Intertekstualiteti i “Oh”

Kritikë Letrare Kryesore Kulturë Libri

Nga Manjola Brahaj

Artet dhe në veçanti letërsinë, përveç të tjerave “palca” kryesore dhe baza që i mban gjallë nga epoka në epokë është pikërisht komunikimi që ato kanë mes tyre. Marrëdhënia dhe bashkëjetesa që ato krijojnë me njëra – tjetrën. Komunikimi i vazhdueshëm dhe frytdhënës që ato krijojnë i ndryshon ato, duke i riformësuar dhe rikrijuar. Komunikimi i bën artet dhe letërsinë të lindin e të rilindin vazhdimisht. Kjo dukuri që ka ekzistuar qëkur ka ekzistuar komunikimi njerëzor na bën që në një farë forme të jemi të detyruar të pranojmë atë që e ka pranuar edhe Eko kur flet për Borgesin dhe ankthin e tij të ndikimit, duke u shprehur se: “…gjëja më e rëndësishme është që librat flasin mes tyre.”

Duke pranuar këtë pranojmë edhe komunikimin e kohëve, të motiveve dhe temave, të cilat lidhen dhe bashkëjetojnë me njëra – tjetrën, që nga antikiteti e deri sot. Nëse ndjekim këtë rrjedhë të mendimit kuptohet, që mbi të gjitha, ne jemi të vetëdijshëm dhe pranojmë mendimin e Xhonit të Salisburit, thënë shekuj më përpara në Metalogiconin e tij, (1159) duke ju referuar atij prej të cilit edhe mësoi shumë, Bernardit të Shartës, ku thotë se: “shpesh ne dimë më shumë, jo sepse kemi ecur përpara vetëm falë aftësive tona natyrore, por sepse mbështetemi në forcën mendore të të tjerëve dhe zotërojmë pasuri të cilat i kemi trasheguar nga stërgjyshërit tanë. Bernardi i Shartës e kishte zakon të na krahasonte me xhuxhë imcakë që rrinë mbi supe viganësh. Ai theksonte se ne shohim më larg se paraardhësit tanë, jo sepse kemi vështrim më të mprehtë, apo se jemi më truphedhur, por sepse jemi ngjitur dhe qëndrojmë lart mbi shtatin e tyre vigan.” Nisur nga kjo logjikë ne pranojmë, se secili krijim i ri është i mbështetur në “shpatullat” e një të vjetri, pavarësisht mënyrës së trajtimit që merr në secilën kohë dhe sipas cilës estetikë krijohet e zhvillohet. Mënyrë kjo, e cila mundëson edhe diferencimin e veprës prej të tjerave, duke krijuar origjinalitetin krijues të autorit, ku ky i fundit, sipas këndvështimit të Horacit “…nuk qëndron në risinë e argumentit, por në proprie dicere (shprehjen e posaçme) në njoftimin ori-gji¬nal, pra të ri, me karakteristika personale.”

Nga ana tjetër këtë gje e vërejmë edhe po t’u kthehemi dhe t’i kujtojmë veprat e antikitetit si; “Iliada”, “Odisea”, “Edipi mbret”, “Medea”, “Eneida” etj që në optikën tonë të vështrimit na vijnë si dëshmia më e pastër e kësaj dukurie. Dhe duke na bërë të kuptojmë se edhe ato kanë “pirë ujë” tek një burim paraekzistues, që në rastin konkret janë mitet. Ku këto të fundit ishin veçse lënda kryesore për këto vepra. E njejta dukuri ndodh nëse kalojmë më pas në kohë, ku kemi veprat e mesjetës dhe fillimit të Rilindjes, të cilat i shfrytëzojnë tekstet që kanë ekzistuar para tyre, jo vetëm tekstet letrare, por edhe tekstet jo artistike, ato fetare e biblike, me figurat, personazhet dhe shpesh mënyrën e konceptimit. Mund të përmendim këtu rastin e Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit. Po kështu, nëse i referohemi një periudhe tjetër të letërsisë, asaj të klasicizmit, do vërejmë qartë dhe haptas këtë komunikim, ku krejt tragjedianët e shfrytëzuan antikën për tematikat, motivet e trajtimet që realizuan në veprat e tyre. Natyrisht, ata krijues aty morën lëndën e parë, për ta zhvilluar atë më pas sipas rregullave të klasicizmit dhe sipas origjinalitetit krijues që arrinte të përcillte secili autor, dukuri e cila mori një hov të zhvillimit në atë periudhë.

Ndikimi, frymzimi dhe marrja nga antikiteti ka qenë, është dhe do të mbetet një rrugë dhe vatër referuese për secilën prej periudhave të letërsisë. Kjo pasi aty kemi kulmet e letërsisë dhe krijimtarisë artistike njerëzore. Aty lindin modelet dhe me ato shkrimtarët shpesh krahasojnë dhe gjykojnë veten, është një proces ballafaqimi me krijimin dhe arritjet personale që bën shkrimtari. Është një lloj reference e pashmangshme ndërmjet modelit që ke dhe atij që tenton të krijosh.

Kur vijmë aty ku dhe ne na intereson, aty ku dhe e kemi objektin e kërkimit tonë, në modernizëm dhe në postmodernizëm. Të parët e vazhduan këtë rrugë të shfrytëzimit, lidhjes dhe të komunikimit mes teksteve në shërbim të teksteve të reja, të krijimeve aq sa mund të quhen “origjinale”, në modernizëm si pjesë integrale e krijimtarisë në përgjithësi, kurse të dytët, në postmodernizëm, si tipar dallues të tyre. Kjo, për vetë faktin se në postmodernizëm kemi vetëdijësimin për këtë dukuri, pasi bota tashmë ka arritur në një pikë ku mund të arrijmë në përfundimin e thënë nga kulturologu rus Sergej Averincjev: “Ne jemi në një epokë ku të gjitha fjalët tashmë janë thënë” Duke mos harruar se në këtë periudhë nuk ndodh ndonjë gjë ekstra e re, thjesht i jepet përparësi këtij efekti, duke u rifunksionalizuar, gjë e cila e bën diferencën. Përveç dominancës së saj, në shërbim të estetikës postmoderniste, e cila e përvetëson si cilësi të saj. Kështu pra, e kemi të qartë se në secilën vepër të secilës epokë mund të gjejmë dukuri të komunikimit mes teksteve, me procedime si; analogjia, ironia, parodia etj. Ku nuk duhet të harrojmë se prania e njërës apo tjetrës prej këtyre procedimeve apo mënyrave të riaktivizimit dhe komunikimit që ndodh mes teksteve, nuk do të thotë domosdoshmërisht që veprën mund ta klasifikojmë si postmoderniste. Për shkak se për të qenë e tillë, duhet të ketë edhe kohën kur shkruhet si e tillë, edhe dominancën e shumicës së elementëve dhe tipareve që janë konsideruar si postmodernë. Sepse për postmodernistët, siç shprehet studiuesja Julia Kristeva: “Teksti është një kombinatore, vendi i një shkëmbimi të vazhdueshëm ndër¬mjet copëzash që shkrimi i rishpërndan duke ndërtuar një tekst të ri nga tekste të mëparshme, tekste këto të shkatërruara, mohuara, rimarra.”

