Aftësitë thelbësore për t’u përgatitur ndaj punëve të së ardhmes

Shkencë & jetë

Le ta nisim nga një projeksion, që përputhet me të dhënat e një studimi të World Economic Forum, i cili mblodhi mendimin e drejtuesve të lartë dhe specialistëve të Burimeve Njerëzore të 300 kompanive ndërkombëtare nga çdo sektor.

Brenda 7 viteve të ardhshme, potenciali që do të zhvillojnë robotët, Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi industrial do të jetë 133 milionë vende të reja pune, krahasuar me 75 milionë që do të mbyllen. Bilanci është pozitiv, 58 milionë vende të reja pune, por për të arritur këtë rezultat do të jetë e nevojshme investimi në formim.

Përditësimi i aftësive është një hap i detyrueshëm, i cili shihet dhe konsiderohet (sipas vlerësimeve të WEF) se i intereson më shumë se gjysmës së punonjësve të kompanive të mëdha. Rreziku që aftësitë aktuale të rezultojnë të pamjaftueshme për shumë punë të së ardhmes, për të cilat janë të vetëdijshëm të gjithë (ose thuajse) drejtuesit e Burimeve Njerëzore, është i madh dhe nuk ka zgjidhje alternative ndaj rikualifikimit të burimeve.
Kërkesa për njerëz profesionistë (jo vetëm në pozicione kyçe në kompani, por në të gjithë kompaninë) e lidhur me Revolucionin e Katërt Industrial është e madhe dhe u përgjigjet skenarëve si ai që shfaqet në studimin “A Future That Works: Automation, Employment, and Productivity” nga studio McKinsey. Sipas studimit, 49% e aktiviteteve të punës në nivel global mund të automatizohet me ndihmën e teknologjisë brenda vitit 2055.

Nëse siguria e vendit të punës (dhe disa punëve në mënyrë të veçantë) do të bëhet gjithnjë e më e paqartë, është po aq e vërtetë se ardhja e robotëve nuk duhet të na frikësojë. Transformimi dixhital, kjo është pika kyçe, po ndryshon rregullat e lojës për të gjithë, për këtë arsye është “e detyrueshme” mësimi dhe zhvillimi i aftësive të reja. Cilat? Profesione si machine learning engineer, data scientist apo zhvillues të Big Data do të vijojnë të përfaqësojnë një vend (gjithnjë e më të qëndrueshëm) në forcën e punës në vitet e ardhshme.

Punonjësve të kohërave moderne do t’u kërkohen, më në përgjithësi, një sërë kërkesash që Cornerstone OnDemand, shumëkombëshe kaliforniane në fushën e formimit dhe menaxhimit të kapitalit njerëzor, dhe Institute for the Future, i kanë sintetizuar në një guidë (e quajtur Future Skills Map) ku sugjerohen aftësitë e nevojshme në një ambient pune që karakterizohet nga ndryshime të shpejta dhe prania e vazhdueshme e teknologjisë.

Një ndër aftësitë e para të nevojshme është “Personal branding”. Ndërtimi i një profili online si brenda edhe jashtë mjedisit të punës mund të japë një shtysë të madhe, edhe për të njohur më mirë aftësitë. Përqafimi i Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë së Machine Learning, të kuptosh se si këto instrumente punojnë për ne dhe mësojnë nga sjelljet tona është një tjetër “aftësi” që këshillohet nga ekspertët.
Ata këshillojnë edhe krijimin e një grupi, me njerëz të cilët kanë diçka të përbashkët dhe mund të ndajnë ide, interesa por edhe aftësi, me qëndrime dhe sjelle të hapur.

Të vëzhgosh një fenomen kompleks dhe ta bësh më të thjeshtë është një tjetër aftësi e dobishme në të ardhmen në nivel profesional. Ky është një atribut i rëndësishëm për të menduar përtej mundësive të dukshme dhe për të arritur destinacione që nuk njihen ende. Për të bërë këtë nevojitet imagjinatë, kreativitet dhe durim.

Pjekuria emocionale është një ndër këshillat e fundit që duhet të keni parasysh. Nëse teknologjia revolucionarizon status quo dhe kohët e punës, cilësi si Inteligjenca Artificiale dhe ndjeshmëria bëhen më të rëndësishme se kurrë dhe duhen të kombinohen me aftësitë “proactive” nëse doni të jeni të fortë në një skenar të ri. Për të qenë të suksesshëm në të ashtuquajturën “skill economy” duhet të përshtateni dhe pa humbur kohë.

Share: