Shuhet Hans-Joachim Lanksch, studiuesi dhe përkthyesi i lirikës shqipe

Kulturë

Sot, më dt. 20 maj 2019, në orët e para të mëngjesit u shua, pas një lëngimi të gjatë e të pashërueshëm Hans-Joachim Lanksch, i mirënjohur në diskursin kulturor-intelektual shqiptar si Përkthyesi i Lirikës Shqipe.

Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë  me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludwig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.

Penda e tij bëri të kumtojnë dhe „rikrijojnë“ gjermanisht shkrimtarë e poetë të  spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.

Puna e tij është laureuar me çmimet „Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); „Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe „Azem Shkreli“ (2018).

„Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare.

nga Bardhyl Demiraj

/Peizazhe të fjalës

Share: