Tatimorët “zbarkojnë” edhe në Lagunën blu, aty ku pushojnë VIP-at e politikës

Ekonomi Kryesore

Tatimorët kanë zbarkuar në Qerret, në fshatin e njohur turistik për pushuesit VIP. Gjatë kontrollit ka rezultuar se subjekti që u shërbente politikanëve të majtë e të djathtë apo dhe gazetarëve të njohur nuk lëshonte kupon tatimor, ndaj dhe i është vënë shiriti.

Tashmë politikanët dhe gazetarët që nuk respektonin detyrimin për të blerë me kupon nuk do të kenë mundësi këto 30 ditë të marrin produktet.

Kontrollet kanë nisur dhe në subjektet me xhiro të lartë, ku  është zbuluar një magazinë me 500 mijë litra birrë të pa deklaruar në zonën e Kasharit në periferi të Tiranës.

 

Përveç bllokimit të mallit, subjekti është ndëshkuar me një gjobë prej 70 milionë lekësh.

Anila Denaj: Kjo për një sasi kaq të madhe pa akcizë në sektorin e birrës, është e patolerueshme. Ne do të vijojmë të gjithë planin e aksionit për të gjithë pikat dhe magazinat fiskale, qoftë ato të stokimit, qoftë të tjera për të gjithë produktet e akcizës, jo vetëm pijet por edhe hidrokarburet dhe gazin.

Sinjalizimi duket se është bërë prej Drejtorisë së Doganave, përmes analizës së riskut. Por ndryshe nga kompanitë e tjera të ndëshkuara prej tatimorëve, në rastin e doganës vihet re mungesë totale e transparencës.

Në asnjë moment nuk bëhet e ditur emri i kompanisë, madje dhe nga pamjet e publikuara në ERTV është hequr çdo fragment që mund të zbulonte emrin e subjektit, duke deklaruar vetëm gjobën.

Denaj theksoi se plani operacional do të vazhdojë dhe do të jetë i përpiktë në raportim në muajin gusht, shtator dhe në tetor njësoj si në muajin korrik.

Denaj: Në momentin e dytë që evidentohet shkelja do të jetë 5-fish gjobë sikurse kodi doganor e parashikon dhe mbyllje të biznesit. 

Evidentoni të gjithë mallin tuaj brenda një regjimi fiskal në një kohë sa më optimale, sepse ne nuk do të ndalemi edhe në muajin gusht, shtator dhe çdo magazinë fiskale do të kontrollohet. Duke filluar nga ato më të mëdhatë deri tek më të voglat. 

Share: