11 pavarësi e Kosovës, përmes sfidave dhe perspektivës

Analizë Opinion Politikë

Nga Sylë Ukshini*

Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju uroj mirëseardhjen në këtë ditë të shënuar për Kosovën, në 11 vjetorin e pavarësisë, datë që shënon nisjen e dekadës së dytë të shtetësisë të atdheut tonë !
11 vjet më parë, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës vulosi të ardhmen e vendit, shpalli pavarësinë, e cila dy vite më pas mori konfirmimin e saj edhe përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Deri këtu Kosova bëri një rrugëtim të gjatë, të nisur më 1912 dhe të finalizuar vetëm me 2008.
Ishte një shekull qëndrese dhe sakrificash, brez pas brezi, derisa ne realizuam ëndrrën tonë të madhe, duke e vendosur Kosovën në hartën politike të globit si shtetit më i ri. Ishte një fitore e jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe të gjithë aleatët tanë, që dy dekada më parë na ndihmuan në ditët më të vështira, në ditët kur neve po na kanosej zhbërja dhe dëbimi nga atdheu ynë. Thënë me fjalët e shkrimtarit dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqe, Eli Ëiesel, ai ishte momenti kur “brezi im pati humbur pothuaj gjithçka”.
Të dashur miq,
Edhe në këtë përvjetor ne ndiejmë detyrim të nderojmë dhe të përkulemi për njerëzit e lirisë, për ata që mposhtën robërinë e gjatë dhe për ata që mundësuan kthesën historike për Kosovë.
Sigurisht, një meritë e veçantë i takon vëllezërve tanë në Shqipëri, të cilët 20 vjet më parë hapën dyert e shtëpive të tyre për afro një milion shqiptarë të dëbuar me dhunë nga Kosova. Ishte një solidaritet dhe një humanizëm impresionues. Ndaj gjejë rastin që edhe në këtë përvjetor të falënderoj dhe njëkohësisht të përulem për këtë humanizëm shembullor, që impresionoi botën. Rezistenca civile në vitet 90-të dhe lufta e madhe Kosovës 1998-1999, e drejtuar nga UÇK, paraqet projektin më madhor politik, diplomatik dhe ushtarak që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Edhe i ndrituri Mid’hat Frashëri kishte shkruar dikur se shtetndërtimi i Kosovës ishte amaneti dhe përmbushja e projektit të Lidhjes së Prizrenit.
Pikërisht kjo luftë, ky projekt dhe kjo trashëgimi u bë bazamenti dhe udhërrëfimi i qartë për bërjen e shtetësisë së Kosovës, e cila nga viti në vit po konsolidohet në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Orientim strategjik i Republikës së Kosovës mbetet fqinjësia konstruktive me të gjitha vendet fqinje. Por, marrëdhënia jonë me Shqipërinë mbetet e pakrahasueshme me shtet tjera, është shumë e veçantë.
Kosova dhe Shqipëria vërtetë janë dy fqinje, por ato janë më shumë se vende fqinje, janë aleat të natyrshëm strategjik. Ato kanë qëllime dhe aspirata të përbashkëta, për më tepër Kosova dhe Shqipëria kanë një gjuhë, një kulturë, një histori, si dhe një orientim strategjik afatgjatë euro-atlantik. Pra, Kosova dhe Shqipëria kanë ëndrra të përbashkëta. Po ashtu ne vlerësojmë angazhimin e të gjitha qeverive shqiptare për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, për integrimin e saj në sistemin ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, Kosova angazhohet për fqinjësi konstruktive edhe me të gjitha vendet tjera fqinje, sigurisht edhe me Serbinë, me të cilën kemi pasur një histori të vështirë, për njëqind vjet ishim si të huaj në atdheun tonë, ishim të shtypur. Por, tani ka ardhur koha për një marrëveshje historike, për të lënë prapa historinë e konflikteve dhe të luftërave, për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore të garantuar nga SHBA dhe BE, e cila rajonit do t’i garantonte qëndrueshmëri afatgjate dhe evropianizimin më të shpejtë, ndërsa Kosovës ulësen në Kombet e Bashkuara.
Pos kësaj, gjatë këtij viti edhe Kosova pret shumë se dhe qytetarët saj të bëhen pjesë e lëvizjes së lirë në hapësirën shëngen të BE-së. Kosova, jo vetëm ka pritur tepër gjatë, por kaherë ka përmbushur të gjitha kriteret teknike të kërkuara nga Brukseli. Një vendim i tillë do ta afronte më shumë Kosovën me BE-në dhe do bënte më evropiane. Sigurisht, kjo është edhe në interesin e vetë BE-së.
Në fund më lejoni të ju falënderojë përzemërsisht për pjesëmarrjen në këtë ditë të shënuar dhe po ashtu ju ftojë të ngremë gotat me të gjithë ju për ditëlindjen e 11-të të Republikës së Kosovës.

* Shef Misioni/Ambasada e Kosovës në Tiranë

Share: