Në 30 qershor votohet sistemi, jo bashkitë

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Në PD, por edhe brenda selive të partive më të vogla që gjallojnë rreth saj, janë totalisht të bindur: nëse Lulzim Basha ulet për negociata me Edi Ramën pa kushtet që opozita ka bërë tashmë publike, ai si lider e bashkë me të edhe paneli që e shoqëron, janë të vdekur politikisht. Kjo aksiomë ka marrë me kalimin e kohës formën e një liturgjie në grup: e thotë Shehi, e përsërit Mediu, e deklaron pa mbarim vetë Basha e pas tij Kryemadhi dhe më në fund e “vulos” Berisha. I cili është, sipas të gjitha gjasave, arkitekti real i kësaj teorie mur me mur, që i shkon për bukuri stilit të tij njëzetvjeçar të kultivimit të urrejtjes politike ndaj kundërshtarit dhe prerjes së çdo ure komunikimi “me palën tjetër”.

E vërteta është se PD e ka vënë kaq lart stekën e një marrëveshjeje me PS, e ka të bërë kaq të vështirë dhe thuajse të pamundur një kompromis me Ramën, saqë sot duket realisht e vështirë që të bisedohet për diçka tjetër, jashtë asaj që është shkruar në listën e kushteve opozitare. Jo vetëm kaq. Teksa përpilonte listën në fjalë, opozita digjte mandatet parlamentare dhe i jepte hov një sezoni të telekomanduar dhune, që ka nxjerrë nga arkiva kujtimet e vitit ’97, ka frikësuar turistët e sezonit veror dhe biznesin e huaj, si dhe ka bërë që mbi vendin e vogël ballkanik të kthehen edhe një herë forcërisht projektorët e medias ndërkombëtare.

Në këtë zallamahi, Lulzim Basha ka të drejtë, sipas logjikës së tij të “ditës së Qametit”, që të mendojë se është duke pasur sukses. Nuk i bëhet vonë as për kritikat gjithnjë e më therëse të të huajve, nuk merakoset as për faktin se tashmë dhuna duket si një aksesor, madje si një zbukurim makabër i projektit të tij politik. Sa më keq aq më mirë – kjo është kredoja e çdo politikani që s’ka më gjë për të humbur, ose më saktë e çdo politikani humbës. Pra edhe e Lulzim Bashës.

Është e drejtë që ky shtrat logjik të prodhojë edhe një llogari kokëposhtë, e cila merr parasysh vetëm interesat meskine, e jo ato të ndonjë grupi, e aq më pak të të gjithë komunitetit. Opozita i ka zbritur llogaritë e saj tek fati i ngushtë politik i një dyzine burrash e grash, e kjo e bën sjelljen e saj të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Nëse ulen në tryezë me qeverinë, nëse lëshojnë diçka nga ato që kërkojnë ose nëse (qoftë larg) hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit, për shqiptarët mund të bëhet mirë, po për ata vetë është e sigurt se do jetë më keq. Shumë më keq.

Merrni realitetin aktual dhe kthejeni përmbys, e kështu do të keni fushëpamjen që ka sot një politikan i opozitës shqiptare. Nëse e merrni dhe e ktheni për së mbari, duke i treguar se po shihte përmbys, ai menjëherë do t’ju kërkojë ta ktheni kokëposhtë, pasi vetëm kështu realizon projektin e tij të nisur nja tre muaj më parë mes kapsollave e molotovëve.

Në anën tjetër të gardhit qëndron qeveria, ajo që kujton se ndodhet në pozicionin normal të të qëndruarit. I sheh punët “në interes të vendit” dhe ndodhet në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Nëse dëgjojmë arbitrat e kësaj krize, të huajt, i bie që qeveria është në anën e drejtë. Të paktën në parimet bazë të rregullimit të një demokracie. Por gjashtë vjet pasi ka marrë në dorë frenat e vendit, shumica ka edhe ajo humbjet e saj të kujtesës, ka skeletet e fshehura në dollap, akuzat që ja kanë konsumuar besimin e zgjedhësve dhe ja kanë bërë pis imazhin.

Për fatin e saj, qeveria duket se ka kuptuar që këto nuk janë zgjedhje për të zgjedhur një tufë bashkiakësh. Këto janë zgjedhje ku ndahet si me thikë ajo pjesë e klasës politike që kërkon të ruajë sistemin, me ate pjesë që kërkon ta hedhë në erë. S’ka zgjedhje për bashkitë në 30 qershor, ka zgjedhje për të rikonfirmuar sistemin.

Në 30 qershor duhet të ketë zgjedhje jo sepse Edi Rama ose Erion Veliaj kanë punuar mirë dhe duhet me patjetër t’i konfirmojmë aty ku janë, por sepse nëse do të tregojmë faqe botës se nuk jemi në gjendje të organizojmë as një proces elektoral, do ta vuajmë përjetësist këtë precedent, pas atij të mandateve. Nuk kemi vota në Kuvend? Aq na bën, djegim kartonat që kemi në xhep dhe u zgjidh kjo punë. Nuk kemi siguri se mund t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme? Punë e madhe, i fusim nja dhjetë protesta, me hunj e shtiza (përfshirë edhe një urinim publik të derës së qeverisë) dhe ja ku e fshehëm frikën që kemi nga humbja e garës me kundërshtarin.

Në 30 qershor këto modele të mbrapshta duhet të rrëzohen. Jo në 1 korrik e as në 1 tetor, por në 30 qershor, atëhere kur ka vendosur kryetari i shtetit Ilir Meta. Një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, ashtu siç ndodh kudo edhe në vendet e zhvilluara, do të shkojë në plazh ditën e zgjedhjeve. Është e drejta e saj e plotë të shpërfillë, shajë e përqeshë klasën politike, premtimet dhe listat e saj të kandidatëve. Por është po aq e drejtë, dhe e shenjtë madje, që të njëjtën ditë, ajo pjesë e popullit shqiptar që e ka mbajtur mend se diku votohet, ta ushtrojë këtë të drejtë në liri të plotë. Kush nuk do zgjedhje, s’ka asnjë të drejtë të pengojë atë që i do ato./javanews

Share: