Eurokomisioneri, Johanes Hahn foli pas rekomandimit për hapjen e dritës jeshile për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me famijen e madhe të Bashkimit Europian.
Përmes një konference për mediat, ai tha se Ballkani Perëndimor ka bërë progres të madh përgjatë 2018, ndërsa nuk kurseu as kritikat dhe sugjerimet për vendet e këtij blloku. Ai sërish i bëri apel Kosovës që të zbatojë MSA-në dhe të heqë taksën ndaj mallrave serbe e boshnjake. Kjo linjë sipas tij po bllokon ecurinë e frymës pozitive në Ballkan.
Eurokomisioneri vlerësoi edhe reformën në drejtësi, ndërsa e cilësoi atë si një shembull të paprecedentë të kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, proces ky, që sipas tij, do të kthejë besimin e munguar të publikut dhe të qytetarëve te sistemi i drejtësisë.
“Për herë të parë nuk doli raporti në media. Kjo është gjë e mirë. 2018 ishte një vit i shkëlqyer për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e Prespës ishte drita e këtij viti. Zgjidhja e një konflikti që zgjaste prej vitesh. Shembujt më të mirë janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Të dyja vendet kanë zbatuar e plotësuar reformat, sidomos nga fushat e kërkuara nga BE. Shqipëria ka ndjekur një transformim të madh në sistemin e drejtësisë. Një vlerësim të paprecedentë të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo është për të ndërtuar besimin tek gjyqësori. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka çuar në shumë suksese, por sigurisht më shumë duhet bërë, por duhet ta njohim atë që është arritur.
Maqedonia e Veriut ka arritur një marrëveshje historike me Greqinë dhe ka zbatuar paragrafët e kushtetutës dhe kjo është njohur nga Greqia duke e mbështetur anëtarësimin në NATO. Maqedonia e Veriut është bërë një shembull i fqinjësisë së mirë për të gjithë rajonin. Maqedoni e Veriut është i vetmi vend që nuk ka problem me fqinjët.
Zgjedhjet presidenciale janë zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme. Por duhet të zbatojnë reformat në sistemin ligjor Mali i Zi dhe Serbi. Presidenti Vucic dha një fjalim që nga pikëpamjet e mia ishte pozitiv. Kosova duhet të zbatojë MSA dhe të largojë tarifën 100 për qind dhe shpresojmë që në qershor të kemi takim me palët, por duhet të zhbllokohet situata e tyre. Çdo gjë që po bëjmë bazohet në fakte të forta dhe analiza jonë është që vendet anëtare duhet ta kuptojnë dhe të mbështeten tek ajo. I gjitha Ballkani Perëndimor ka nevojë për gjëra më të prekshme në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kemi dhënë këtë vit vëmendje aktiviteteve të Kinës në rajon, nuk po i kritikojmë ato por ata kujdesen më shumë, standardet europiane duhet të respektohen. Duhet të kujdesemi për një zhvillim të qëndrueshëm të vendeve dhe këto elementë duhet të respektohen.
Do të doja të përsërisja, duhet të kuptojmë se nisja e negociatave nuk do të thotë se e kemi përfunduar nesër apo pasnesër. Me Kroacinë zgjati 8 vite dhe është jorealiste të mendojmë se një proces do jetë më i shkurtër. Do jetë e bazuar në meritë. I gjithë procesi është mundësia më e mirë për të ndryshuar situatën në vende drejt standardeve europiane.”-tha ai.