8 pyetje për të vlerësuar Inteligjencën tuaj Emocionale

Shkencë & jetë

Diskutimet rreth Inteligjencës Emocionale janë të shumta – ajo është kudo dhe ndër cilësitë më të kërkuara për zhvillimin personal dhe profesional.

Inteligjenca Emocionale (IE) ka qenë edhe objekt i debateve të nxehta nga drejtues të shquar të mendimit. Dy ekspertë, Adam Grant e Daniel Goleman, janë përballur shpesh në të kaluarën, me Grant që pretendonte që Koeficienti i Inteligjencës (KI) është më i rëndësishëm se Inteligjenca Emocionale (IE), ndërsa Goleman e përgënjeshtronte këtë.

Në studimet dhe vëzhgimet e mia gjatë viteve, është e dukshme që punonjësit shembullorë, të cilët shfaqin Inteligjencë Emocionale, e bëjnë më të mirë vendin e punës. Shembujt e mëposhtëm do t’u japin më shumë nxitje për t’u angazhuar një numri më të madh punonjësish, që zotërojnë Inteligjencë Emocionale.

 

Më poshtë janë tetë arsye se pse duhet ta bëni këtë gjë…

1.Përmirësohet puna në grup

Njerëzit me IE të lartë komunikojnë më mirë me kolegët e tyre krahasuar me ata që nuk janë në harmoni me Inteligjencën e tyre Emocionale. Ata ndajnë idetë dhe janë të hapur ndaj mendimeve të të tjerëve. Ata janë më pak të prirur të dominojnë një situatë dhe të “marrin përsipër” diçka, pa u konsultuar më parë me të tjerët. Kjo krijon besim në momentin që ekipi duhet të punojë së bashku.

2.Përmirësohet shërbimi me klientin

Kur punoni në një zyrë ku kolegët dhe bashkëpunëtorët shkojnë mirë, bashkëpunojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin, puna është më e bukur dhe kultura e punës më e fortë. Kjo reflektohet në një shërbim klienti më pozitiv.

3.Përqafimi i ndryshimit

Është e natyrshme për punonjësit, që të përballen me ndryshimin. Me ndryshimin mund të vijë edhe frika, ankthi dhe tensioni. Megjithatë, punonjësit me Inteligjencë Emocionale të lartë përshtaten dhe e përqafojnë më lehtë ndryshimin së bashku me qëllimet e kompanisë.

4.Feedback-u është i mirëpritur

Drejtuesit shpesh përballen me punonjës në ‘pozicion mbrojtës’, kur ofrojnë feedback konstruktiv, gjë që mund të jetë frustruese për të dyja palët. Punonjësit në harmoni me IE e marrin dhe e përdorin feedback-un në një mënyrë pozitive për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur.

5.Situatat më të vështira menaxhohen më mirë

Njerëzit me Inteligjencë Emocionale të lartë dinë si t’i menaxhojnë mirë situatat sfiduese si për shembull klientë të pakënaqur, bashkëpunëtorë të pakënaqur apo drejtues të pakënaqur me punën tuaj. Një tjetër nivel i lartë i IE do të manifestohet në ruajtjen e qetësisë dhe pozitivitetit gjatë bisedave të vështira dhe në vendosjen e kufijve në rast të mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe veprimeve disiplinore (nëse jeni një drejtues).

6.Njerëzit krijojnë marrëdhënie më të forta dhe mbështesin njëri-tjetrin

Inteligjenca Emocionale shfaqet kur tregojmë dhembshuri për të tjerët, duke ndihmuar dhe duke mbuluar përgjegjësitë e një kolegu, i cili po kalon një periudhë të vështirë për shkak të një problemi personal. Akti i dhembshurisë i treguar mes kolegëve apo drejtuesve dhe punonjësve, i bashkon njerëzit dhe përmirëson moralin dhe reputacionin e kompanisë suaj.

7.Afatet dhe objektivat në punë përmbushen me lehtësi

Afatet dhe objektivat në punë përmbushen me lehtësi. Punësoni një ekip me Inteligjencë Emocionale të lartë dhe shihni se sa me efikasitet do ta menaxhojnë kohën për të përmbushur projektet dhe për të respektuar afatet e rëndësishme, krahasuar me punonjësit me IE të ulët. Për drejtuesit kjo do të thotë më pak nevojë për mikromenaxhim. Njerëzit me IE të lartë dinë se si t’u japin përparësi detyrave dhe të përmbushin punën në një kohë të shkurtër.

8.Njerëzit janë më shumë të vetëmotivuar

Njerëzit me IE të lartë kanë një mentalitet të hapur. Ata janë optimistë, më elastikë kur përballen me pengesa (nuk dorëzohen lehtë) dhe më të motivuar në ambicien e tyre, përpiqen për të arritur një objektiv, ndërmarrin nisma dhe veprojnë përballë mundësive.

 

8 pyetje për të vlerësuar Inteligjencën tuaj Emocionale

Daniel Goleman, autoriteti kryesor mbi Inteligjencën Emocionale, shtron këto pyetje që do t’ju ndihmojnë të vlerësoni Inteligjencën tuaj Emocionale dhe të reflektoni rreth pikave tuaja të forta dhe limiteve në IE.

1.A jeni të vetëdijshëm për ndjenjat tuaja dhe pse ndiheni kështu?
2.A jeni të vetëdijshëm për kufizimet tuaja dhe për pikat tuaja të forta personale?
3.A arrini t’i menaxhoni mirë emocionet shqetësuese – për shembull ta merrni veten me shpejtësi pasi zemëroheni apo stresoheni?
4.A arrini të përshtateni pa problem ndaj realiteteve që ndryshojnë?
5.A përqendroheni tek objektivat kryesorë dhe ai i dini hapat e nevojshëm për t’i arritur?
6.A arrini t’i kuptoni ndjenjat e njerëzve me të cilët bashkëveproni dhe mënyrën e tyre të të parit të gjërave?
7.A mund të negocioni drejt një marrëveshje të kënaqshme dhe të jepni ndihmën tuaj për zgjidhjen e konflikteve?
8.A keni aftësi që t’i bindni të tjerët dhe të përdorni në mënyrë efikase ndikimin tuaj?

Marcel Schwantes, Founder and Chief Human Officer, Leadership From the Core
Burimi: INC

Shqip monitor.al

Share: