Presidenti i vendit, Ilir Meta pasi ka përsëritur se 30 qershori ligjërisht ka rënë ka dhënë një mesazh të fortë për politikën dhe ndërkombëtarët, duke theksuar se pa zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe me standarde nuk do të ketë çelje të negociatave me BE.
“Unë nuk hyj te ata politikanë që flasin në emër të ambasadave dhe ndërkombëtareve dhe fshihen në emër të tyre. Presidenti është i duruar që të gjithë të reflektojnë e kuptojnë që pluralizmi ka tre dekada që ka ardhur, të kuptojnë edhe një gjë që nuk ua thonë dot ambasadorët se ndoshta nuk i lënë tua thonë, ua them unë, ua kam thënë edhe atyre edhe palëve, pa zgjedhje, jo vetëm gjithëpërfshirëse, por edhe me standardet më të mira, nuk ka e nuk do të ketë çelje të negociatave. Më besoni mua, unë jam esëll gjithë ditës, jo më tani në mëngjes”- ka thënë prerë Meta.
Sipas tij, “Në Republikën e Shqipërisë, i vetmi institucion që vë datën e zgjedhjeve është presidenti”.
“Unë kam anuluar zgjedhjet në vend për shkak të krizës së rëndë politike që e keni vënë re, me qëllim normalizimin e situatës në vend. Mos prisni nga asnjë ambasador tu thotë këtë që po u them unë, edhe sikur të bëheshin zgjedhjet që nuk ekzistojnë pa opozitën, edhe sikur populli opozitarë të shkonte të duartrokiste ata që votonin, celja e negociatave do të ishte në një të ardhme të paditur. Këtë e kam sqaruar se zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit por do të na dënonte nga gjykata e të drejtave të njeriut si ka ndodhur në shumë vende të tjera. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë vend tjetër, ambasadë apo fondacion. Kam krijuar këtë mundësi, por zgjedhje në 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë”- tha ai.