit (Palais de la Découverte), Pallatin e Vogël (Petit Palais) (pallate, muze ekspozitash)  etj.etj.etj., atëherë, me materialin që grumbulluam do të kishim mundësi të shkruanim një libër dygjuhësh në shqipe e në frëngjishte “Udhërrëfyesi i Parisit / Le Guide de Paris”.

Diçka e tillë do t’i kalonte përmasat e një shkrimi përhapës (divulgativ) udhëpërshkrues, andaj do të përqendrohemi tek ndonjë ngjarje qoftë edhe naive vetjake.

Le të fillojmë pa humbur kohë:

 

Pjesa II

***

Në Paris, gjithçka të bën përshtypje. Habitesh me gjeninë krijuese e ndërtimtare frënge. Ne shkuam vizituam disa nga monumentet e tij.

Vizituam…

Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Krishtit (La basilique du Sacré-Cœur de Montmartre), ngaqë e kishim edhe jo shumë larg hotelit; e vizituam të parën. Për të hyrë në të, duhej   të kaloje një kontroll. (Parantezë: Në kuadrin e parandalimit të sulmeve terroriste, Shteti Francez ka marrë masa të rrepta që në çdo institucion publik të vizitueshëm të kryejë kontrolle të imtësishme.) Në këtë bazilikë (= kishë e privilegjuar), moria e njerëzve, vendosur në rresht për të hyrë si dhe e të tjerëve të shpërndarë kuturu e duke shkrepur aparatin fotografik a celularin të krijonin përshtypjen e një pelegrinazhi, a thua se ngjiteshe në Tomorr a në Kishën e Shna Ndout (në Laç/Shqipëri).

Pranë kësaj bazilike ngritur në kodrinën Montmartrë, një ndër pikat sunduese të Parisit, shumë e dashur për sfiduesit dhe karrieristët të tipit Rastinjak (një personazh në librin “Xha Gorio” të shkrimtarit Dë Balzak) të cilët duan të frymëzohen e të sundojnë mbi Paris, disa dhjetëra metra më poshtë, kishte edhe disa gardhe hekuri të mbushur plot me “kyçe dashnie”. Ne kemi parë disa ura hekuri të tilla që rëndohen nga mijëra “kyçe dashurie”, por kyçet këtu, në këtë vend të shenjtë, merrnin një kuptim tjetër simboloko-besimtar (fetar).

Në njërin prej tyre, në një cep, shoh një djalë me një copë sharrë të hollë hekuri në dorë që orvatej të priste verigën e kyçit.
– Qu’est-ce que tu fais ainsi (Çfarë po bën kështu)? e pyes.

Ça y est,  Tout est fichu, y a plus d’espoir!  (Iku, mbaroi, shkoi e vate, e pat dhe kjo punë, s’ka më shpresë!) – ma pret ndrojtshëm…

Ç’është ajo fjalë…më duket se po ngutesh – i them. Po shiko se mos po pret të gabuarin – vazhdoj unë duke buzëqeshur.

Ah, jo, jo – u përgjigj duke nënqeshur dhe gërr e gërr me sharrëzën…

Po, dale, dale, mos u ngut, djalosh – vazhdoj unë. Këtu je në vend të shenjtë. Mendoje edhe një herë! Meqë ke ardhur këtu, Zemra e Shenjtë do të të ndihmojë, provo edhe një herë pajtimin…

A thua vërtet?

Po, po, mos u ngut. Mos u dorëzo kaq shpejt…

U bind vërtet, duke thënë së do të përpiqej edhe një herë tjetër për pajtim…U çua, futi sharrën në xhep dhe iku…

Bazilika “Zemra e Shenjtë të Krishtit” (La basilique du Sacré-Cœur de Montmartre)

dhe gardhi me kyçe dashurie i saj (Foto V.B.)

 

***

Çmime stratosferike

 

Një ditë shkuam në Galerinë Lafajet (em. fr. Galeries Lafayette), e cila gjendet në bulevardin e famshëm “Haussmann”, bulevard ky rreth 2.5 km i gjatë). Kjo galeri gjigante ofron mallra / artikuj të ndryshëm luksozë, çka do të thotë me çmime tepër të kripura, si p.sh., një orë deri në 80.000 euro, një parfum mbi 2500 euro, një pulovër mbi 700 euro, një xhaketë mbi 1800 euro… Ndryshe nga pika të tjera shitjeje, këtu te kjo shitore e rrallë, nëse vendosje të blije diçka, radha të vinte si me magji, shumë shpejt për ta blerë. Brenda saj binin në sy e bubërronin aziatikë (kinezë, japonezë, koreano-jugorë). Madje, në katin përdhes, edhe sqaruesi për pyetje të ndryshme ishte një japonez poliglot me uniformë. Pasi vizituam këtë galeri, sapo dolëm ia dha një shi me gjyma. Shiu po si shiu, jo ndonjë ndryshim nga ai i rrëmbyeshmi i Tiranës, nga ai që bie me rropamë. Çdo strehë(z) ishte e mbushur plot me njerëz. S’kishim se ç’të bënim përveçse të hynim në ndonjë bar-kafene mbanë bulevardit. Kamerierët, dalë pranë derës së lokaleve, u luteshin këmbësorëve, disa si pulë e lagur, të hynin brenda. Për t’i shpëtuar “dushit skocez” të atij shiu që hardallosej mbi tendat dhe xhamat e lokaleve, e përplasej me gjithë fuqinë mbi asfalt, apo që tamburiste monotonshëm mbi çatitë e makinave a mbi pelerinat e njerëzve, u detyruam, hymë në një kafene. Vetëkuptohet, për të justifikuar vendin, morëm diçka të vogël. Unë një birrë të hapur në një gotë të vogël 250 ml (çmimi 4,90 €, im bir një lëng portokalli 5,80 €). Pas pak, pushoi shiu dhe koha u hap. Paguam (pa harruar bakshishin!) dhe dolëm duke vazhduar shëtitjen përgjatë bulevardit dhe nën qiellin tashmë të qashtër parisian…

 

Galeria Lafajet (Foto V.B.)

***

Një kuzhinier srilankas në mes të Parisit që flet shqip

 

Disa nga drekat dhe / ose darkat i hëngrëm në Lagjen Latine (Quartier Latin).

Një darkë qëlloi të uleshim në një restorant grek “La maison de Gyros”.

Pasi porositëm, na afrohet një burrë që shërbente. Mori vesh që ishim të huaj dhe na pyeti nga vinim.

Albané (Albanais) – i them.

Ah! – shprehu njëfarë ngazëllimi duke bërë simbolin e shqiponjës mbi gjoks. Shkiptar-shkiptar – tha. Nga? Malok Kopliku? Shkodre? Nga?

(Fjalët i shqiptonte relativisht mirë…) Jo, ia kthej, malok Skrapari… – Qeshëm… Po ti nga je? e pyeta shqip.

Unë… Sri Lanka, Sri Lanka. Quhem Judé. (Biseda me cejlonezin (srilankezin) shqip).

Judé po si e ke mësuar shqipen? e pyes.

(Qeshi) Tek ne, ktu, punoj një shkiptarmalok Kopliku, H… Hasa quhetËshtë malok,  është nga Kopliku, nga Shkodra, po është shkuar me pushim në shtëpia, në KoplikPunojmë bashk’ mbi 15 vjet këtu. Është martuar, ka tre fëmijë. Njeri i mirë – dhe, një e dy, i fuste ndonjë kryqëzim pëllëmbësh duke bërë simbolin e shqiponjës… I dhashë një copë letër të më shkruante emrin e bashkatdhetarit tonë… E zhgarraviti nja dy-tri herë po nuk mundi. Atëherë thirri një punonjëse tjetër (turkeshë) dhe ajo shkroi saktë emrin dhe mbiemrin e shqiptarit i cili i kishte mësuar Judes nga Sri Lanka një shqipe relativisht të kuptueshme. Me të vetëm shkip flas – na tha. Kuptoj mirë. Sa herë mërzitet, shan. I di të gjitha sharjet tuaja…Kthehet pas nja 10 ditësh

“La Maison de gyros” (Shtëpia e gjiros (sanduiçit grek)) në “Lagjen Latine”
(Foto V.B.)

 

***

“Paris, do të pi gjithnjë nga uji yt!”

 

Parisi, ky qytet gjigant ka zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme disa nga problemet me të cilat ndeshen turistët. Ka të zgjidhur në mënyrë të përsosur lëvizshmërinë e njerëzve, zhvendosjen e njerëzve me metro, autobusë, taksi. Ka të zgjidhur problemin e banjave (tualeteve publike); ka me qindra e qindra “kabina lirimi” ku tabelat të udhëzojnë: Toilettes 50 m; 100 m.

Ka të zgjidhur problemin e ujit të pijshëm. Kudo nëpër Paris gjen çezma me “EAU POTABLE (O Potablë) (Ujë të pijshëm). Përballë Bashkisë së Parisit (Hôtel de Ville) ndodhet një çezmë me disa lëfyte  ku, në shtyllën prej nga dalin lëfytet është shkruar: “Paris, je boirai toujours de ton eau! (Paris, do të pi gjithnjë nga uji yt!). Përfytyroni me qindra e mijëra turistë, dhe vendas gra, burra, fëmijë e pleq… të gjithë në verën e nxehtë parisianë kudo ku ka çezma i gjen duke mbushur a pirë ujë.

Paris, do të pi gjithnjë nga uji yt (Foto V.B.) / Bashkia Paris (Foto V.B.)

***

Libra, libra, kudo libra

 

Në Perëndim, sidomos në Paris, konstatova se ende nuk e kanë “tradhtuar” librin me celularin… Në aeroport, nëpër metro, stacione hekurudhore, sheshe, parqe, lulishte, buzë lumit Senë, bulevardit Shën Mishel (Boulevard Saint-Michel) kudo njerëz duke lexuar libra. Libraritë disakatëshe mbushur plotë me blerës. Bukinistët  në të dyja anët e Senës dhe në vende të tjera shesin lloj-lloj librash me çmime të arsyeshme. Sigurisht, shumë kohë e kaluam duke kërkuar e duke parë libra e fjalorë interesantë. Blemë ç’na pëlqeu e ç’do të na hyjë në punë për më vonë…

 

***

Shën Mria e Parisit

 

Afrohemi pranë njërit prej simboleve të Parisit /Francës e të Krishterimit: Katedrales Shën Mria e Parisit (Notre Dame de Paris) djegur para pak kohësh. Ishte rrethuar e gjitha dhe vazhdonin punimet për ringritjen e saj njashtu ashtu siç ka qenë. Frëngu do t’ua rindërtojë Kauzimodos dhe Esmeraldës njashtu siç e kanë pasur. Do të jetë veç çështje kohe. Rreth e rrotull saj ka shitore me kujtime nga Parisi (dyqane suveniresh).

 


Shën Mria e Parisit (Notre Dame) (Foto V.B.)

 

***

Qendra Zhorxh Pompidu

 

Qendra Zhorzh (Gjergj) Pompidu (Centre Georges Pompidou) ndërtuar vetëm me qelq e hekur, qendra kombëtare e artit dhe e kulturës), e cila përbën muzeun kombëtar të artit modern, është një referencë botërore për koleksionistët e artit të shek. 20 dhe 21. Çmimi për të vizituar këtë vepër madhështore arkitekturore të shek 20 është 14 €. Në këmbë të këtij muzeu ndodhet Ateljeje Brenkushi (Atelier Brancusi) e cila mund të vizitohet lirshëm (pa paguar).

Pranë Qendrës, në një cep ndodhet “plaku i pëllumbave”. Me  këtë emër e kam pagëzuar. Është një plak gungaç (ndoshta i braktisur, ndoshta fillikat që për pasuri e dashuri ka pëllumbat. E mbaj mend mirë qysh në vitin 2003. Kishte rënë shumë që kur e kisha parë për herë te fundit (në vitin 2013). Eurot që i japin i përdor për të ushqyer disa qindra pëllumba. U turret njerëzve që ia trembin pëllumbat me fjalët më fyese. Çantat që ka pranë i ka të mbushura me ushqim për ta (pëllumbat).

Qendra Zhorzh Pompidu (Centre Georges Pompidou) (Foto V.B.)

 

“Plaku i pëllumbave” pranë qendrës G. Pumpidu. (Foto V.B.)

 

***

Harku i Triumfit

Ëndrra e çdo vizitori, kur shkon në Paris është që të vizitojë edhe dy nga simbolet e Francës: Harkun e Triumfit (Arc de Triomphe) dhe Pirgun (Kullën) Eifel (Tour Eiffel). Sigurisht, nuk mund t’ia hiqja këtë kënaqësi tim biri…

Harku i Triumfit (50 m i lartë), më i madhi në botë, u ndërtua në vitin 1806 për të përuruar fitoren e Napoleonit  në Austerlic. Nga tarraca e tij çdo vizitor mund të sodisë një pamje të mrekullueshme 360-gradëshe të Parisit. Poshtë këtij harku ndodhet varri i Ushtarit të Panjohur nga i cili mbrëmjeve del flaka e kujtimit të pashlyeshëm për të. Për të vizituar këtë vepër madhështore, duhet prerë biletë e cila kushton 12 €… pasi të presësh një kohë të gjatë në radhë.

 

 

Harku i Triumfit dhe pamje të marra nga ky hark (Foto V.B.)

 

 

Pirgu (Kulla) Eifel

(Një Shqiptar shiste biletat në njërin prej sporteleve)

 

Kryesimboli i Francës është, padyshim Pirgu (Kulla) Eifel, e cila renditet pamëdyshje në një nga mrekullitë inxhinierike të epokës moderne.

Kjo kullë është ngritur në Champ-de-Mars (Fushën-e-Marsit). Kulla ka marrë emrin për nder të ndërtuesit të saj ing. frëng me paraardhës gjermanë Gustav Eifel (1832 – 1923). Pirgu ka një lartësi prej 324 m mbi niv. e detit (rreth 310 m gjer te platforma ku rrinë vizitorët). Qysh nga viti 1889, kur u përurua, ky pirg s’resht së prituri vizitorë. Këtë verë, dy nga vizitorët e saj ishim dhe unë me tim bir. Sot kjo kullë, është e rrethuar (për shkaqe të vetëkuptueshme sigurie) dhe, për të qëndruar poshtë saj, duhet të kalosh nëpër një pikë kontrolli (masat e sigurisë që ka marrë Franca janë shumë të mëdha). Ishte pasdite, ditë e enjte, gusht 2019. Nëpërmjet një tabele elektronike lexuam se që të na vinte radha për të prerë bileta për t’u ngjitur në majë (sommet) duhej të prisnim rreth 1.30’. Ç’të bënim?

Duke pasur parasysh se kështu ishte përditë, edhe pse ishim të lodhur nga lëvizja gjithë ditën (sidomos në këmbë) vendosëm të mbanim radhën. Para nesh me qindra e qindra. Për sytë e atyre që na shikonin nga maja, ne dukeshim si milingona. Radhët nuk kishin fund: Radhë për të hyrë brenda mjedisit të rrethuar të kullës, radhë shumë e gjatë për të prerë biletat, radhë e gjatë për t’u ngjitur me ashensor në katin e dytë, radhë për në katin e tretë (në majë). I njëjti veprim edhe për të zbritur…

Ishim futur në radhë për bileta. Përpara nesh qindra të tjerë. Pas rreth një orë e gjysmë afrohemi te sportelisti. Dy bileta për në majë, i themi. Nga brenda na vjen përshëndetja dhe përgjigjja në shqipe nga një djalosh… Ju dëgjova tek komunikuat, por e kuptova, që ishit shqipe, që kur ju pashë në radhë atje matanë – na tha… Nuk e pyetëm, por nga theksi mund të them se ishte nga Kosova…U ndamë duke na uruar vizitë të këndshme…

Dhe përsëri radhë… dhe përsëri kontroll për ne dhe çantat në skaner… dhe më në fund, pas rreth dy orësh hipim në ashensor… Në katin e parë të kullës (është restorant) nuk zbriti asnjë. Teksa po ngjiteshim në të dytin, i them tim biri, do të vazhdojmë për në majë?

Jo, ma ktheu. Shohim katin e dytë, pastaj ngjitemi.

Mbërrijmë te kati i dytë; zbresin të gjithë.

I biem rreth e rrotull duke shkrepur qindra herë celularët… Pastaj vendosëm të ngjiteshim lart, në majë. Dhe, përsëri radhë…Para nesh një çift aziatikësh. Kontrollori i biletave e kthehu çiftin… I tha, se gjer në katin e dytë kishin të drejtë, më sipër jo, sepse nuk kishin prerë biletën për në majë.

Çmimi i biletave për t’u ngjitur në Kullën Eifel ishte: 16,30 € për në katin e dytë me katengjitës-zbritës (ashensor); 10,20 € për t’u ngjitur në këmbë nëpërmjet 674 shkallareve (nga 1665 që ka gjithsej gjer në majë, por që nga kati i dytë në të tretë nuk lejohen për vizitorët) dhe 25,50 €, si puna jonë për t’u ngjitur në majë.

Ora 12.00 (e natës) na gjeti në majë. Bash atëherë krejt kulla shndriti duke u përshkuar nga një ndriçim farfuritës, vezullues i fuqishëm. Pamje mahnitëse…çifte të reja putheshin e ndukeshin lirshëm në majë. Shkrepje pafund celularësh dhe aparatesh fotografikë. Parisi natën dukej magjepsës dhe i pafund. Një ngjarje e bukur, një mbrëmje e paharrueshme…

Presim sërish në radhë për zbritje. Mbërrijmë në katin e dytë. Sërish ndalojmë e sillemi 2-3 herë vërdallë.

Në kullën Eifel janë shënuar edhe largësia e saj nga kryeqytete e botës. Gjejmë edhe Tiranën: 1610 km.

 

Kulla Eifel (Foto V.B.)

 

Tomas Edison, Gustav Eifel dhe Kler Eifel (e bija e Gustavit në Kullën Eifel) (Foto V.B.)

 

Sinagogë në Paris (Foto V.B.)

***

Në vendet publike në Paris, nëpër objekte kulti, sheshe, metro, tregje të mëdhenj, shitore (të mesme e të mëdha) për shkaqe sigurie dhe për t’ia ruajtur e siguruar jetën qytetarëve, Shteti Francez ka shtuar masat e sigurisë duke vendosur organe patrulluese dhe roje rendi të pajisur me uniformë e me armë zjarri (automatike).

Shumë dyqane që nga ushqimore, vesh-mbathje e gjer në librari kishin punësuar roje me detektorë. Binin në sy që këtë lloj pune e kryenin zezakë. Në çdo dyqan të qendrës parisiane, nëse do të futeshe për të blerë a parë, duhej të hiqje çantën nga shpina për një kontroll rutinë.

Hymë (pas kontrollit të çantës) në një dyqan me artikuj sportivë. Kishte këpucë dhe fanella shumë të bukura. Çmimi, i kripur për xhepin tonë, nisnin nga 120 Euro. Pas nesh hyn edhe një nënë e cila kishte për dore djalin 4-5 vjeç dhe një karrocë, brenda së cilës ishte një çupëlinë, po themi rreth 2 vjeçe. Im bir po shikonte mallrat sportivë, unë u ula…Nëna ia la të birit karrocën dhe po shikonte shpengueshëm për këpucë. Çupa nisi të qante. Nëna as që po e prishte terezinë. Djali po mundohej ta qetësonte, por të qarat e saj u kthyen në të çjerra grricëse të padurueshme. Të gjithë e shikonin, po asnjë fjalë…Punonjësi aty pranë vendit ku ishte lënë karroca (një zezak i shkathët) thirri një koleg dhe rrufe u shkëput nga vendi i punës dhe, veç kur e shikoj të me një qeskë bonbone. Rrotulloi qeskën në ajër si prestidigjitator para çupës. Ajo prajti së qari nisi të qeshte dhe ndeu doçkat. Zezaku-shitës hapi qeskën dhe i dha dy bonbone asaj dhe të vëllait. Çupa i hëngri dhe fshiu lotët me kurrizin e dorës duke iu gëzuar kokrrizave ëmbëlake.

Pas pak vjen e ëma me një palë këpucë Nike, falënderon punonjësin zezak, ble dhe duke shtyrë karrocën, largohet…

Parisi, siç thamë nuk mund të zbulohet për një javë. Ne lamë shumë pa parë (me shpresë se do të kthehemi sërish). Nuk mund të hynim dot (kësaj radhe) në Luvër për shkak të radhëve kilometrike (mund të resësh 1-2 orë, por jo një paradite), nuk pamë dot Disnayland-in (rreth 30 km larg), nuk pamë dot për çështje kohe as Versajën, as…, as…shumë qendra të tjera që duhen parë… Ndoshta një herë tjetër…

Erdhi dita e kthimit…

Largoheshim nga i përjetshmi dhe rrezatuesi Paris me përshtypjet më të mira duke na u ngulitur në mendje bukuria arkitekturore e çdo ndërtese, kafenetë e pafundme, udhët e gjera, sheshet gjigante, kopshtet e bukura luleshumë, monumentet e pafundme, njerëzit që vraponin, djathërat dhe verërat e pafundme. Fjala Paris në shqipe fsheh fjalët “ parë, i parë, parajsë”…Kush e ka vizituar ose kush e viziton, do të bindet se ky trinom ka diçka të vërtetë.

Me këto në mendje marrim udhën e kthimit… Dhe ky kthim Paris – Vjenë – Tiranë shkoi për bukuri.
Mirë u pafshim Paris!

Panteoni dhe Fakulteti i Drejtësisë (Foto V.B.)

 

Semafor pranë Panteonit

 

 

69947440_888906091472215_6574829463924637696_n.jpg (480×640)

 

Kulla Monparnas (Foto V.B.)

 

Muzeu i Luvrit, Paris, gusht, 2019 (Foto V.B.)

 

Mulliri i Kuq (Moulin Rouge) (Foto V.B.)

Kisha e Marie Magdalenës (Foto V.B.)

 

 

Lumi Senë / Paris (Foto V.B.)

 

Pasi u ulëm në Tiranë, marrim një taksi dhe rreth orës 2 mbërrijmë në shtëpi të lodhur, por të kënaqur e të lumtur. Kishim kryer rreth 3500 km udhë ajrore e tokësore.

 

 

***

Pjesa III

 

TIRANË – GREVË-SKRAPAR – TIRANË

NJË ÇEK ÇIKRIK SHQIPËRISË

 

Pasi u kthyem nga Parisi, pas nja dy ditë çlodhjeje mora udhën për…Skrapar me autobusin e linjës Tiranë – Ujëmbret (Çorovodë), i cili niset çdo ditë në orën 6.00.  Rreth orës 10 mbërrijmë në Ujëmbret.

Me të zbritur, me një çantë ku kisha futur disa nga librat e mi, shkova urova për funksionin e ri kryetarin e bashkisë Skrapar, z. A. Mema, një djalë Skrapari i mbrujtur me aftësi drejtuese e menaxheriale, i cili premton për shumë më lart…

Pasi pimë një kafe bashkë edhe me një shokun tonë të përbashkët shumë të mirë A. Çela me banim në Itali (edhe ai qëlloi aty po për ta uruar kryebashkiakun, urim zemre, për kënaqësinë tonë, pa interes!) u ndamë dhe unë do të vazhdoja udhëtimin për në Grevë – Tomorricë. Qëlloi që atë ditë të vinte në Ujëmbret një makinë 4X4 e fshatit. Dhe vazhduam rreth mesditës duke ngjitur udhën e vështirë të shtruar me çakëll.

Makina ecte. Makina nxitonte. Vende-vende ngarësi, kushëriri im i aftë në timon Çim, hapte udhë për t’u këmbyer me të tjera që vinin ballë nesh, ngaqë rruga është e ngushtë.

Mbërrijmë në Qafën e Dëvrisë… Ç’të shohësh. Duket sikur ka rënë ndonjë bombë atomike. Është terren i zhveshur bardhor. Nxirret mermer i cilësisë së lartë. Eksportohet…e ku nuk eksportohet…Dëvri, mali i Mëlovës, Zaloshnjes (si pjesë e masivit Tomorr) nga bukuri virgjërore- blerore- biblike, tani është zhveshur, vende – vende dac, cullak. Mermerin ia kanë marrë, po rrugën e kanë lënë në gjendje mjerane. Duhet të mbash largësi 1 km nëse ke makinë përpara se të mbyt pluhuri i asaj që ke përpara. Eh, Shqipëria ka pësuar lloj-lloj vuajtjesh këto 30 vjet si masakra urbane, (ndërto ku të mundesh, gjej tokë, ngul tabelën “Tokë e xanë!”, “Pronë private”, masakër lumore (ndërto hidrocentrale në çdo përrua), masakra pyjore; nani tani, këto vitet e fundit edhe një lloj masakre tjetër: “Masakër malore (malesh) si kjo e malit të Tomorrit ku nga ana i Tomorricës rrëmbehet mermeri e nga ana e Novajt (kur ngjitesh nga Poliçani në Tomorr) rrëmbehen pllakat, gur natyror mbulues, shtrues (zbukurues / dekorativ).
Thonë, nga anët tona se Tomorri ështe i gjithi i paprekshëm. Kush e prek…preket! Fshihet shumë pas kësaj fjale…

Pas rreth dy orësh mbërrijmë në Grevë.

***

NJË ÇEK NËPËR TOMORRICË / SKRAPAR

 

Historitë dhe ndodhitë më Çekë në Shqipëri nuk kanë fund. Çekë të vrarë, Çekë të humbur, Çekë të shpëtuar dhe, e fundit: Çekë të ndihmuar, ndoshta, përse jo? edhe të shpëtuar.

Kjo e fundit ka për protagonist kët koc dhe një djalosh çek, student 23 vjeçar nga Brno-ja, Republika Çeke (Česká republika) me emrin V. P.

Në datën 15 gusht 2019 nisem nga Tirana për te prindërit në Grevë – Skrapar.

Pasi mbërrita nga Ujëmbreti (Çorovoda) në Grevë (fshatin tim; në fakt unë jam i këtij fshatit, nga ky fshat!!!) dhe pasi u çlodha pak, dëgjoj zërin e bariut të lopëve: “Lshoni lopt!”. Rreth orës 16 fshatarët lëshonin lopët për t’i kullotur. I ruanin me radhë…

Teksa ia nxora rreth 300 m larg shtëpisë bariut të radhës, shoh një djalosh ngarkuar me një çantë shpine. Meqë jemi pranë lopëve, ia bënte mu që nuk ishte i anëve tona. Kishte djersitur shumë… Ishte vapë dhe i ishte bërë ulluku, të shkretit, qull nga çanta e madhe në shpinë. Po kështu balli i shndriste si dikur kooperativistëve kur korrnin grurin a e shinin. Më përshëndet në anglishte e më thotë: Dushari, nga bie Dushari? Drejtimi për në Dushar nga merr? (Dushari është fshat i Korçës, në kufi me ne, Skraparin, rreth 2 orë të mira nga Greva po të ecësh pa pasur asgjë në dorë. Përfytyroni dikë që mbante në shpinë një çantë të madhe rreth 15 kg).

Ia tregova drejtimin, por duhej të bënim një copë rrugë bashkë gjer sa të ndaheshim. E pashë me vëmendje… ishte i drobitur… E pyeta nga ishte. Nga Çekia. Jam Çek – më tha. Pik’e zezë, kur thotë poeti Xhevo Spahiu dhe shumë të tjerë nga anët tona! Ç’erë ta ketë sjellë vallë gjer këtej?

Flet frëngjisht ose gjermanisht? – e pyeta sërish.

Po, gjermanisht, m’u përgjigj. Që nga ky çast biseda u zhvillua në gjuhën gjermane. Fliste një gjermanishte pak të sforcuar, por të kuptueshme.

Po ç’do këndej, o derëbardhë – e pyeta?

Dua të shkoj në Korçë – ma ktheu.

Po pse vetëm?

U ndava me shokët në Berat. Pamë bashkë Maqedoninë, pastaj hymë në Shqipëri. Kemi parë Korabin dhe Veriun… Erdhëm me shoqërinë gjer në Berat. Ata deshën të shkonin në Korçë me mjete transporti, unë dua të shëtis nëpër Shqipëri në këmbë.

Po si erdhe gjer këtu?

Po ja – më tha: Nga Berati në Poliçan erdha me një makinë. Nga Poliçani në Bogovë (rreth 6 km) në këmbë. Më pëlqeu shumë se ishte edhe rrugë e gjelbëruar e me shumë pisha. Nga Bogova në Çorovodë me makinë. Aty pyeta për drejtimin nga binte Dushari. Dhe u nisa në këmbë. Erdha gjer në Radësh. (Është një rrugë shumë malore, i gjori ai se si mund ta kishte bërë, për më tepër që ishte i ngarkuar!) Nga Radëshi gjer në Gjerbës kishte ardhur me makinë rasti. Dhe nga Gjerbësi në Grevë (rreth 10 km në këmbë.

Po mirë, ç’do në Dushar? – e pyeta.

Sepse atje kam marrë vesh se është një minibus që shkon në Korçë – tha.

Dëgjo, mor djalë – i them. Ti nuk mund të shkosh dot sot në Dushar sepse është larg. Je i ngarkuar dhe kështu të duhen të ecësh e pakta 4 orë të mira, ndërkohë që për dy orë të zë nata pus dhe në mal ka shumë kope dhish e dhensh që ruhen nga qen gjysmë të egër, që janë sulmues; ka ujqër e arinj; kështu që sot fli këtu tek unë dhe nesër në pikë të mëngjesit, me të na zgjuar jo telefoni, po gjeli, ngrihu e ik.

I vinte rëndë. Ngulte këmbë që do të ikte…

Mirë, i them. Do të lejoj të shkosh, po freskohu pak se ke djersitur. Ha edhe pak bukë dhe ik pastaj.

Hyjmë në oborrin e shtëpisë.

Nën’ja  (në të folurën e Tomorricës kështu i thonë nënës: jo nëna, por nën’ja)  dëgjoi zhurmë nga brenda dhe më tha: Erdhe, o bir?

Ia kthej: Erdha, po erdha me një mik.

Shumë mirë – tha – dhe i uroi mikut mirëseardhjen. Ajo shqip, ai anglisht. Nuk e kuptoj, më tha, ç’thotë?

I them se është i huaj, Çek.

Sigurisht që shprehu pak habinë…

Djaloshi çek, i telikosur (kishte ardhur nëpër vapë) mori leje të freskohej te çezma në oborr dhe nuk priti për ujë të ngrohtë, por u la me ujë të ftohtë. Aty qëlluan nja dy kova të mbushura për të ujitur lulet e ballkonit pasdite dhe unë mora një sapllake kauçuku dhe i hidhja ujë sipër kokës. Kur uji në kovë kalonte gjysmën, merrja kovën dhe ia ktheja. Ai kënaqej duke lëshuar klithma qeshjeje…

Sakaq, nën’ja i përgatiti diçka për të ngrënë: bukë me domate, djathë, gjalpë, tarator. Hëngri dhe u qetësua pak.

Tani erret, ia prita. Nuk ke se ku shkon… Nesër. Ditë e re, fat i ri…

Ok. Do të rri, po nesër do të çohem herët e do të shkoj… Sa për të fjetur, do të fle jashtë.

Përse? e pyes.

Sepse dua të sodis qiellin e mbushur me yje dhe Hënën.

Mirë, ia pres. Do flemë të dy jashtë, veçse ta dish që ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë, e cila thotë: Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Kështu që, po deshe thyeje këtë proverb. Unë kam për borxh të ta them. Ti vepro si të duash.

Jo ngulmoi edhe një herë djaloshi 23 vjeçar student, çek, V.P.

Mirë, e ndërpres, hamë darkën dhe dalim të dy dhe sodisim Hënën dhe yjet… Sigurisht u bind dhe pranoi me një farë droje…

Po vija re se e kishte një brengë, një shqetësim të madh. Ishte ndarë nga grupi dhe donte të krijonte lidhje, por nuk kishte internet.

Duke më kërkuar ndjesë më tha nëse kisha unë.

Më vjen keq, ia ktheva, jo; as unë nuk kam. Po mos u mërzit se do ta gjejmë një zgjidhje.

I thashë të shkruante emrin e ndonjë shoku që donte të lidhej. Ai shkroi në telefonin tim emrin e një vajze (shoqja e tij). Atë emër ia dërgova si mesazh tim biri në Tiranë dhe i thashë të komunikonte në Messenger dhe ta qetësonte, të mos bëhej merak se shokun e kishte mik në Grevë/Skrapar.  U lehtësua shumë. Pas nja një gjysmë ore, shoqja e tij i kthen përgjigje tim biri e qetësuar duke e falënderuar. Më vonë pati një bisedë mes tyre, telefon pas telefoni. Im bir u lidh me të dhe pastaj, duke vendosur një telefon tjetër përballë të tijit më mori mua në telefon pra, 4 telefona në seri, dhe kështu djaloshi çek foli me shoqen duke u qetësuar të dyja palët.

Sakaq, dolëm një shëtitje të shkurtër nëpër fshat gjer te shkolla duke bërë edhe ndonjë fotografi…

Pllakos mbrëmja. Tek po mbyllnim dhentë, bariu i radhës i lopëve na tha se lopa kishte shushunjë në gojë sepse i kishte dalë gjak. Greva, si kudo, po vuan djegagurin, thatësirën e madhe. Ato pak vende ku pinin ujë bagëtia, ku kanë shteruar e ku janë populluar nga shushunjat gjakpirëse. Shushunjat nëpër pellgje të rrjedhshëm presin me padurim kafshët sidomos lopët. Këto shkojnë të pinë ujë dhe shushunjat, cak, iu ngjiten nëntë gjuhës. Pinë gjakun e tyre dhe atyre (lopëve) u del gjak nga goja. Duhen 3-4 veta për ta hequr një shushunjë nga goja e lopës. Atë mbrëmje nuk patëm mundësi t’ia hiqnim se u err dhe u la për të nesërmen në mëngjes.

Në mëhallën tonë kishte ardhur edhe një mik nga Zereci (Zereci ndodhet rreth  tri orë larg nga Greva dhe rreth 20-30 minuta larg Moglicës – Korçë). Pasi bisedoj me mikun e Zerecit, i them djaloshit çek se nesër do të shkonte me të gjer në Moglicë duke e sqaruar se ashtu i binte më mirë se sa të shkonte nga Dushari… Pranoi i gëzuar…

***

U shtrua darka…Babai po kryente nderet e familjes sipas traditave të zonës sonë duke uruar mikun…Miku rrëmbeu gotën e çoku me ne, tha “Na zdravi!” dhe e ktheu me fund… Kur ç’të shihnim, kokërdhokët i dolën si kokërr valanidhi, naaa! mu si kaçka bofka… E mbajti veten, e zotëroi mirë e rimori e tha: Oh, shumë e fortë! Unë kam pirë edhe gjetkë, kam gjithashtu edhe rakinë  time që e nxjerr gjyshi im në Çeki, po kjo qenka shumë e fortë. Me vete kishte një faqore raki. E sqarova se te ne nuk rrëkëllehet menjëherë me fund se të zë…

Ndërsa tek ne është ndryshe – ma priti. Gjithë kërshëri e pyeta rreth këtij rituali. Tek ne, nisi rrëfimin miku riosh, ne mbushin gotat dhe, duke e parë njëri-tjetrin në sy, themi “Na zdravie!” dhe e kthejmë. Pastaj, rreth një gjysmë ore hamë, bëjmë muhabet, qeshim, këndojmë dhe kthejmë gotën tjetër.

Pasi bëmë muhabet me mikun çek, mbasi mbaruam së piri e së ngrëni, rreth mesnatës, dalim jashtë për të soditur Hënën dhe yjet e panumërt (atje, në fshat, është vërtet tjetër natë!).
Kthehemi të flemë…

***

Ditën tjetër në mëngjes, na vjen Engjëlli (një kushëriri ynë) për t’i hequr shushunjën lopës. Thërrasim edhe mikun e Zerecit sepse duheshin disa vetë për të bërë zap lopën. Pasi lidhëm lopën me litar për brirësh shkurt pranë një trungu të trashë mëni (mani), Engjëlli mori një shkop thane të lëmuar, të trashë sa gishti i madh i këmbës që vesh këpucë numër 44-45.  I futi lopës gishtin e madh dhe atë tregues në hundë dhe e kapi për veshi. Lopa pas pak çastesh, hapi gojën duke lëvizur fort. Sakaq, miku i Zerecit i futi shkopin e gjatë rreth 60 cm në gojë lopës, horizontal me tokën, dhe dy anët e tij ia lidhi te brirët që asaj t’i mbetej goja hapur. Sakaq nëna kishte marrë hi në një enë. Mbushi dorën me hi dhe ia futi lopës në gojë. Ajo lëvizi fort dhe neve na u desh që ta mbanim po fort.  U gërvishtëm pak pas pemës, po pa ndonjë dëm të dukshëm. Lopa, duke mos arritur dot që të mbyllte gojën (nuk e lejonte shkopi se ndryshe ta këput dorën a gishtërinjtë duke t’i kafshuar), nëna kontrolloi poshtë gjuhës së lopës më dorë, gjeti shushunjën dhe e hoqi me forcë. Hiri bën që edhe mos të të rrëshqasin gishtërinjtë tek kap shushunjën me rrëshqitshmëri ngjale. Kështu i shpëtojnë lopët nga shushunjat sot në Tomorricë… Jetë e vështirë…Këtë skenë e filmoi me celular edhe miku çek po kështu një pjesë të saj edhe unë sepse duhej të mbaja fort prej brirësh lopën të mos lëvizte.

Pas heqjes së shushunjës, miku nga Zereci na tha se do të bënte edhe një vizitë te një i afërm e pastaj do të shkonin malit përpjetë për në shtëpi, Zerec.
Pas pak vjen një nga familjarët ku kishte bujtur miku i Zerecit dhe na thotë se kishte ndryshuar plani. Ai (Miku), për shkak se i zoti i shtëpisë (kushëriri ynë N.) kishte dëmtuar dorën, do të shkonte të korrte jonxhën e tij dhe kështu, nisja mund të behej pasdite…

Në këto kushte, meqë kishte shmangie nga fjala, më takonte mua ta çoja Çekun ndoshta gjer në Moglicë rreth 4-5 orë. Mirë tutje që do shkoja me të, po kthimi vetëm do të ishte tejet i mërzitshëm. Papritur më shkrepi një ide. Një fshatari ynë kishte një kope të madhe me bagëti në mal. E marr në telefon dhe e pyes për dy djemtë që e kullosnin dhe e ruanin. Më thotë që njërin e kishte në mal, tjetri flinte. I them shokut që ta zgjonte djalin dhe të ma niste poshtë se do ta dërgoja me një “mision”. Do të shoqëronte një të huaj gjer sa të kalonte zonën e rrezikshme nga qentë…
Shoku im qysh në fëmijëri, Fideli, e zgjon të birin dhe ma dërgon. Pasi takohem me të, e porosis që ta shoqëronte mikun çek gjer poshtë Qafës së Gjalprit, sa ta fuste në rrugën që do ta çonte në Vrëpckën e botues Mehmet Gëzhillit e pastaj udha merrte tatëpjetë për në Moglicë. I jap djaloshit shoqërues të fshatit 1 mijë lekë dhe e porosis që të tregonte kujdes për të.
Ndërkohë nën’ja i mbushi djaloshit çek një qese me ushqime dhe ujë…

 

I riu çek V. P. (Grevë, 2019) (Foto V.B.)

 

 

 

I riu çek V.P. në fshatin Grevë / Skrapar

***

Pasdite vonë, i ati i djaloshit shoqërues më thotë së gjithçka kishte shkuar mirë sipas porosive dhe udhëzimeve që i kisha dhënë.
Dhe kështu iku edhe djaloshi çek.

Sigurisht, mora vesh që ishte bashkuar me shoqen, me grupin.

Jo se më lajmëroi ai, por im bir pyeti shoqen e tij nëse ishte bashkuar me shokun dhe ajo i ktheu përgjigje duke e falënderuar: Po!

Endja e atij djaloshi çek nëpër Shqipëri nuk i ngjante, por ishte një aventurë e vërtetë. Unë dua jo të udhëtoj, po të shkel nëpër Shqipëri me tha. Sigurisht u ndjeva shumë i lehtësuar që aventura e tij me kokë në torbë kishte përfunduar me sukses. Në mendje më kaluan si në revistë disa ngjarje jo të këndshme që u kanë ndodhur Çekëve nëpër Shqipëri dhe unë u gëzova që ai qëndroi atë natë në shtëpinë e prindërve të mi në Grevë, duke shmangur ndoshta një rrezik të kuq. I paralajmëruari, i shpëtuari.

Dhe sigurisht, ai e kreu këtë udhëtim në këmbë nëpër vendin tonë duke i rënë që nga Korabi e gjer ne Korçë duke kaluar nëpër Skrapar, nëpër Tomorricë, nëpër Grevë. As qe e kish përfytyruar, as që më kishte shkruan në mëndje se do të kishte Çekë aq të krisur sa të kalonin në këmbë përmes Tomorricës nga Qafa e Dëvrisë, ku nis Baba Tomorri, rrëzë tij, nëpër Gjerbës, nëpër lumin e shteruar të Tomorricës, tashme në gjysmëgusht, nëpër Grevë, Postenë, Qafën e Gjalprit për të kaluar në Zonën e Oparit, Korçës.

Unë tashmë gjykoj e hamendësoj se kalimi natën nëpër malin e Grevës do të ishte një kërcenim serioz për djaloshin çek. Unë jam i atyre anëve, njohës i mirë i tyre, nuk kam lënë pëllëmbë pa shkelur qysh i vogël kur mblidhja lule, i rrahur me të nxehtët e me të ftohtët, por në kushte të tilla të sotme, kur ai mal është i mbushur me kope dhensh e dhish të cilat ruhen me qen për gjë (qen për gjë = qen gati të egër, sulmues ndaj gjithkujt që nuk e njohin), i mbushur me bisha (ujqër e arinj), nuk do të guxoja assesi të ndërmerrja një udhëtim të tillë fillikat natën pus. Por Perëndia Baba Tomorr, mendoi duke ma nxjerrë djaloshin çek në rrugë në çastin e duhur që ai ta kalonte natën qetë, pa i hyrë qoftë edhe një gjemb dëllinje në këmbë, në shtëpinë tonë modeste ne Grevë-Tomorricë / Skrapar.

Le të mos harrojmë se ditët 15 – 25 gusht njihen si Ditët e Shenjta të Babamal Tomorrit. Ai, pa u menduar për shpjegime se si e qysh, di t’i ndihmojë njerëzit ngado qofshin jo vetëm në ditët e tij, por gjatë gjithë vitit.

 

***

Këtë gusht qëndrova në fshat nja 10 ditë. Fshati dukej i rrëgjuar. Rruginat kishin nisur të zinin bar. Më është ngulitur një fjalë e urtë e popullit tonë: Udhën për te miku mos e lër të zërë bar. Por si i bëhet kur miqtë janë larguar e shtëpitë kanë rënë duke u kthyer në gërmadha. Greva me një shkëlqim të dikurshëm, tashme ishte vyshkur. I ishte përshtatur natyrës thatësore-gushtore. Tek tuk ka mbetur ndonjë oazë (familje) që mezi i bën ballë thatësirës (halleve ekonomike).

Fruti i vetëm me bollëk që vilnin / mblidhnin fshatarët e mi këto ditë ishin kumbullat e verdha e të kuqe të mbushura plot. Disa pemë ishin thyer nga pesha e madhe. Disa të tjera nga pjekja e madhe ishin bërë shuall përtokë dhe piqeshin edhe më shumë nën diellin përvëlues gushtak. Nuk mbaja mend që, tek mblidhja edhe unë kumbulla, disa kokrra ishin nxehur aq shumë sa të dukej sikur kapje thëngjij, gaca (shpuzatorë siç i thonë Tropojanët e mi apo kongjinj siç i thonë thëngjillit në numrin shumës në të folurën e Tomorricës). Kumbullat i mblidhnin për raki. Rrushi sapo kishte nisur të pshëjtej. Arrët dukeshin të plakura. Çezmat e fshatit (Popçja) kishte shteruar. Dy lëfytet e saj me ujë gati sa për një rremë mulliri, sot dukeshin si currila, a thua se kishe ngritur kazanin e rakisë, aq i hollë ishte peri i ujit që dilte prej tyre. Fuqia gërryese e rrebesheve të mëparshëm kishte gërryer vendin pranë çezmës në atë masë sa, po nuk u ndërmorën masa të menjëhershme, gjithë atë krua ku mbushnin ujë e lanin faqet e syçkat e bukura njëherë e një kohë ato çupa si perri, shpërndarë sot gjer në kontinentin amerikan, ku lanin amvisat e shtëpive grurin, rrezikon të përpihet krejt, duke i shkuar ai pak ledh që i ka mbetur dhe ata dy gurë në …lumë.

***

Ditët rrodhën me shpejtësinë i rakisë që rrjedh nga ullullaja e kazanit të rakisë. Fuçitë me kumbulla unë i mbusha, po atë do ta provoj kur ta nxjerrë babai, mjeshtër në këtë zeje.

***

Erdhe dhe dita e kthimit… Bashkë me tre shokë të tjerë nga fshati morëm Çimin të na sillte në Ujëmbret (Çorovodë). Tre shokët kishin hipur më përpara në makinë. Kur dal unë, vura re se ata (edhe pse dy prej tyre janë më të mëdhenj në moshë) më kishin lënë mua vendin e parë. Ne Skraparasit zihemi e për çnuk zihemi. Mbi pesë minuta ngula këmbë që në vendin pranë shoferit të ulej më i madhi se atij i takonte, por ai nuk pranoi që nuk pranoi. Jo thoshte, neve na bie radha shpesh, ti vjen më rrallë, ty të takon sot të ulesh në vendin e parë. Sakaq, shofer Çimi këputi një batudë të këndshme. Më tha ta kanë bërë me hile se ai që ulet në vend të parë, paguan kafetë në Gjerbës… Mbërritëm në rrugën copë-copë 10 km Grevë – Gjerbës. (Për shkak të gjendjes mjerane, kush merr makinën nga Greva ne Gjerbës e anasjelltas, duhet të paguajë 2500 lekë (të rinj.) për 10 km. U ulëm në një lokal, pimë kafen e mëngjesit dhe u çova, kur të tjerët s’kishin mendjen dhe pagova, sepse me ta të gjen belaja. Zihesh kot së koti. Zihesh se kush të paguajë. Secili hidhet i pari pranë kamerierit. Sigurisht bënë disa fjalë, por ngaqë s’kishte shumë kohë, u ngritëm për të përvijuar udhën Gjerbës – Ujëmbret. Udhës, edhe për shkak të Ditëvë Tomorriane, kishte shumë pluhur…

Mbërritëm në kohë, bash kur do të nisej autobusi nga Ujëmbreti për në Tiranë, në orën 9.00.

Aty takoj nja dy shokë… Njëri (Gjergj Qafoku), njohës i hollë e i thellë i Vërzhezhës e i krejt Skraparit si dhe i traditave të shëndosha bektashiane, pasardhës i Dervish Iliazit ( i cili ngriti teqenë në Kulmak /Tomorr në vitin 1916) po  kthehej nga rituali i përvitshëm i Tomorrit. E pyeta si ia kishte kaluar.

Nuk ishte aspak i kënaqur… Më tha dhe me tregoi me fotografi se kishte reklama. Se ç’do reklama në një festë sa paganë aq edhe fetare, eja merre vesh. Më tha se ishte ndërtuar pranë teqesë një lokal, gjasmë i pagëzuar më emrin si lokali i Teqesë, por që menaxhohej nga privatë të dëgjuar. Më tha se therja e bagëtisë (kurbani) ishte dhënë me “koncesion”. Kjo fli kushtonte 500 L, nga të cilat 200 shkonin për therësin (kasapin, mishtarin) dhe 300 për “koncesionarin”, ndërkohë që tradita e kërkon që kurbani të theret nga dervishë. Më tha se nuk zbatoheshin ritet tradicionale ku çdo bujtës-besimtar duhej të hynte në Teqe e të hante një lugë gjellë për sevap, siç e kërkon tradita, e jo t’i tregohet: Ja tek është lokali i teqesë. Shkurt, shmangie nga Tradita etj. etj…

***

Autobusi ecte… Bash kur merrte shpejtësi, duhej të ndalonte, sepse ngrinte dikush dorën mbanë rruge për 1-2 km. Autobusi ndalonte, merrte pasagjerin dhe vazhdonte dhe ky veprim bezdisës përsëritej gjithë rrugës, o për hipje, o për zbritje, madje edhe mbanë të ashtuquajturës autostradë.

Rreth orës 13.30 mbërrijmë në Tiranë.  Nga vendi ku na lë autobusi, një që duhet të hipi në autobusët qytetës duhet të bëjë rreth 200-300 m rrugë gjer te stacioni. Me të zbritur, shoferë të ndryshëm taksish gati sa nuk te fusin krahun e të të marrin çantat për në taksitë e tyre. Kur nuk do që të shkosh me taksi, ka edhe nga ata që të përcjellin me ndonjë sharje të cilën je i detyruar t’ua kthesh pa zë me të njëjtën monedhë në mos edhe ca më shumë.

Fakti që stacioni i autobusit është rreth 250 m larg stacionit ndërqytetës nuk do të thotë se është shumë larg. E keqja qëndron se gati 100 m gjatësi rrugore i zënë me dhjetëra taksi. A nuk do të ishte më e udhës që të këmbeheshin vendet, pra, në fillim të vendosej stacioni i autobusit brendaqytetës pastaj vendi i taksive?

Pas pak vjen autobusi. U nis gëç-gëç. Me shpejtësi breshke. Pas dy stacionesh qëndroi. Faturinoja zbriti dhe ndezi një cigare. Ne, shtrënguar si sardelet në konservë, shanim me vete. Gratë siç e kanë zakon mallkonin. Kishte edhe nëna me fëmijë të cilët qanin nga vapa. Kishte edhe të tjerë që vraponin dhe gëzoheshin që ia arritën të hipnin në autobus duke shmangur disa minuta pritjeje torturuese. Dikush që pa faturinon që pinte cigare me bllokun e biletave në dorë, zbriti duke thënë: Pa ta ndez edhe unë njëherë se m’u ça fyelli i hundës. Më së fundi autobusi u rinis ku me shpejtësi ngalakaqe si kërmill e ku si breshke. Pas mbi një gjysmë ore mbërrijmë nga dogana te stacioni “Vasil Shanto” të lodhur, të djersitur, por të kënaqur që zbritëm…

Këtu përfundojmë edhe pushimet udhëtuese të verës 2019.

Dhe, për ta mbyllur:
Robi nuk ka kurrë nevojë për më shumë pushime se sa kur kthehet nga ato!

***

Më poshtë, po japim disa fotografi të marra (shkrepura prej nesh V.B.) në fshatin Grevë / Skrapar.

 

Vajzë nga Greva (S.H.)

 

 

Viktor Bakillari
04 – 23 gusht, 2019.

 

 

GUSHT, 2019

Share: