E vrau të bijën në makinën që ia bëri dhuratë, babai shqiptar përballet me gjykatën

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë

AUSTRALI – Petrit Lekaj, babai shqiptar që vrau vajzën  e tij 20 vjeçe është përballur dje me një gjykatë në Adelajde nga shtrati, pasi është në spital me plagë të rënda në trup. Sabrina Lekaj, studente e mjekësisë dhe pianiste e shkëlqyer u gjet e vdekur të dielën në një makinë në Kidman Park. Mësohet se viktima u ekzekutua në makinën e saj, të cilën pak kohë më parë ia kishte bërë dhuratë i ati. Ndërkaq, babai i saj është i dyshuar për vrasjen e së bijës. Mëngjesin e djeshëm Petrit Lekaj u përball me masën e paraburgimit. Avokati i të pandehurit, Ben Sale, ka thënë se klienti i tij nuk ka bërë asnjë kërkesë për lirim me kusht. “Në javët e ardhshme mund të ndodhë një kërkesë për lirim me kusht, por unë do ta njoftoj atë në kohën e duhur”, është shprehur ai. Ndërkaq, gjykatës i është paraqitur një “raport i shkurtër mjekësor” për gjendjen aktuale mjekësore të Lekajt, I cili. Aktualisht po trajtohet në Spitalin Mbretëror Adelaide ku ruhet nga policia. Mediat e huaja shkruajnë se policia pas ngjarjes ka bërë një vizitë edhe në banesën e shqiptarëve, por nuk ka pasur asnjë detaj të bërë publik për mediat për atë që është folur apo çfarë mund të jetë zbuluar. Deri në momentet e para, nuk diheshin shkaqet që e kishin shtyrë babain e vajzës të ndërmerrte një veprim të tillë. Pas hetimeve të thelluara nga ana e policisë, duket se misteri i vrasjes së studentes po trajtëzohet. Policia ka marrë në shqyrtim shumë prej mesazheve telefonik që Sabrina kishte shkëmbyer me miqtë e saj. Në mesazhet e dërguara, Sabrina ankohej se kishte marrëdhënie të vështira me prindërit e saj të cilët e akuzonin si k**** Sipas “Daily Mail Australia” studentja nga Shqipëria kishte një marrëdhënie të tensionuar me prindërit e saj. Sabrina Lekaj, 20 vjeçe, kishte dërguar disa mesazhe me tekst për miqtë e saj më të afërt ku përshkruante jetën brenda katër mureve të shtëpisë në Adelaide, ku jetonte me prindërit e saj Petrit dhe Romina Lekaj. Sabrina iu shkruante miqve të saj për marrëdhënien shpesh të paqëndrueshme me prindërit e saj dhe se nuk donte të jetonte më nën një çati me ta. Miqtë e viktimës kanë treguar se ata nuk i kishin takuar kurrë prindërit e Sabrinës dhe se nuk ishin lejuar asnjëherë që të flinin në shtëpinë e saj.

 


 


RRËFIMI I MIQVE
Ata, gjithashtu, kanë pohuar se prindërit i kishin ndaluar 20- vjeçares që të kishte të dashur apo të fliste natën në telefon, kur duhej të studionte. “Shpesh debatonte me babanë për gjëra të vogla, pasi ai përpiqej t’i kontrollonte jetën”, është shprehur shoqja e saj e ngushtë, Katie Valstar. “Ai e pyeste gjatë gjithë kohës nëse kishte të dashur dhe ajo ndihej sikur nuk mund të bënte dot asgjë pa lejen e tyre. Ishte shumë e stresuar, pasi e kufizonin për çdo gjë. Më kishte thënë se donte që të largohej nga shtëpia. Ka qëndruar disa herë në shtëpinë time, por unë nuk kam ndenjur kurrë tek e asaj, sepse prindërit nuk e lejonin që të ftonte shoqet. Madje, edhe kur flisnim në telefon, shpesh e mbyllte papritur pasi nuk donte që ta zbulonin prindërit”, shtoi mikesha e shqiptares. Sabrina Lekaj e kaloi natën e fundit të jetës së saj bashkë me Valstar në një festë në lokalin e tyre të preferuar në Adelaide, të quajtur “The Dog and Duck”. Ato kishin dalë për të festuar përfundimin e sezoneve të provimeve për 20-vjeçaren. Sabrina sapo kishte marrë përgjigje pozitive për pranimin në Universitetin e Jugut në Australi, pasi ishte një prej studenteve më të shkëlqyera, me mesatare 9.9. Pasi kishte qëndruar jashtë, Sabrina qëndroi te shtëpia e shoqes deri në orën 13:00 të pasdites së të shtunës. Kur kishte hipur në makinën e saj për të shkuar në shtëpi, i kishte thënë shoqes se do t’i shkruante sapo të mbërrinte atje. “Atë mesazh nuk e mora kurrë. Fjalët e fundit të saj ishin: ‘Të dua. Do të të shkruaj sapo të shkoj në shtëpi’. Duke ditur se unë jam personi i fundit që e pa atë gjallë, për mua është shumë e vështirë ta pranoj atë që ka ndodhur”, përfundoi shoqja e 20-vjeçares shqiptare./GSH

Share: