Guguftuja, gruaja dhe vajtimi

Analizë Opinion

Nga Çapajev Gjokutaj

Pa hapur mirë sytë dëgjoj guguftunë që këndon në pishën përbri dritares. Kam renë në shtrat pasnesnate dhe kam bërë gjumë të keq, ndaj sot kënga e guguftusë nuk më ngjan si gazmend mëngjesi. Anon më shumë nga vajtimi, them me vete, dhe vetiu më vijnë në mend disa mëngjeze vere në mesin e viteve ‘50.

Kisha shkuar për disa ditë në fshat dhe agimeve, pa dalë ende dielli, më zgjonte vajtimi i hallës. Gjysëm përgjumësh dëgjoja vargjet dhe e kuptoja se qante të motrën dhe të vëllain. Kishin vdekur pa i mbushur të dyzetat, në një interval disa mujor nga njeri tjetri.

Kur u ktheva në shtëpi, ime më më shpjegoi se ashtu ishte zakoni. Gratë që kishin humbur të afërm vajtonin mëngjezeve gjatë gjithë kohës që ishin në zi. Dhe zija për të afërmit zgjaste minimumi një vit.

Nuk mbaj mend që atëherë të kem patur ndonjë qendrim ndaj këtij zakoni. Gjithsesi zëri i hallës që vajtonte me ligje kishte lenë vragë në kujtesën time, ndaj do të më përhihej gjatë gjithë jetës. Vajtimi shfaqej njësoj por qendrimi im ndaj tij ndryshonte, madje kthehej edhe në të kundërt.

2.

Fillimisht e kujtoja thjesht për atmosferën gotike: vajtimi në gjysëmerrësirën e shtëpisë përdhese, ku hijet e natës bënin betejën e fundit me dritën e agut; halla që fliste me të dashurit e vdekur dhe u përcillte lajme për familjet, vëllazërinë, fshatin. Errësirë dhe dritë, të gjallë e të vdekur, frikë dhe dhembshuri, të gjitha përzier bashkë si në këngën e Dhoqinës.

Më pas, në mesin e viteve ‘60, në rininë e hershme, i etur për vemendje e afirmim, do t’i hyja dhe unë ‘kryengritjes’ kundër autoritetit, zakoneve, mendësive tradicionale. Kjo periudhë e zhvillimit vetiak përkoi me fushatat për emacipimin e gruas, ndaj vajtimet e hallës nuk do t’i nëpërmendja më për frymën gotike.

Do t’i kujtoja si dëshmi e diskriminimit të gruas. S’mjaftonte që lodheshin e rropateshin gjithë ditën në punë cfilitëse, mes skamjes e paragjykimeve, por duhej edhe ta helmonin ditën duke vajtuar qysh kur hapnin sytë. Zakoni, thoshja me vete, diskriminon grate; pse nuk ua ka lenë një pjesë të hidhërimeve dhe cfilitjeve fizike e shpirtërore edhe burrave?

Më vonë akoma, shumë më vonë, do të mësoja nga burime serioze shkencore se e qara, në një pjesë të mirë të rasteve, i bën mirë shëndetit fizik e mendor të atij që qan. Zbut stresin, lehtëson dhimbjet shpirtërore dhe ato fizike, përmirëson humorin etj.

Dhe të gjitha këto nuk thuhen me hamendje, as thjesht mbi bazën e vetëndjerjes së atij që porsa ka qarë, por mbi bazë analizash laboratorike që masin sasinë e oksitocinës apo endrofines, shkallen e aktivizimit të sitemit nervor parasimpatetik si dhe elementë të tjerë që sjellin relaks dhe përmirësojnë vetëndjerjen.

Kështu, parë nga të dhena laboratorësh bashkëkohorë, vajtimet e grave nuk do më rezultonin më diskriminim, por një veprim i zgjuar, praktik e jetdhenës. Në mëngjes, pa nisur ferri i puneve dhe shqetësimeve të ditës, gjenin disa minuta të qanin të afërmit, të ndiheshin mirë në raport me ta dhe me zakonin, por njëkohësisht edhe të gjeneronin hormone që sidokudo zbusnin streset dhe qetësonin trurin dhe trupin. Vërtetë ishin të pashkolla por, qysh nga kohë që s’mbahen mend, gratë dhe nenat kanë patur prirjen të jenë më pranë jetës, të mësojnë prej saj, ta mëkojnë dhe përmirësojnë përmes prakticitetit, përkushtimit dhe dashurise.

3.

Kjo puna e vajtimit ngjan se i kalon caqet e një dukurie të vetme dhe priret të marrë vlera përgjithësuese. I njëjti veprim, vajtimi i gruas për të afërmit e vdekur, ka marrë në mendjen time vlera e kuptime të ndryshme.

Dhe nuk ka qenë thjesht mosha që ka përcaktuar këto shndërrime, kanë ndikuar edhe formimi, gjendja emocionale e momentit, informacioni që kam patur, ideologjia mbizotruese në çastin e perceptimit etj.

Duke ecur këtij monopati të meditimit, më shkrepëtin një mendim i çuditshëm: mirë vajtimi që ndryshon e shndërrohet, është dhe s’është i njëjti, po vetja ime a ka qenë dhe mbetet e njëjta?

Sa herë vras mendjen për veten, dmth për personin që shtatë dekada fle e zgjohet me mua, rrezikoj të hyj në qorrsokak. Më dalin më shumë pyetje se sa përgjigje. Në një kuptim është si puna e njeriut dhe e trurit.

Njeriu ka dalur në kozmos e ka vajtur në hënë, eksploron gjithësinë me anije e sonda, por akoma nuk ka arritur të eksplorojë tërësisht trurin e tij, këtë gjithësi brenda vetes që një ditë do zhvishet mbase nga vellot e misterit.

4.

Për të mos hyrë në qorrsokakun e pyetjeve për veten, nis të meditoj për një kundërthenie tjetër. Dualiteti këngë vajtim në gugatjen e guguftusë është dhe s’është real. Përqasja e këngës me vajtimin ndodh vetëm në përjetimet tona. Në realitet, dmth në jetën e zogjve, s’është as këngë e as vajtim, por diçka tjetër, thonë ornitologët.

Në pranverë e në verë, kur shtohet drita e ngrohet moti, ndryshojnë proceset jetësore të zogjve, shtohen hormonet që nxisin dëshirën seksuale dhe shpendët, përgjithësisht në çifte, nisin maratonën e ngritjes së çerdheve, klloçitjes së vezëve dhe rritjes së të vegjëlve.

Në këtë stinë jete intesive shtohen këngët e meshkujve, që më shumë se harmoni, gëzim apo trishtim, përcjellin nevoja jetike. Mashkulli këndon a çirret që të joshë femrën a të pretendojë një territor. Tingujt që gjeneron u thonë meshkujve të tjerë: qendro larg hapsirës ku dëgjohet kënga ime dhe mos guxo t’i afrohesh zonjës së jetës sime.

Por ne jemi qenie të vetdijshme dhe, shumicën e herëve tejet të sigurt në vete…?, ndaj kemi një prirje të fortë antropomorfizuese, na vjen mbarë që gjithçka ta masim me kutin tonë dhe ta fusim në kallëpet njerëzore. Kështu edhe cicërimat, guatjet a krokatjet e shpendëve i përfytyrojmë si këngë, si vajtim, si gëzim a si dhimbje. E lehtëson këtë përfytyrim thuajse arbitrara fakti që shpendët prestojnë për simbolika të fuqishme.

Ashtu si njeriu shpendët mund të ecin në stere, disa edhe të lahen në det, por shumica e tyre kanë edhe një mënyrë plus: zhvendosen dhe lëvizin nëpërmjet fluturimit. Në ëndrrat e stërlashta të njeriut fluturimi s’është thjesht zhvendosje, simbolizon lirinë dhe transhedencën, aq të domosdoshme për të zbutur sadokudo frikërat dhe ankthet që krijonte vetdija e kufizimit, fundit, vdekjes.

Kjo mbase është një nga arsyet pse pothuajse gjithë popujt kanë krijuar folklor e mitologji të tëra me zogjtë. Por duket se shpendët e kanë ngashënjyer nëpër kohra njeriun edhe për një fakt tjetër: ka të ngjarë që janë familjarët më të mirë mes gjithë frymorëve. Dhe si të tillë përbënin një model gati-gati ideal, e ndihmonin gjindjen njerëzore në luftën e gjatë, të vështirë, por edhe të domosdoshme për ruajtjen e familjes monogame.

5.

Përqasja ‘këngë e guguftusë – vajtim i gruas’ përmban edhe një kundërthenie tjetër. Në botën e shpendëve guget a cicëron përgjithësisht mashkulli. Femrat, thonë ornitologët, rrallë këndojnë. Kurse në botën e njerëzve vajton përgjithësisht, gruaja. Se burrit nuk i ka hije vajtimi. Kështu ka qenë të paktën qysh nga kohët antike. Hektorin tek ‘Iliada’ e qan Andromaka, gratë vajtojnë edhe në operën ‘Arianna’ të Monteverdit njëzetë e pesë shekuj më pas, edhe tek ‘Dasma e Figaros’ e Moxartit akoma më vonë.

Rolet sociale janë të kundërta: meshkujt tek shpendët, gratë tek njerëzit. Megjithatë në esencë vepron e njejta logjikë, synohet i njeti funksion: forcimi dhe ruajtja e pushtetit të mashkullit. Gruaja mund e duhet të qajë, por burri jo, se e qara është çast molisjeje e dobësie dhe burrit ia do puna të shfaqet i fortë, të mbisundojë e të kontrollojë ndjenjat, madje për hir të pushtetit të dalë edhe kundër të vetvetishmes, spontanes, që janë pjesë e natyrës njerëzore, sidomos kur është fjala për emocione e ndjenja.

Gjithsesi koha duket se i ka dhenë të drejtë qasjes burrërore ndaj të qarës. Vajtimet tradicionale me të bërtitura, lebeti, çjerrje faqesh e shkulje leshrash pothuajse kanë perënduar. Por edhe vajtimet me ligje, dialog e kor mbijetojnë vetëm në disa pjesë të vendit, zakonisht krahina të thella e më të lidhura me tradicionalen. Në qytete dhe rrethina duket se po fiton terren vajtimi individual, nën zë, secila për vete, më pranë ndjenjës e më larg spektaklit të ritit.

Eshtë prirje e natyrshme e njeriut që në përjetimet emocionale të thellohet tek vetja, të synojë lirinë dhe spontanitetin përpara disiplinës, rregullit dhe detyrimit të ceremonialit. Zhvillimet në teknologjinë e komunikimit kanë bërë të mundur që njeriu sot të jetë më i vetmjaftueshëm në përjetimet emocionale dhe të konsumojë art e spektakël në liri të plotë pa patur nevojën e komshiut a të bashkësisē.

Gjithsesi kurrë mos thuaj kurrë. Disa qytete në Japoni kanë hapur ‘klube vajtimi’ ku njerëzit mblidhen për të qarë bashkërisht, sipas modës së dikurshme. Për të nxitur lotimin përdorin filma sentimentalë a muzikë të trishtuar. Dhe të gjithë këtë e bëjnë se mendojnë që vajtimi në bashkësi lehtëson trupin dhe përmirëson gjendjen shpirtërore, aq të stresuar nga ritmet e jetës moderne.

6.

Përzierja e kengës me vajtimin në rastin e guguftusë duket se ka edhe një sfond estetik. Në pamje të parë ngjan se kjo përzierje i ka rrenjët tek lloji i melodisë: diçka e trishtuar dhe e shtrirë mes këngës dhe vajit, diçka që shkrin kufijtë dhe bëhet ‘edhe… edhe…’. Faktikisht realiteti është shumë më kompleks dhe më i ndërlikuar se sa klasifikimet dhe kategoritë që përdorim ne për ta njohur dhe analizuar. Gjërat e prera dhe të pastra ekzistojnë më shumë në përfytyrimet tona, shumë -shumë në laborator, por rrallë, fare rrallë, në jetën reale.

Vajtimi tradicional ka qenë, veç të tjerash, edhe një akt transhedence, akt kalimi kufijsh, ikjeje. Duke vajtuar, gruaja bëhej pjesë e ritit, hynte në marrdhenie aktrimi me të pranishmit, bënte që temperatura emocionale të rritej dhe, në këtë atmosferë të arrinte të pabesueshmen: shkrirjen e kufijve mes botëve, mundësimin e bisedës me të vdekurin dhe pastaj edhe me vetë Hyun.

Është e vështirë dhe mbase e pamundur të ikësh nga kufijtë e reales dhe të hysh në hapsirat e të përjetshmes a të hyjnjores. Për ta realizuar këtë kalim të vështirë s’mjaftonte një art i vetëm, thirreshin në ndihmë disa lloje: edhe vajtimi, edhe kënga, edhe poezia, edhe muzika, edhe aktrimi. Dhe ky lloj sinkretizmi është i stërlashtë. Ndër perlat e poezisë zenë vend kreu disa vajtime si ai për qytetin Ur tek asirobabilonasit apo ato për shkatërrimin e Jeruzalemit në Psalmet e Testamentit të Vjetër.

Forcën gati gati çudibërëse të vajtimit duket se e mban parasysh edhe gjuha, kur në thenie të tipit ‘e qan gatimin’, ‘e ka qarë me lot përkthimin’ etj., procesi i të qarit merr kuptimet ‘bën në mënyrë të përkryer diçka’, ‘ka aftësi jo të zakonshme’, ‘është virtuoz’. Duket se vajtimi jo vetëm ka hyrë në art, është bërë pjesë e tij (e qarë me klarinetë, elegji etj. ), por edhe është kthyer në model harmonie e perfeksioni, si mëtim për artin e kulluar.

Share: