Shqiptarët në Zvicër kanë jetë të re, por atdheun nuk e harrojnë

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

 

«Populli i cili e përjeton veten si racë sipërore edhe ndihet i rrezikuar: fuqia punonjëse është ftuar dhe njerëz po vijnë. Ata nuk po e gllabërojnë mirëqenien, përkundrazi, ata janë të domosdoshëm për mirëqenien». – Max Frisch, shkrimtar zviceran.

 

Këto fjalë Max Frisch i shkroi në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kur në Zvicër po vinin gjithnjë e më shumë italianë. Ata vinin, sepse ekonomia e këtij vendi alpin kishte nevojë për ta. Ata vinin dhe punonin nëntë muaj, pastaj duhej të largoheshin për tre muaj. Në pranverë vinin sërish. Vinin pa familje, sepse sjelljen e familjes nuk ua lejonte shteti zviceran. Muskujt e tyre kërkoheshin, familjet e tyre ishin të padëshiruara.

 

Kjo vuri në pah kontrastin e mprehtë me situatën e para 150 viteve. Në prill të vitit 1815 në Indonezi kishte shpërthyer vullkani Tambora dhe kishte mbuluar botën me aq shumë hi, saqë për dy vite me radhë s’ishte parë stina e verës dhe të lashtat qenë katastrofale. Në vitet 1816 dhe 1817 vetëm në kantonin e St. Gallen-it vdiqën pesë mijë njerëz nga uria. Përballë mjerimit të madh nënat hidheshin në humnerë bashkë me fëmijët e tyre ose fundoseshin në ujë, ndërsa burrat shkonin për të luftuar si mercenarë – sipas një tradite të gjatë zvicerane që nga Mesjeta. Një traditë që zviceranët e ndajnë me shqiptarët, të cilët po ashtu s’kanë ngurruar të kyçen në luftëra të huaja nëse për këtë paguheshin ose gëzonin privilegje të tjera.

 

Përafërsisht kur Max Frisch shkroi për punëtorët italianë që vinin në Zvicër, në Gjermaninë fqinje arriti punëtori i njëmiliontë nga bota e jashtme: Armando Rodrigues de Sá zbriti në stacionin e trenit në Köln në një ditë shtatori të vitit 1964 dhe u prit nga një delegacion zyrtar, i cili i dhuroi një motoçikletë. Atëbotë gazeta «Kölnische Rundschau» shkroi: «Ky burrë nga Portugalia gjatë pritjes së bujshme ndryshoi çehren përballë masës së njerëzve thua se është pishman që ka udhëtuar nga vendlindja e tij në mërgim. (…) Portugezi i pritur si yll, pas përshëndetjes zyrtare, tha: ‘Pritja e përzemërt dhe motoçikleta ma bëjnë më të lehtë ndarjen nga familja’». Një përfaqësues i qeverisë gjermane në vitin 1969 kishte thënë se puna e të huajve «është një fitim që s’mund të matet». Jugosllavia dhe Turqia konsideroheshin atëbotë si vendet me potencial më të madh për furnizimin e tregut gjerman të punës me fuqi punonjëse. Në këtë atmosferë të lulëzimit të ekonomisë filluan të vinin edhe shqiptarët në Gjermani, Zvicër dhe Austri.

 

Qeveritë në Bonn dhe Beograd kishin lidhur marrëveshje për rekrutimin e punëtorëve. Njëjtë kishte vepruar edhe qeveria zvicerane. Interesimi për të mërguar ishte më i madh në pjesët më të varfra të Jugosllavisë së atëhershme dhe këtu hynin sidomos viset e banuara me shqiptarë (Kosovë, Maqedoni Perëndimore, Mali i Zi dhe Luginë e Preshevës në Serbinë jugore). Sektori i ndërtimtarisë dhe degët e industrisë në Gjermani, Austri e Zvicër kërkonin forcë muskujsh dhe Jugosllavia ishte e gatshme që këtë forcë ta eksportonte për të zbutur tensionet sociale dhe varfërinë.

