Të mbash veten është kulturë. Të mbash veten, sepse ta kërkojnë të tjerët, është nënvlerësim i vetvetes. Sa e sa vajza dëgjojmë përditë të thonë “unë jam e shëmtuar”, “unë jam e shëndoshë” dhe përpiqen të vishen bukur, të lyhen sa më shumë, e të korrigjojnë “çdo defekt” që shoqëria ia dikton…
Kemi lexuat histori edhe nga vajza që kanë përfunduar bulimike, vetëm se shoqëria i ka vënë në dukje disa kile më tepër. Kemi lexuar e dëgjuar histori nga vajza që kanë përfunduar në kirurgji plastike, vetëm e vetëm se nuk mund ta përballonin dot presionin shoqëror dhe donin të ndryshonin sa më parë. A është normale kjo gjë? Sigurisht që jo.
Parimisht të gjithë e pranojmë se diçka e tillë nuk është normale, por të gjithë i bëjmë diferencimet për pamjen e jashtme. Ka edhe nga ata idealistë që thonë se paraqitja nuk është e rëndësishme, por secili nga ne i jep rëndësi kësaj pjese. Ndoshta jo aq sa ta përkufizosh dikë vetëm nga paraqitja, por prapë, një pjesë të mirë të opinionit e bëjmë nisur nga pamja e jashtme e një personi që njohim.
Në ditët e sotme, kur teknologjia po pushton çdo aspekt të jetës sonë, presioni shoqëror është shumëfishuar. Dhe jo vetëm kaq. Tani vëmë re edhe një formë të re të presionit. Autokritikën.
Hapini portalet online. Shfletojini pak revistat e ndryshme shqiptare dhe të huaja. Të rralla janë femrat e shëndosha apo me ndonjë defekt në fytyrë që vendosen në kopertinat e tyre.
Mendoni se përballë një realiteti të tillë, mundet të mos lëkundet vetëbesimi i dikujt, sidomos i vajzave që janë më të brishta dhe e vrasin më shumë mendjen për pamjen e jashtme? Pra, jemi të gjithë ne përgjegjës për një situatë të tillë.
Nuk sheh më në kohët e sotme vajza më flokë të kapura, pa make up, me një veshje të thjeshtë dhe me një libër në dorë. Quhesh “e dalë mode”, nëse del në rrugë kështu. Tani ke vajza që përpiqen të ekspozojnë sa më shumë pjesë të trupi për të marrë disa like dhe komente më shumë, sepse kjo i bën të ndihen të pëlqyera nga të tjerët. Kjo gjë ia rrit vetëvlerësimin.
Me vjen keq që po e jetojmë një realitet të tillë dhe nuk po e kuptojmë se ku po shkojmë. Për çfarë dreqin ju duhet ju t’ju pëlqejnë të gjithë, kur juve mund t’ju pëlqejë dikush me vlera për atë që ju jeni? Pse duhet të ndryshoni për t’u pëlqyer nga të tjerët? A e doni juve veten tuaj? Dyshoj për këtë të fundit, sepse po ta donit veten, nuk do t’jua ndjente shumë për opinionet e të tjerëve.
Fiksojeni mirë në mendje se bukuria është subjektive. Ajo që dikujt i duket e shëmtuar dhe e shëndoshë, dikujt tjetër i duket e bukur dhe e dobët. Dhe mos harroni edhe diçka tjetër, ato femrat e bukura dhe me plot forma “të dëshiruara” të revistave apo portaleve, nuk janë realisht ashtu. Sot nuk ka njerëz perfekt. Çdokush e ka një defekt, por për to ekziston fotoshopi që mbulon gjithë defektet e mundshme.
Ju ndryshoni. Askush nuk po ju detyron të mos e bëni. Ama nëse e bëni diçka, bëjeni për veten tuaj. Nëse ju duket vetja si e shëndoshë, apo jo shumë e bukur, ndryshoni që të ndiheni juve vetë mirë, por kurrë mos ndryshoni për të përmbushur pëlqyeshmërinë e të tjerëve.
Juve po jetoni jetën tuaj dhe duhet ta jetoni dhe të jeni ashtu siç juve doni, jo ashtu siç të tjerët duan që ju të jeni. Të tjerët që ju mbajnë juve në gojë, nuk janë në rregull me veten e tyre dhe duan t’ju bëjnë edhe juve të ndiheni keq. Me pak fjalë, fitojnë kënaqësi duke i bërë të tjerët të ndihen keq, ashtu siç ata ndihen keq me veten e tyre.
Mos harroni edhe diçka tjetër. Njerëzit që rrinë me ju thjesht se i tërheq paraqitja juaj e bukur, apo trupi juaj me forma, nuk do të jenë përherë pranë jush. Do t’ju braktisin kur trupi me forma të mira dhe paraqitja juaj e bukur do të zbehen me kalimin e viteve. Ata që do të jenë pranë jush përgjithmonë, do të jenë ata që ju kanë dashur për zemrën tuaj të bukur dhe shpirtin tuaj të pastër…/bota.al