I ftuar në emisionin Top Talk, Ahmet Gjanaj, deputeti shqiptar i Parlamentit të Belgjikës ka kritikuar liderët politik në Shqipëri. Referuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Presidentit Meta, zoti Gjanaj i cilësoi si oligarkë politik. Sipas tij, politikanët shqiptarë e përdorin drejtësinë për të marrë pushtet.
“Politikanët shqiptarë që kanë pjesë në të gjitha vendimet që merren, që herë pas herë i referohen drejtësisë, por nuk i besojnë drejtësisë. Politikanët ndikojnë negativisht mbi drejtësinë dhe i referohen thjeshte si koncept për t’i hedhur hi sy shqiptarëve dhe për të marrë pushtetin”, tha Gjanaj.
Ndërkohë deputeti shqiptar i Belgjikës foli edhe për blerjen e votave, duke thënë që kjo nuk është një histori e sotme, por që është një histori në proces.
“Blerja e votave nuk është një histori e sotme, por është një histori në proces. Filloi me ndikimet e drejtpërdrejta. Pastaj u hodhën paratë dhe kemi arritur në një moment, ku paraja qarkullon në mënyrë të zakontë dhe vota shitet. Po kjo histori nuk filloi tani, por është një histori 30-vjeçare dhe duhet të ketë një rishikim të sistemit”, këshilloi Gjanaj.