 

Kosova ishte streha më e varfër e Jugosllavisë. Në fillim të viteve 60-të, rreth 15 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mijëra shqiptarë u nisën me autobusë dhe trena drejt anës perëndimore të kontinentit të vjetër, drejt botës gjermane, kryesisht. Punëdhënësit mes Gjenevës dhe Berlinit konstatuan se në Itali kishte gjithnjë e më pak punëtorë për rekrutim, andaj u orientuan nga Jugosllavia dhe Turqia. Në vitin 1970 në Zvicër jetonin përkohësisht dhe punonin 25 mijë shqiptarë. Sot nga të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë në Konfederatën Helvetike jetojnë mbi 200 mijë njerëz.

 

Si u bënë 200 mijë shqiptarë në Zvicër? Si u bënë 150 mijë në Gjermani dhe ndoshta po aq të tjerë me shtetësi gjermane? (Mendohet se në Gjermani jetojnë gjithsejtë 300 mijë shqiptarë). Në fillim shqiptarët vinin si punëtorë, pa familje, siç u tha. Më vonë, kur, ta zëmë, në Zvicër u lejua sjellja e familjes, jo pak shqiptarë ngurronin të sillnin familjen në vendin e huaj. Ata kishin ardhur me bindje se nuk do të qëndronin gjatë në vendin nikoqir. Dëshironin të fitonin sa më shumë para e të ktheheshin në shtëpi. Propaganda komuniste jugosllave jo rastësisht i quante «punëtorë të punësuar përkohësisht në botën e jashtme». Përkohësia u shndërrua në qëndrim të përhershëm. Që nga mesi i viteve 70-të shumica e shqiptarëve të punësuar në Gjermani, Austri, Zvicër e kishin të qartë se ardhmëria e Jugosllavisë ishte tejet e pasigurt për shkak të krizës së thellë ekonomike dhe politike. Megjithatë, me zjarr në zemër dhe me jo pak ëndrra për një Kosovë të lirë nga dhuna politike shumë shqiptarë nuk dëshironin t’i sillnin familjet në Europën Perëndimore dhe kështu të ndikonin në uljen e numrit të shqiptarëve në Kosovë. Në të njëjtën kohë punëtorët spanjollë, italianë dhe portugezë shfrytëzonin mundësinë e re dhe sillnin familjet në Zvicër.

 

Deri në fund të viteve 80-të punëtorët shqiptarë në Zvicër ktheheshin në atdhe me para dhe me artikuj që simbolizonin luksin perëndimor (televizorë me ngjyra, radio dhe aparate amvisërie). Gjendja ndryshoi me eskalimin e konfliktit në Jugosllavi: shumica e gastarbajterëve («Gastarbeiter» dmth. punëtor mysafir) vendosën t’i sjellin shpejt e shpejt familjet në Zvicër. Autobusët modernë të «Turist Kosovës» dhe trenat nga Fushë-Kosova dhe Bujanovci transportuan mijëra familje drejt vendeve gjermanofolëse. Në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të vetëm në Zvicër erdhën, në kuadër të bashkimit familjar, rreth 60 mijë mërgimtarë shqiptarë – kryesisht gra e fëmijë. Integrimi i ardhacakëve nuk qe i lehtë. Për dy arsye: autoritetet zvicerane mendonin se mërgimtarët e rinj do të ktheheshin shpejt prapa pas qetësimit të gjendjes në Jugosllavi, andaj, rrjedhimisht, nuk ndërmerrnin hapa konkretë për integrimin e mërgimtarëve të rinj. Një vendim fatal, sepse – dhe kjo është arsyeja e dytë – shumë shqiptarë vazhdonin të besonin në iluzionin se qëndrimi në Zvicër është i përkohshëm, prandaj parapëlqenin të jetonin në Kosovat e tyre të vogla e të izoluara në Zvicër – pa kontakt me popullsinë vendase.

 

Heqja e autonomisë së Kosovës, instalimi i sistemit represiv të Beogradit nga Gjilani në Pejë dhe nga Mitrovica në Prizren, kolapsi ekonomik, frika e të rinjve se do të detyrohen të shërbejnë në Armatën Popullore të Jugosllavisë, e cila tashmë ishte shndërruar në trupë në shërbim të interesave të regjimit të Slobodan Millosheviqit, përjashtimi nga puna i mijëra punëtorëve shqiptarë, mbyllja e shkollave publike për shqiptarët shkaktuan një valë të madhe emigrimi drejt Europës Perëndimore.

 

Ishte e vetëkuptueshme që azilkërkuesit do të provonin të gjenin strehim në ato vende ku kishin familjarë të afërt apo të largët – në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Dikush kishte një dajë në Gjenevë, tjetri një axhë në Basel, dikush një kushëri në Bernë, tjetri prindërit në Zürich. Apo Berlin, München, Stuttgart, Düsseldorf, Vjenë, Villach, Graz. Etj.

 

Shumica e azilkërkuesve nuk kishin të drejtë të punonin dhe jetonin të izoluar në periferi qytetesh apo fshatrash. Në këto rrethana sidomos të rinjtë shpesh bëheshin pjesë e rrjeteve kriminale, ta zëmë bandave për shitjen e drogës. Në fillim të viteve 90-të, për shembull, një pjesë e madhe e tregut të drogës në Zürich kontrollohej nga shqiptarët. Ueli Leuenberger, një aktivist sindikal, mbrojtës i të drejtave të azilkërkuesve dhe politikan i Partisë së Gjelbër, është njëri prej njohësve më të mirë të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ai thotë se autoritetet zvicerane kanë gabuar rëndë kur të rinjtë shqiptarë të ardhur në këtë vend i vendosnin në baraka azilantësh dhe jo afër familjarëve të tyre, të cilët do të mund t’i mbanin nën kontroll. Kështu një pjesë e tyre rrëshqiti në kriminalitet edhe për shkak të mungesës së mbikëqyrjes sociale, mendon ai.

 

Gjatë viteve 90-të në Zvicër funksiononin shoqata e klube shqiptarësh si dhe përfaqësi të partive politike të Kosovës. Aktiviteti i tyre nuk ishte i orientuar në integrimin e shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, por në mbështetjen e Kosovës. Me shpërthimin e luftës në Kosovë pasuan ndryshime dramatike në komunitetin shqiptar. Një numër i konsiderueshëm i atyre që sapo kishin ardhur në Zvicër u kthyen për t’u kyçur në luftë, në të njëjtën kohë Zvicra pranoi mbi 50 mijë refugjatë nga Kosova në vitet 1998/99. Ata u vendosën edhe në objekte të ushtrisë, po ashtu popullsia zvicerane tregoi një solidaritet të madh me vuajtjet e popullit të Kosovës duke ofruar ndihma jo vetëm financiare.

 

Megjithatë, imazhi i shqiptarëve të Kosovës në Zvicër mbeti negativ – nga njëra anë për shkak të sjelljeve të patolerueshme të një numri të vogël të shqiptarëve, nga ana tjetër për shkak të ksenofobisë në rritje në disa qarqe politike zvicerane. Pas përfundimit të luftës së Kosovës shumica e 50 mijë shqiptarëve të pranuar si refugjatë të përkohshëm u kthyen në atdhe për të ndërtuar një të ardhme në paqe. Në këtë synim ata u mbështetën financiarisht nga shteti zviceran. Bujqve kosovarë Zvicra pas luftës u solli nja 2 mijë lopë – me avionë të posaçëm.

 

Që nga përfundimi i luftës shumë gjëra kanë ndryshuar. Gjenerata e dytë dhe e tretë e shqiptarëve në Zvicër, por edhe në Gjermani e Austri, ruan lidhje të ngushta me Kosovën, por jo aq emocionale sa gjenerata e prindërve. Viteve të fundit është shtuar dukshëm numri i shqiptarëve që marrin shtetësinë zvicerane dhe gjermane. Kjo vërehet edhe në rritjen e numrit të pjesëtarëve të Ushtrisë së Zvicrës me origjinë shqiptare. Pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar nga Kosova jeton në Zvicrën gjermane dhe sidomos në dhe rreth qendrave të mëdha ekonomike dhe industriale si Zürich, Basel, Luzern, Bernë, Lausanne e Gjenevë.

 

Zakonisht kur bëhet fjalë për shqiptarët në Zvicër, përmenden futbollistët që luajnë për reprezentacionin e këtij vendi. Por, shenjë edhe më e rëndësishme e integrimit janë dhjetëra mjekë, juristë, ekonomistë, arkitektë, inxhinierë e punëtorë të kualifikuar që punojnë në shumë degë të ekonomisë zvicerane. Është një shtresë në rritje, e cila nuk bie në sy të opinionit publik në krahasim me shkelësit e ndryshëm të ligjit, të cilët ende vazhdojnë të njollosin imazhin e komunitetit shqiptar – një imazh që ka nevojë urgjente të përmirësohet.

 

Nga vendi i prejardhjes, nga Kosova, komuniteti shqiptar nuk mund të presë ndonjë mbështetje të mirëfilltë për shkak të vështirësive të mëdha me të cilat ballafaqohet shteti ende i ri dhe jofunksional në shumë sfera. Përkundër faktit se Zvicra prej shumë vitesh ka bllokuar ardhjen legale të kosovarëve, emigrimi nga Kosova drejt Zürich-ut dhe qyteteve apo fshatrave të tjera helvetike vazhdon: kjo bëhet e mundshme përmes martesave të shqiptarëve apo shqiptareve të diasporës me vajza apo djem në atdhe. Kjo nuk është kategoria e vetme e ardhacakëve: për shkak të varfërisë së madhe që mbretëron në Kosovë (sipas të dhënave të Bankës Botërore 30 për qind e 1,8 milionë banorëve të Kosovës jeton në varfëri ekstreme) me qindra shqiptarë emigrojnë drejt Zvicrës, ku kërkojnë azil, ndonëse ligji për azil parasheh dhënien e strehimit vetëm atyre që janë të përndjekur politikisht. Që nga përfundimi i luftës shqiptarët nga Kosova ikin kryesisht për shkak të mjerimit të madh dhe mungesës së perspektivës.

 

Kohëve të fundit ka rënë dukshëm numri i azilkërkuesve nga Kosova për shkak të ashpërsimit të procedurës së azilit: kërkesat për azil trajtohen brenda 48 orësh dhe varfanjakët detyrohen të kthehen prapa. Jo rrallë të njëjtit njerëz e provojnë fatin në vende të tjera. Viteve të fundit opinioni në Kosovë ka qenë dëshmitar i përpjekjeve tragjike për ikje nga vendi: në tetor të vitit 2009 një grup trafikantësh tentoi t’i kalojë dhjetëra refugjatë kosovarë nga Serbia në Hungari – përmes lumit Tisa. Me atë rast pas përmbytjes së varkës në lumë humbën jetën 15 njerëz. Ndërkohë një gjykatë e Misionit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit (Eulex) i ka dënuar trafikantët me gjithsejtë 66 vjet burg. Por, vala e ikjes nga Kosova ka vazhduar viteve të fundit. Një numër i kosovarëve si vend për të kërkuar azil preferojnë Francën, ku jetojnë në kushte tejet të rënda. Pamjet e familjeve shqiptare duke mbijetuar në tenda apo nën ura kanë alarmuar për disa ditë opinionin në Kosovë, por si shumë skandale të tjera edhe ky është harruar shpejt nga shoqëria kosovare.

 

Që nga ardhja e gastarbajterëve të parë nga Kosova në Zvicër, Gjermani e Austri ka kaluar mbi një gjysmë shekulli. Shumica tashmë janë pajtuar se këto vende janë shndërruar në atdhe të dytë. Gjenerata e parë ka kaluar moshën 60-vjeçare, një pjesë e madhe është pensionuar dhe gjendet para dilemës: të kthehet në Kosovë apo të qëndrojë në Zvicër? Shumica e këtyre njerëzve marrin vendime pragmatike: vazhdojnë të ruajnë lejeqëndrimin në vendet perëndimore dhe të paguajnë sigurim shëndetësor për shkak se në Zürich, Berlin apo Vjenë sistemi shëndetësor është larg më i mirë se shërbimet në spitalet e Kosovës, e njëkohësisht gjatë vitit ata vizitojnë disa herë Kosovën. Por, edhe ata që qëndrojnë më rrallë në Kosovë, atdheun e tyre e kanë afër: falë kanaleve televizive dhe revolucionit të internetit, i cili mundëson komunikim të përhershëm me anëtarët e familjes, farefisin dhe shoqërinë në Kosovë. Diaspora vazhdon të jetë një pjesë e rëndësishme e Kosovës sidomos në aspektin ekonomik. Për çdo vit nga diaspora në Kosovë transferohen rreth një miliardë euro – një shumë tejet e rëndësishme për mbijetesën e familjeve të panumërta kosovare. Supozohet se çdo e treta familje merr ndihmë financiare nga diaspora. Këto para harxhohen për artikuj të konsumit të gjerë, për aparate amvisërie, makina, mjete bujqësore, për mbulimin e shpenzimeve të trajtime mjekësore, ilaçe etj.

 

Për shkak të lidhjeve të ngushta me atdheun, mobilizimi politik ende është i madh. Ngjarjet në Kosovë, Luginë të Preshevës, Maqedoninë shqiptare e Shqipëri përcillen me pasion dhe interesim të madh. Në Zvicër, Gjermani e Austri ende funksionojnë degë të partive politike të Kosovës – një anakronizëm. Përveç nxitjes së polarizimit mes komunitetit dhe ambicieve shpesh absurde për të drejtuar politikën në Kosovë, këto degë partish nuk dhënë më asnjë kontribut të dobishëm. Organizimi i tubimeve monotone politike dhe i promovimeve të librave me vjersha të nivelit të pabotueshëm janë pjesë e kalendarit të aktiviteteve të një pjesë të konsiderueshme të komunitetit shqiptar nga veriu i Gjermanisë deri në jug të Zvicrës. Në të njëjtën kohë një numër modest i pjesëtarëve të gjeneratës së dytë janë kyçur në jetën politike, duke u anëtarësuar në parti të ndryshme. Këtu vërehet një paradoks: një pjesë e shqiptarëve simpatizojnë Partinë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila prej vitesh zhvillon një fushatë agresive sidomos kundër shqiptarëve. Vëzhguesit politikë këtë fenomen e shpjegojnë me faktin se pjesa dërmuese e shqiptarëve në Zvicër rrjedhin nga rrethet konservatore në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe në atdheun e dytë përqafojnë opsionet politike konservatore dhe jo partitë liberale apo të majta, të cilat angazhohen për integrimin më të mirë të të huajve dhe për një shoqëri më tolerante.

 

Kjo anomali do të mënjanohet me gjasë vetëm nga gjeneratat e ardhshme. Dhe për këtë duhet shikuar shembullin e zhvillimit dhe integrimit të komunitetit italian në Zvicër. Për shembull: në vitet 70-të shumë italianë punonin në fabrika pas disa viteve që kishin kaluar në ndërtimtari, ku tani angazhoheshin kryesisht shqiptarët, turqit, serbët etj. Në vitet 80-të italianët filluan të depërtojnë në mënyrë masive në gastronomi. Ndërkohë fëmijët e këtyre pronarëve të dikurshëm të restoranteve janë integruar dhe pothuaj asimiluar në Zvicër. Aktualisht në qytetet e mëdha të Zvicrës një pjesë e konsiderueshme e restoranteve me kuzhinë italiane udhëhiqen nga shqiptarët. Fëmijët e tyre, ashtu si fëmijët e italianëve para 10 apo 20 vitesh, po integrohen hap pas hapi – ndonëse jo pa vështirësi, por kjo duket e kuptueshme nëse merret parasysh se komuniteti shqiptar ka kaluar nëpër përvojën aktive apo pasive të shtypjes dhe represionit politik, e në fund edhe të luftës – për dallim nga italianët e ardhur në Zvicër. 50 vitet e kaluara për shqiptarët e shpërndarë në diasporë kanë qenë vite të luftës për mbijetesë.

 

Gjysmëshekulli i ardhshëm nuk do të sjellë shumë mrekulli, por disa gjithsesi. Do të shohim më shumë shqiptarë, të cilëve do t’u duartrokasim për të arriturat e tyre në profesione dhe në jetën publike.

Share: