Nga Akademik Myzefer Korkuti
Teza e G.Hahnit mbi autoktoninë e shqiptarëve u përkrah dhe u mbrojt mbi një bazë shkencore më të gjerë e më të thelluar nga një varg historianësh e gjuhëtarësh të huaj si G.Mayer, H.Pedersen, N.Jokli, V.Cimohovski. tezat janë pasuruar më tej nga Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Seit Mansaku etj.
Gjuha ka qenë e mbetet një nga treguesit më parësor në formimin dhe natyrisht edhe në përcaktimin e karakterit etnik të një populli. Rrjedhimisht edhe në përcaktimin e origjinës së arbërve-shqiptarëve të hershëm, të dhënat gjuhësore përbëjnë themelin e tezës së autoktonisë së shqiptarëve, ndaj nuk është rastësi që studiuesit e parë që u morën me origjinën e arbërve, janë gjuhëtarët. Kështu, gjatë shek. XIX dhe deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, në zgjidhjen e këtij problemi ka mbizotëruar mendimi i gjuhëtarëve.
Duke qenë se një paraqitje e plotë e pikëpamjeve të gjuhëtarëve rreth origjinës së gjuhës shqipe, del jashtë kuadrit të kësaj trajtese si edhe jashtë mundësive tona, do të mjaftohemi të japim disa nga pikëpamjet më kryesore të studiuesve të ndryshëm, të cilat të krahasuara me të dhënat e shkencave të tjera qëndrojnë më fuqishëm në mbështetje të autoktonisë së popullit shqiptar. I takon merita albanologut G.Hahn, i cili qysh në mesin e shek. XIX formuloi tezën e lidhjeve: pellazgë-ilirë-shqiptarë. “Me sa duket, – shkruan ai, – shumë më e natyrshme është të pranohet që stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, qysh në kohën e romakëve dhe të grekëve, zinin vendbanimin e sotëm të tyre dhe që zakonet e tyre të përbashkëta me popujt fqinjë janë ruajtur në mënyrë më të pastër dhe më besnike se sa te fqinjët e tyre”(Hahn,J.G. 213). Kështu Hahni arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve më të vjetra të ilirishtes dhe ilirët si një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, kanë lidhje me pellazgët. Fakti që autori i kësaj pikëpamjeje e kërkon lidhjen e shqipes me pellazgjishten, pra shumë më herët në kohë dhe mbi bazën e pellazgjishtes shumë të diskutueshme, e bëri tezën e autoktonisë së shqiptarëve shumë pak të besueshme.
Teza e G.Hahnit mbi autoktoninë e shqiptarëve u përkrah dhe u mbrojt mbi një bazë shkencore më të gjërë e më të thelluar nga një varg historianësh e gjuhëtarësh të huaj si G.Mayer, H.Pedersen, N.Jokli, V.Cimohovski, etj. Me krijimin e Institutit të Shkencave në Tiranë, më 1946, e më pas të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë me shumë sektorë shkencorë, në fushën e studimit të historisë së gjuhës shqipe u shënuan arritje cilësore, të cilat janë pasqyruar në mënyrë të plotë në veprën e prof. Eqerem Çabejt (Çabej,E. 1060,32-27; Çabej,E. 1969, 41-65; Çabej,E. 1974,II,7-26). Ato janë pasuruar dhe çuar më tej edhe nga gjuhëtarë të tjerë shqiptarë si prof. Mahir Domi (Domi,M. 1969,247), prof. Shaban Demiraj (Demiraj,Sh.1988), prof. Seit Mansaku (Mansaku,S.1982,3), etj. Kështu, në sajë të përpjekjeve dhe studimeve të disa brezave historianësh e gjuhëtarësh për historinë e gjuhës shqipe, është arritur të provohet shkencërisht prejardhja ilire e kësaj gjuhe.
Krahas tezës iliro-shqiptare u parashtruan pikëpamje e teza të tjera, midis të cilave veçohet teza sipas së cilës shqiptarët janë stërnipër të trakëve e për rrjedhojë origjina e shqipes duhet kërkuar tek trakishtja dhe se ilirishtja nuk është gjë tjetër veçse një dialekt trak i ilirizuar (Barić,H. Albanorumanische Studime I, 125). Një qëndrim të ndërmjetëm kanë mbajtur disa gjuhëtarë të tjerë, të cilët bëjnë një bashkim të qytezave. Sipas N. Joklit, karakteri iliro-thrakas i gjuhës shqipe shpjegohet me faktin se karakteristikat gjuhësore të ilirishtes përputhen me karakteristikat e njëjta të gjuhës thrake (Jokli, N., 24) Nuk mungojnë edhe variante e nënvariante të pikëpamjeve të këtyre tri grupimeve kryesore që përmendëm më lart, të cilat studiuesit i kanë zhvilluar e stërholluar më tej me argumente e kundërargumente.
Në rrugën e zgjidhjes së prejardhjes së gjuhës shqipe të gjithë studiuesit kanë hasur në dy vështirësi objektive.
Së pari, në krahasimin që bëhet midis ilirishtes e shqipes, njihet vetëm njëra-shqipja si gjuhë e shkruar; rrjedhimisht për ilirishten mungojnë të dhënat e mjaftueshme si për leksikun, strukturën gramatikore, fonetikën e saj, etj.
Së dyti, edhe për shqipen dokumenti i parë i shkruar, formula e pagëzimit e vitit 1462, e cila është një fjali e vogël në shqip, në mes të një shkrimi latinisht, është e një kohe shumë të largët me kohën kur është folur për herë të fundit ilirishtja.
Krahas vështirësive që përmendëm, nuk mund të lëmë pa vënë në spikamë një fakt historik të dorës së parë, që gjuha shqipe flitet sot në truallin ku në kohën antike banonin ilirët e mirëfilltë, ku flitej ilirishtja a një dialekt i saj. Ky fakt përbën një përparësi ku janë mbështetur studiuesit që kanë argumentuar dhe provuar prejardhjen ilire të gjuhës shqipe. Ja disa nga konkluzionet e gjuhëtarëve më në zë që janë marrë me këtë problem.
J.Thunman: “..Nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të mëvonshëm dhe nuk mund të mos njoh faktin se fqinjët e stërmoçëm të ilirëve kanë qenë grekët dhe romakët. Rrjedhimisht dhe ilirët janë të vjetër” (Çabej,E.1974,12).
G .Mayer: “..Nuk ka asnjë bazë për të mos e konsideruar atë (shqipen) si një fazë të re të ilirishtes së moçme ose më saktë të njërit prej dialekteve të moçme ilire”. Këtë mendim e përforcoi edhe P.Kreçmer, i cili shkruan: “…Pranoj që gjuha shqipe përfaqëson fazën më të re të ilirishtes ose siç shprehet me të drejtë në mënyrë të matur Meyer, një dialekt ilir.” Dhe më tej pohon se shqiptarët banojnë aty ku në kohën antike kanë banuar fise ilire (Mayer, G. 804).
V.I.Georgiev: “Ilirishtja është pasardhësja e gjuhës shqipe, domethënë ilirishtja është baza , gjuha nënë e shqipes” (Georgiev,V.I. 1974,56).
R.Katičić: “Shqipja qysh në kohën e lashtë është folur pak a shumë në viset, në të cilat flitet sot. Është normale dhe e natyrshme që shqipja të konsiderohet si një pasardhëse e ilirishtes” (Katičić,R. 1974,98).
Nga gjuhëtarët shqiptarë është E.Çabej që me veprat e tij “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes” si edhe me disa artikuj, referate e kumtesa ka mbështetur dhe provuar në mënyrë më të plotë tezën se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes. “Analogjitë që vihen re në mes të shqipes dhe mbeturinave të ilirishtes, – përfundon E.Çabej, -dëshmojnë në fakt për një raport filiacioni midis këtyre dy gjuhëve” (Çabej,E. 1969,52).
Në mbështetje të këtij konkluzioni autori analizon dëshmitë gjuhësore që trashëgojmë nga ilirishtja, të cilat duke u mbështetur në një metodë rigorozisht shkencore, i krahason me të dhënat e gjuhës shqipe.
Në sferën e toponomastikës historike, në një trevë të gjerë gjeografike, e cila dihet se në kohën antike ka qenë banuar nga ilirët, ruhen shumë emra qytetesh, lumenjsh, malesh etj., të cilët në trajtën që kanë sot në gjuhën shqipe, dëshmojnë për një vazhdimësi të banimit nga e njëjta popullsi. Dhe ajo që është thelbësore, ato spjegohen vetëm me anën e gjuhës shqipe. Të tilla janë: Scodra-Shkodër, Naissus-Nish, Drivastum-Drisht, Pirustae-Qafa e Prushit, Lissus-Lezh, Dyrrachion-Durrës, Isammus-Ishëm, Scampinus-Shkumbin, Aulon-Vlonë, Vlorë, Thyamis-Çam. Në radhën e këtyre toponimeve, të cilat E.Çabej i quan nga provat më shteruese, për të provuar autoktoninë e popullit shqiptar, duhet përmendur edhe emri i fisit ilir albanoi që banonte në shpinë të Durrësit, emri nacional i vjetër i popullit dhe i vendit tonë, që u ruajt në formën arbëri, arbër, në truallin e Shqipërisë dhe në ngulimet shqiptare të Italisë e Greqisë.
Në vazhdim të këtyre të dhënave toponomastike mund të përmenden edhe shumë emra të zonës ilire, të cilët gjejnë përgjegjësit e tyre edhe në leksikun e shqipes a në toponominë e saj. Krahaso: Bigesti-bigë:“mal me dy maja, majë mali”; Brindia-Brundisium-brim brini; Dardania-dardhë; Delmatia-delme; Lamatis-lamë, lëmë; Molontum-mal; Mathis-mat: “buzë lumi, breg deti”; Pelagonia-pellg më i vjetër; Ragusium-Rush, rrush; Sason emri i ishullit të Sazanit; Tergaste-treg; Ulkinion-ulk; etj.
Një provë tjetër, për vazhdimësinë iliro-shqiptare, përbëjnë emrat vetjak që vijnë nga treva ilire dhe që në një formë të drejtpërdrejtë a të ngjashme, janë ruajtur në antroponiminë shqipe ose shpjegohen me mjetet e saj. Emra të tillë njerëzish do të ishin: Anna, Bardus, Bardyllis, Bato, Dases, Das (s)ins, Dida, Gentius, Grabus, Epicadus, Lydra (Ludra), Licca, Monunins, Pleuratus, Teutana, etj.
Kur parashtojmë pikëpamjet dhe ndihmesën e gjuhëtarëve shqiptarë për origjinën e gjuhës shqipe, nuk mund të mos veçojmë prof. Sh.Demiraj, i cili, me veprën “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (Tiranë 1988), ka meritën se pas, një shqyrtimi tërësor që i bën problemit, arrin të nxjerrë përfundime të plota e të qarta për gjuhën shqipe dhe historinë e saj (Demiraj,Sh. 1988,19-34).
Pas kësaj parashtrese sintetike, të pikëpamjeve dhe të argumenteve të gjuhëtarëve që mbështesin tezën e birësisë së shqipes nga ilirishtja, është mëse e nevojshme të ndalemi edhe tek dy anë të rëndësishme të problemit, që janë në lidhje të ngushtë e të ndërthurura me çështjen e formimit të gjuhës shqipe. Ështa fjala për vendin dhe kohën e formimit të saj; këto çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë ose anësore, kanë qenë objekt kërkimesh pothuajse nga të gjithë gjuhëtarët. Rrjedhimisht edhe përfundimet e tyre kanë qenë të ndryshme. Përkrahësit e tezës së origjinës trake të ilirishtes apo të tezës trako-ilire N.Jokli (Jokli,N. 1924,32), G.Weigand (Weigand,G. 1927,227-251), mbrojnë pikëpamjen se djepi ballkanik i shqiptarëve duhet kërkuar më në lindje, në trevën ku flitej trakishtja. V.I.Georgiev, ndonëse mbështet tezën se ilirishtja është gjuha nënë e shqipes, kur është fjala për përcaktimin e trevës së ngushtë të formimit të saj, shprehet se: “Gjuha shqipe është me origjinë dakomize (dardaniane) ndërsa ilirishtja s’është veç një komponentë e shqipes” (Georgiev,V.I. 1974, 56), pra, sipas tij, trualli i formimit të shqipes ka qenë ai i Dardanisë antike. Rreth truallit të formimit të gjuhës shqipe ka edhe pikëpamje më ekstreme. Sipas G. Schramm shqiptarët nuk janë aspak pasardhës të ilirëve, por një popull që është dyndur nga brendësia e gadishullit Ballkanik (Schramm, G. 1994, 9-47).
Mbi fakte më të shumta e më të plota mbështetet teza se shqipja është formuar në trevat e Adriatikut Lindor e të Jonit, në tokat të cilat në kohën antike kanë qenë banuar nga Ilirët e Jugut. Në mbështetje të kësaj teze, një ndihmesë të veçantë ka dhënë gjuhësia shqiptare e 40 viteve të fundit me studimet e E.Çabej, J. Gjinari (Gjinari, J. 1969,175-184), Sh.Demiraj, etj. Po ndalemi më konkretisht mbi disa nga provat gjuhësore që sjellin këta autorë.
Toponimia e moçme e trevave shqiptare, e cila ka qenë në përdorim të pandërprerë qysh nga koha antike e deri në ditët tona, përbën një nga provat më bindëse për vazhdimësinë e banimit nga e njëjta popullsi. Ajo bart me vete shtresëzime të periudhave të ndryshme historike dhe rrjedhimisht edhe gjurmët e ndikimeve të kulturave të tjera, po rëndësi të dorës së parë ka fakti se vijimësia e përdorimit të të njëjtëve emra është në përputhje me evolucionin e sistemit fonetik të gjuhës shqipe, si rrjedhojë, ato përbëjnë argumente të pakundërshtueshme. Toponime të tilla, të analizuara imtësisht nga gjuhëtarët, ka mjaft. Ato ndodhen në pjesën bregdetare të territorit shqiptar si: Shkodra, Buna, Ishmi, Drishti, Shkumbini , Vlora, etj.
Rreth terminologjisë detare të shqipes është diskutuar mjaft. Sipas mendimit të përgjithshëm shumë fjalë, që i përkasin lundrimit e peshkimit, janë marrë nga gjuhët fqinje e kjo merret si një provë për të kundërshtuar tezën e banimit të hershëm të shqiptarëve në brigjet e Adriatikut. Është e vërtetë se një pjesë e këtij leksiku është e burimit të huaj, por është po kaq e vërtetë se një pjesë e terminologjisë që lidhet me florën dhe faunën e detit dhe ajo që i përket lundrimit e peshkimit, është e fondit autokton të gjuhës shqipe. Në këtë fond hyjnë fjalët: det (me kuptimin bazë “thellësi”), bashkë me bregdet e detar; mat-buzë deti a lumi; grykë, valë, etj.
Në të mirë të çështjes së lashtësisë së shqipes në brigjet e Adriatikut vijnë edhe huazimet nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Në shqip ka një tok fjalësh me prejardhje nga greqishtja e vjetër, më saktësisht nga dialekti dorik i saj. Fjalë me prejardhje të tilla gjuhëtarët pranojnë: moken-mokër, bretek (bretkosë), drapën-drapër; laken-lakër; pjepën-pjepër; presh, qershi, shpellë, etj. Prania e këtyre fjalëve me burim nga dorishtja dëshmon për kontakte e marrëdhënie shumë të hershme të grekëve të kohës antike me ilirët-paraardhësit e shqiptarëve. Dhe këto kontakte u zhvilluan në territorin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, aty ku u themeluan edhe kolonitë e hershme helene.
Ndikimet e greqishtes mbi ilirishten e antikitetit të vonë e më pas mbi arbërishten e periudhës së mesjetës së hershme janë të dukshme, sidomos pas vendosjes së greqishtes si gjuhë zyrtare e Perandorisë Bizantine. Në huazimin e fjalëve greke ka ndikuar edhe fakti se një pjesë e madhe e popullsisë së krishtere të territorit të vendit tonë ishte ortodokse e për rrjedhojë gjuha liturgjike ishte greqisht (Demiraj,Sh. 1988,106-117).
Gjerësia e burimeve të shkruara në latinisht u kanë dhënë mundësi studiuesve të venë në dukje kontaktet e hershme e të vazhdueshme të ilirëve me romakët edhe në rrafshin gjuhësor. Pushtimi i Ilirisë nga romakët, në mesin e shek.II p.e.sonë, i cili zgjati deri në vitin 395 të e.sonë, kur Perandoria romake u nda në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, u bë një faktor vendimtar për të gjithë zhvillimin e jetës social – politike e ekonomiko-kulturore të Ilirisë. Masat me karakter administrativ e ushtarak që mori Perandoria Romake, si vendosja e ushtarëve “veteranë” në tokat e pushtuara, ngritja e kështjellave ushtarake në shumë zona të rëndësishme, ndërtimi i rrugëve të mëdha që lidhnin e përshkonin tërë perandorinë, si Via Egnatia, si edhe vendosja e kolonëve romakë në disa qytete dhe kthimi i tyre në koloni u pasua me ndryshime thelbësore në territorin e Ballkanit. Si rrjedhojë, u romanizuan zonat bregdetare të Dalmacisë, Dakia (Rumania e sotme), etj.
Përdorimi i latinishtes, si gjuhë zyrtare në tërë perandorinë, ndikoi fuqimisht në gjuhën e popujve që u përfshinë brenda saj. Latinishtja ishte privilegj i një numri të kufizuar njerëzish dhe mbi të gjitha ishte gjuhë e pakuptueshme për masën e gjerë të popullsisë, por trysnisë së gjuhës zyrtare latine, që u përdor disa shekuj me radhë, nuk mund t’i shpëtonte gjuha e popullsisë vendase ilire. Si rrjedhojë, në gjuhën e folur u futën një numër i madh fjalësh me burim latin, të cilat nuk prekën leksikun themelor të gjuhës shqipe e aq më pak strukturën gramatikore të saj.
Pa mohuar rolin qytetërues që luajti latinishtja si gjuhë e shkruar, ajo mbeti shumë e kufizuar në përdorim. Studiues të ndryshëm janë përpjekur të vënë edhe një kufi ndarës midis zonave ku ushtroi trysninë e vet greqishtja dhe zonave ku si gjuhë zyrtare përdorej latinishtja. Shumë qartë është shprehur për këtë problem E.Çabej, i cili shkruan: “Kufiri gjuhësor greko-latin as nuk mund të hiqet në mbështetje të mbishkrimeve, sepse këto mbishkrime japin një ide për gjuhën e atyre që shkruanin gjuhën e banorëve të shkolluar të qyteteve. Ato nuk na thonë gjë për gjuhën që fliste masa që nuk shkruante, sidomos popullsia fshatare e malësore. Prandaj ky kufi gjuhësor mund të ketë vlerë shumë-shumë për popullsinë qytetare. Që fshatarësia, pohon më tej E.Çabej, – për shumë kohë nuk foli as latinisht as greqisht, këtë na e dëshmon bash ruajtja e gjuhës shqipe, që nga ajo kohë e gjer më sot, ruajtje që ndryshe nuk shpjegohet” (Çabej,E. 1960,49).
Shqyrtimi që u bën S.Anamali mbishkrimeve latine, shpeshtësisë dhe shpërndarjes së tyre, në territorin e Ilirisë së Jugut është një ndihmesë e një rëndësie të veçantë jo vetëm në mbështetje të mendimit të E.Çabejt, por edhe për të hedhur dritë me të dhëna përmes burimeve të mirëfillta arkeologjike që të çojnë në të njëjtat përfundime historike (Anamali,S. “Studime Historike” 1972,3, 121-124).
Numri i mbishkrimeve latine të gjetura në territorin e sotëm të Shqipërisë është rreth 200, numër ky shumë i vogël në krahasim me mbishkrimet e gjetura në provincat e tjera romake. Problemi bëhet edhe më i qartë po të shqyrtohet shpërndarja e këtyre mbishkrimeve. Në Shqipërinë e Veriut, mbishkrime latine janë gjetur në një numër të kufizuar në dy qytetet kryesore, në Shkodër e Lezhë. Zona kryesore, ku janë zbuluar më shumë se gjysma e mbishkrimeve latine, është ajo e kolonisë së Dyrrahut me periferinë e tij. Një zonë tjetër ku janë zbuluar mbishkrime latine është ajo e Bylisit si edhe kolonia e Buthrotit. Gjetja e disa gurëve miliar gjatë rrugëve të rëndësishme, si edhe e disa mbishkrimeve votive në pika të veçuara, nuk mund të shërbejnë si dëshmi e pranisë së një popullsie që fliste latinisht.
Me përjashtim të Dyrrahut, ku ka një numër të konsiderueshëm mbishkrimesh, në mikrozonat ku janë gjetur ato pak mbishkrime nuk mund të pranohet se popullsia e këtyre zonave ishte latinizuar dhe fliste latinisht. Ky përfundim gjen mbështetje edhe në faktin se në mbishkrimet e zbuluara në këto zona, gjejmë një numër të konsiderueshëm emrash ilirë si Gent, Epikad, Plator, Klevata, Tata, Amai, Anula, Dastid, Pladomen, Sura, Pyran, etj., emra që vijnë nga koha ilire, e për rrjedhojë, janë prova të mbijetesës së popullsisë ilire.
Duke analizuar përhapien e mbishkrimeve latine në Shqipëri, S.Anamali ndalet edhe në faktin se në disa krahina të Ilirisë së Jugut nuk është gjetur asnjë mbishkrim latin. Kështu fjala vjen, si mund të flitet për popullsi latinofone në trevën e Shqipërisë Juglindore të banuar nga dasaretët, të cilët në kohën e Plinit ishin ilir, kur në këto treva janë gjetur vetëm dy pllaka votive (një në fshatin Memlisht e një në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit), të cilat ndonëse mbajnë emra latinë, janë shkruar në gjuhën greke. Po kështu edhe në Apoloni, Amantia e Foinike, janë gjetur mbishkrime të kohës romake po të shkruara në gjuhën greke. Gjithashtu nuk janë gjetur mbishkrime në krahinat e brendshme të Shqipërisë Verilindore dhe as në Mat, Mirditë e Dibër.
Në përfundim të analizës së vet për përhapjen e mbishkrimeve latine në Shqipëri, S.Anamali shkruan se teza e “zhdukjes së gjuhës ilire” nuk është bindëse dhe se nuk mund të konsiderohet si kufi gjuhësor, as edhe etnik, përhapja e mbishkrimeve latine e greke, vlen vetëm si një ndarje midis ndikimit të dy kulturave, asaj greke e romake.
Pas kësaj parashtrese të përmbledhur, po të nevojshme të arritjeve të gjuhësisë për origjinën e gjuhës shqipe, do të ndalemi më hollësisht tek ndihmesa e arkeologjisë shqiptare në ndriçimin dhe argumentimin e autoktonisë së popullit shqiptar.