Në fakt, këtë lloj komunikimi mes veprave as vetë autorët nuk e shmangin dot, ndaj këtë një lloj shkëmbimi të vazhdueshëm mes veprave të ndryshme dhe teksteve artistike dhe jo të tilla, do ta hasim përherë në letërsi. Thënë ndryshe, letërsia dhe në veçanti romani, mund të përfshijë dhe të përziejë një shumësi informacionesh, botësh dhe dijesh të fushave nga më të ndryshmet. Me këtë duam të specifikojmë dhe sqarojmë se tek secila vepër e secilës periudhë mund të ketë komunikim, qoftë ajo romantike, klasiciste, realiste apo moderniste. Do të ketë prani të një burimi që mund të ketë shërbyer si origjinë, brum ose lëndë për tekstin përfundimtar, ku këtij të fundit, natyrisht që nuk i mungon origjinaliteti. Një dukuri të tillë e kanë pranuar edhe vetë shkrimtarët dhe poetët, për shkak se teknika të ndryshme, lëndë në dukje të huaja, po që arketipi i tyre i bashkon, janë ato që na e pohojnë dhe njëherë dukurinë e intertekstualitetit (ndërtekstorësisë) dhe se veprat letrare në përgjithsi janë në një komunikim të përhershëm me njëra – tjetrën. Duke bërë që ato të rejat të lindin nga brumi i të vjetrave, siç ka thënë dhe poeti Lasgush Poradeci “KRIJIM I RI RELEVON poeti! Krijim i ri, prej lëndës së vjetër… ”

Megjithatë, kjo prani për të cilën po flasim, ky ko¬mu¬nikim i vazhdueshëm, i cili duke qenë mes veprash, është njëkohësisht mes kohësh dhe ngjarjesh, na bën të mbështesim mendimin dhe interpretimin që ka dhënë Nathalie P. Gros në lidhje me intertekstualitetin dhe të identifikohemi në këtë rast me idenë e saj që “intertekstualiteti është tërësisht i varur nga leximi; nëse nuk është pikasur, ai kthehet në një letër të vdekur” Kjo është lehtësisht e pranueshme dhe e kuptueshme, pasi nëse ne nuk dimë të kuptojmë analogjinë ose ironinë që realizon një autor i caktuar, i mbështetur tek një ngjarje, ide arketipale apo tekst tjetër nuk do e kuptojmë, një ngjarje, e cila mund të jetë trajtuar në ndonjë tekst pasardhës.Nëse nuk e njohim tekstin me të cilin ironizon, luan dhe e riaktivizon autori në tekstin e tij, ne do e përkapim vetëm sipërfaqësisht idenë, duke mos e arritur thelbin, rrjedhimisht, duke e zhdukur në këtë mënyrë intertekstualitetin, duke e bërë atë inekzistent. Ndaj këto lloj tekstesh kërkojnë një lexues të kultivuar dhe të pajisur me aftësitë dekodifikuese, jo vetëm të mesazheve dhe ideve komunikuese, por edhe të teknikave dhe procedimeve që përdoren për realizimin funksional të tyre. Procedime të cilat, nga ana e tyre, shtresëzohen brenda të njejtës vepër, po shpesh i kalojnë edhe kufinjtë e saj.

Nëse ndalemi tek autori që ne kemi marrë për vëzhgim, do të gjejmë dukuri të tilla të intertekstualitetit, që bashkëekzistojnë brenda të njejtës vepër, që bëjnë të mundur komunikimin mes, kohëve, veprave dhe teksteve të ndryshme letrare dhe jo letrare. Konkretisht në romanin Oh do të dallojmë dukuri dhe procedime si;

– Hipertekstualiteti
– Rimarrja
– Aluzioni

Këto të tre raste të komunikimit janë ato që mbizotërojnë në romanin e Pashkut. Kjo do të kuptohet pas analizimit të tyre, por edhe duke kuptuar stilin dhe teknikat e shkrimit të këtij shkrimtari. Shihet shumë qartë që në secilin rast ka një metodë të ndryshme të “shfrytëzimit” të këtyre teksteve. E gjithë kjo në mënyrë që gjithnjë komunikimi të jetë në shërbim të tekstit të tij dhe të ideve, që autori synon të theksojë, nëpërmjet një riaktivizimi dhe rifunksionalizimi, tashmë në një kontekst tjetër. Kontekst, i cili nuk është vetëm tekstor, por edhe historik, gjë që flet për një intertekstualitet të vetëdijshëm, jo të rastësishëm, as të detyruar.

Share: