Mashat e kujt janë bërë Rama e Veliaj?

Analizë Opinion

Nga Enton Palushi

“Në momentin që një parti politike do jetë e aftë të manipulojë zgjedhjet – dhe është e sigurt se do mbetet në pushtet, pavarësisht se çka zgjedhin njerëzit në fletën e votimit- atëherë asgjë nuk e parandalon korrupsionin, pandershmërinë, ryshfetin, shpërdorimin e fondeve publike, abuzimin me ekonominë dhe financat, shtypjen e medias, përdorimin e dhunës dhe kështu me radhë”.

Nëse do ju pyeste kush në këtë kohë, se kush i ka thënë këto fjalë, zor se do ia qëllonit ndonjëherë. Mund të spekuloni për shumë emra, të huaj dhe shqiptarë, por vetëm tek emri i tij nuk do shkonit. E megjithatë, këto fjalë janë thënë nga Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, por rreth një dekadë më parë kur ishte futur në grevë urie për lirinë e zgjedhjeve. Ishte maji i vitit 2010 dhe ai po fliste për një agjenci të quajtur Inter Press Service.

“Nuk do të ketë kurrë demokraci reale në Shqipëri (dhe si pasojë as reforma reale të nevojshme për avancimin social-ekonomik të vendit) nëse nuk kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj, kjo retorikë e tërë e të ‘ardhmes europiane’ të kompromentuar është vetëm një shërbim që Berisha ua paguan militantëve të tij të ashpër dhe mbështetësve të tij të ngushtë europianë”, do ankohej Veliaj i ri në atë kohë, teksa shprehte jo pak skepticizëm për ‘komunitetin ndërkombëtar’.

“Edi Rama ishte një disident në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, ndërsa unë kalova katër vjet duke ndërtuar një lëvizje qytetare për të diskredituar republikën e bananeve të Fatos Nanos. Tani ne kemi bashkuar forcat kundër Berishës, një komunist i turpshëm, i të djathtës inflamatore dhe një siamez politik i Nanos. Rama reformoi socialistët dhe hoqi qafe të korruptuarit e Nanos. Grupi i ri parlamentar është dëshmi e kësaj: 80 për qind janë deputetë të rinj”.

Po të ishte cituar kjo fjali në fillim, do e kuptonit se bëhet fjalë për stilin e Erion Veliajt. Se sa disident ishte Rama, këtë vetëm Veliaj mund ta thotë. Se çfarë reformimi iu ka bërë Rama socialistëve, kjo nuk ka nevojë për koment. Se çfarë ndryshimi sollën të rinjtë e Ramës, as kjo nuk ia vlen të debatohet. Se si përfundoi Shqipëria nga një republikë bananesh, në një narkoshtet, kjo mund të hajë diskutim.

Por ajo që u analizua më shumë në atë kohë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, ka lidhje me kapërcimin e Veliajt nga shoqëria civile, drejt politikës. Në atë kohë ai e mbrojti këtë lëvizje me plot të drejtë duke thënë se kalimi në politikë do e mundësojë që të jetë pjesë e një mjeti më të fuqishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nuk ka asnjë dyshim se politika është mënyra më e mirë për ta bërë këtë.

Ndaj nuk mund të mos habitesh kur sheh se si Veliaj deklaroi gjatë protestave në mbrojtje të Teatrit Kombëtar se artistët po bëhen ‘masha’ të PD-së. Komenti i tij erdhi pasi regjisori i njohur, Edmond Budina, tha se ‘ka ardhur koha që të bashkohemi me PD-në’, diçka krejt normale.

Nuk ka asgjë të keqe të bëhesh ‘mashë’ e një force politike. E keqja është të bëhesh ‘masha’ e njerëzve me interesa të fuqishëm dhe të dyshimta financiare. Edi Rama dhe Erion Veliaj e kanë pranuar që të jenë veglat e një grushti të vogël njerëzish të fuqishëm financiarisht që i lëvizin si mashat e tyre sa herë duan të gllabërojnë diçka.

Nuk ka gjë të keqe as të jesh në politikë, por e keqe është që të tjetërsosh pronat publike, të korruptohesh, të mbytësh me beton e ndërtime qytetin, por mbi të gjithë të pranosh që shteti që ke ngritur, është një flluskë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet se si ky shtet nuk ka takat të investojë askund, as në teatër, as në bibliotekë, as në rrugë, as në universitete, por ua ka lënë në duar atyre që i kanë këto investime si ‘kusur’ xhepi për qytetarët.

Mendoni pak: Teatri i ri Kombëtar që premton qeveria do jetë një bakshish i gjashtë pallateve. Pasi të hiqet kostoja e ndërtimit, kostoja e korrupsionit, pasi të zbriten edhe fitimet e majme të biznesit që nuk preken kurrë, ajo që do mbetet do jetë Teatri Kombëtar. Një tepricë. Kusur! Kaq është takati i shtetit aktual. Sepse pjesa tjetër është tretur në vrima të mëdha të zeza korrupsioni, që shihen si kristal që prej Amerikës, por ua kanë zënë sytë në Shqipëri./mapo.al

Share: