Iu gjet depo me armë në një magazinë, lirohet me garanci pasurore biznesmeni nga Elbasani.
Ilir Beko, vetëm tri ditë pas vetëdorëzimit në Polici, ka rifituar lirinë. 45- vjeçari ka vendosur si garanci një shumë prej 5 milionë lekësh. Gjatë seancës, avokati i tij paraqiti si argument se në armët e gjetura nga një kontroll në magazinën që rezulton në pronësi të Bakos, nuk ka shenja të gishtërinjve të biznesmenit dhe gjithashtu ai nuk kishte dijeni për praninë e tyre.
Pavarësisht këtij pretendimi, Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg”, gjë e cila në fund u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, duke vendosur që biznesmeni të hetohet në gjendje të lirë. Ilir Beko u vetëdorëzua në Polici më 26 gusht, pasi prej 1 korrikut ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Zbulimi i armëve në një prej magazinave që gjendet pranë një pike karburanti “Eldio Petrol” në fshatin Papër të Elbasanit, erdhi gjatë një kontrolli të RENEA-s pas atentatit të ndodhur ndaj dy vëllezërve, Aleksandër dhe Klevin Baho, ku mbeti i vrarë ky i fundit. Atentati ndodhi pikërisht jo shumë larg karburantit ku edhe u zbuluan depoja e armatimeve.
Fillimisht, Policia mohoi faktin e zbulimit të armëve, ndërsa më pas pezulloi nga detyra katër punonjës të Policisë në Komisariatin e Cërrikut dhe Elbasanit, ndërsa dy të tjerë u lanë në hetim administrativ, pas dyshimeve se kanë dhënë informacion në media për zbulimin e armëve.
Armët e sekuestruara ishin të kalibrave të ndryshme, ndërkohë që dyshohet se kanë ardhur nga Italia pasi ishin të mbështjella me gazeta në gjuhën italiane. Ato rezultojnë armë moderne, të cilat më parë janë përdorur nga forcat e NATO-s dhe nuk dihet se si kanë përfunduar në Elbasan.
Bëhet fjalë për 17 armë të kalibrave të ndryshëm, që pas sekuestrimit u dërguan për ekspertim balistik dhe daktilografik në Institutin e Policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme. Nga verifikimet e para, rezulton se shumica e armëve të sekuestruara janë prodhim nga Francë dhe Belgjika, që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO-s. Mes tyre janë armë të sofistikuara, snajper dhe pistoleta me silenciator. Por, mes tyre, janë gjetur dhe shtatë kallashnikovë dhe një armë gjahu.
Atentati ndaj dy vëllezërve çoi në zbulimin e depos së armëve
Aleksandër dhe Klevin Bahos iu bë atentat një ditë pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Shënjestër e atentatit mësohet se ka qenë vëllai i madh i njohur dhe me emrin, Aldo. Ngjarja ndodhi mesnatën e 1 korrikut, ku i vdekur mbeti 21-vjeçari, ndërsa 30-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.
Gjatë atentatit, Klevin Baho u është përgjigjur me zjarr atentatorëve, pasi në vendin ku u gjet i vdekur u zbulua një pistoletë tip “Glok”. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar viktimën, Klevin Baho, duke kaluar pranë pikës së karburantit pak para atentatit. Pikërisht gjatë kontrolleve të Policisë, pas kësaj ngjarjeje, u zbulua dhe depoja e armëve në magazinën e karburantit në pronësi të biznesmenit Beko.
PANORAMA