Duke të puthur pa të dashur
në shpirt ai ty të plagoi,
buz’përgjakur nga t’kuqt e tu
si vrasës tinëz shkoi.
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
gjithë shokëve emrin tënd ju tha.
Pran gotës birrës për ty folën
në park të dielave ata…
Dhe ti e vetme mbete
bosh mbënë sytë e tu në netë bilbilash
si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi
një katastrofë automobilash…
Tani, kur shkon rrugës së Dibrës
ata me sy të ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
-e sheh filanen? e ka pas…
Dhe ti ul kokën, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa më shpejt
të përsërisësh fjalët standart:
“ah njëlloj janë të gjithë djemt.”
Të dyja t’ulura pranë radios
do ndizni heshtur një cigare,
tek supi i saj nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të marr
dhe do të çoj në një rrugë tjetër
më gjerë, më bukur, dhe me re.
Atje në sfond fabrikash njerëzit
nga këmbët s’do tu vënë re.
Atje tek ecësh në mes turmash,
në një grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do ti bjer shokut,
-e sheh filanen? ishim miq…